LAJMI I FUNDIT:

Tri vjet asnjë vdekje nga rriqrat në Malishevë

Tri vjet asnjë vdekje nga rriqrat në Malishevë

Në Komunën e Malishevës është mbajtur takimi i Këshillit ndërministror për ethet hemorragjike të quajtura ndryshe edhe si “Krime Kongo” në Kosovë, ku është thënë se në këtë komunë për tri vitet e fundit nuk është shënuar asnjë vdekje nga pickimi i rriqrave.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se Ministria që ai drejton është e interesuar që të përkrah çdo gjë që është e nevojshme dhe e domosdoshme për shëndetin e qytetarëve.


“Kemi tri vjet që nuk kemi asnjë viktimë nga kjo sëmundje e rëndë. Zotohem që këto punë të jenë të nevojshme dhe të domosdoshme Për shtetin dhe shëndetësinë e qytetarëve të jemi pranë dhe të përkrahim”, tha Rrahmani.

Ai ka shtuar se lufta kundër etheve hemorragjike është kontribut i të gjithëve, e që pa këtë kontribut nuk do të ishin shënuar këto rezultate.

Megjithatë ministri tha se në të ardhmen duhet të bëhet edhe më shumë punë në mënyrë që edhe vitet e ardhshme të mos shënohen raste të të prekurve nga ethet hemorragjike.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se puna në nivel lokal dhe qendror ka bërë që për tri vjet të mos shënohet asnjë rast i vdekjes.

“Fatmirësisht kjo punë e jona në nivel lokal dhe qendror ka bërë që për tri vjet të mos shënohet asnjë rast i vdekjes dhe këtë vit nuk ka pas asnjë rast të rrezikuar nga rriqrat. Me një angazhim të përbashkët dhe politikës në nivel të vendit ka bërë që të jemi më të suksesshëm…”, tha Begaj.

Sipas statistikave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rezulton që në 50 për qind të territorit të Kosovës kanë qenë të prekur nga kjo sëmundje. Por, kulmi i paraqitjes së sëmundjes ka qenë viti  2001,2005, 2010.

Sipas Naser Ramadanit, se masat të cilat janë marrë për të parandaluar sëmundjen e etheve hemorragjike janë të suksesshme do të shihet atëherë kur në vitet e ardhshme nuk do të ketë asnjë rast nga kjo sëmundje.

Ndryshe, në Kosovë, në vitin 2000-2016 janë shënuar 189 raste, nga të cilat 49 me vdekje, ndërsa vetëm në Malishevë nga 76 raste, 18 nga to kanë rezultuar fatale. /KP/