LAJMI I FUNDIT:

Paqartësitë e krizës politike në Maqedoni, tensionojnë situatën

Paqartësitë e krizës politike në Maqedoni, tensionojnë situatën

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, vazhdon ta mbajë të bllokuar kapërcimin e krizës institucionale, pavarësisht thirrjeve të qarta nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të për dhënien e mandatit liderit opozitar, Zoran Zaev, i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, njofton REL.

Presidenca mbetet në qëndrimin se “mandati nuk do t’i jepet asnjë individi apo partie që me programin e saj rrënon sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit përmes platformave të hartuara në shtetet fqinje”.

Kreu i OBRM-PDUKM-së ka thënë se kriza mund të kapërcehet vetëm përmes zgjedhjeve të reja në të cilat sipas tij “qytetarët duhet të deklarohen se e pranojnë apo jo platformën shqiptare që parasheh dygjuhësinë në Maqedoni si hap drejt ndarjes së shtetit”.


LSDM-ja e Zoran Zaevit ka thënë se Gruevski “luan lojëra të rrezikshme” ndërsa nga presidenti ka kërkuar mandatin, por pa përjashtuar edhe mundësi tjera për kapërcimin e gjendjen, megjithëse nuk ka saktësuar se cilat mund të jenë ato.

Një gjendje e këtillë e paqëndrueshmërisë politike, thonë ekspertë të fushës, ka përkeqësuar edhe situatën e sigurisë me mundësi të përshkallëzimit me përmasa të rrezikshme duke marrë parasysh deklaratat e zyrtarëve të OBRM-PDUKM-së se “me çdo kusht dhe me të gjitha mënyrat do të mbrojnë shtetin”.

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se partia e Gruevskit në fakt nuk mbron shtetin nga gjuha shqipe, por ajo shfrytëzohet si alibi për të mbrojtur veten nga shpërdorimet e shumta që ka bërë.

“Protestat e fundit që po mbahen dhe që po thirren janë kundër shqiptarëve, por kjo nuk ka të bëjë me realitetin. Kjo është një situatë e inskenuar dhe në rast se përshkallëzohet apo rriten turbulencat, kjo edhe më shumë do të vështirësojë funksionimin e institucioneve. Këta persona që kanë udhëhequr dhe vazhdojnë ta mbajnë pushtetin dhe që duhet të garantojnë sigurinë, janë pikërisht ata që bëjnë thirrje për pasiguri vetëm e vetëm për të mbuluar veprat e tyre në dyshimta”, thotë Bashkim Selmani, profesori i së drejtës penale në Universitetin Font të Shkupit.

Ai nuk beson se një skenar i tillë mund të kalojë meqë siç shprehet ai, qytetarët tanimë e dinë se kush janë ata që duan të shkaktojnë trazira në vend.

Por, në protestat që tani disa ditë po organizohen nga organizata të ndryshme, e pas të cilave besohet se qëndron OBRM-PDUKM-ja e Nikolla Gruevskit, janë regjistruar disa incidente, si sulme ndaj gazetarëve, ndaj kalimtarëve të rastësishëm, ndërsa së fundi edhe sulme fizike ndaj personaliteteve të ndryshme publike, të cilët me qëndrimet e tyre janë kritik ndaj pushtetit.

“Këto sulme është e qartë se janë të organizuara dhe kanë për qëllim frikësimin e të gjithë atyre që kritikojnë punën e këtij regjimi. Kjo u paralajmërua nga disa personalitete publike që janë edhe ithtarët më të mëdhenj të partisë në pushtet. Ata thanë se tubime duhet të ketë edhe para shtëpive të atyre që sipas tij nuk punojnë për kauzën kombëtare dhe kjo edhe po ndodhë, me tubime, kërcënime, sulme fizike e kështu me radhë”, thotë Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit.

Ajo thotë se gjendja mund të përshkallëzohet në veçanti nëse presidenti vazhdon të mbajë qëndrimin e prerë lidhur me mos-mandatimin e social-demokratit Zoran Zaev për kryeministër. Ajo thotë se presidenti tanimë hapur është deklaruar se nuk është i barabartë për të gjithë shtetasit e Maqedonisë.

“Retorika nxitëse është rritur ditëve të fundit, një retorikë nxitëse kishte edhe presidenti Ivanov duke iu drejtuar vetëm një komuniteti dhe duke harruar me këtë rast se në Maqedoni jetojnë më shumë etnitete. Kështu që nëse nuk i jepet fund nxitjeve të këtilla, por edhe nëse nuk zbardhen rastet që kanë ndodhur mund të ketë përkeqësim të gjendjes”, thotë Pirovska.

Maqedonia pa institucione të reja është që nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të cilat me një diferencë prej vetëm 2 deputetëve u fituan nga OBRM-PDUKM-ja e Nikolla Gruevski e cila nuk arriti të formojë qeverinë pasi nuk gjeti partner tek partitë shqiptare që janë vendimtare për formimin e qeverisë.

Mandati pritej t’i jepej Lidhjes Social-Demokrate, partisë së dytë e cila ka arritur të formojë një shumicë të re me mbështetjen e të gjitha partive shqiptare duke siguruar 67 vota të deputetëve nga 61 sa nevojiten për votimin e qeverisë.