LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia gjermane rritet për 0.7%

Ekonomia gjermane rritet për 0.7%

Ekonomia më e madhe e Eurozonës e ka nisur mirë edhe tremujorin e dytë të vitit, dhe vrulli pritet të konfirmohet edhe gjatë muajve pasardhës, pavarësisht se më një hap më të ngadaltë se tre muajt e parë të vitit, thekson Ministria Gjermane e Financave.

Ekonomia e vendit u zgjerua me 0.7% gjatë periudhës janar-mars, që është edhe hapi më i kënaqshëm i dy viteve të fundit, kryesisht falë konsumit të fortë privat, investimeve në sektorin e ndërtimit dhe shpenzimeve qeveritare për krizën e refugjatëve.


“Indikatorët ekonomik tregojnë se vrulli i ekonomisë po vazhdon, pavarësisht se më një hap më pak dinamik sesa fillim-viti”, nënvizon Ministria e Financave. Rritja e punësimit, rritja e pagave dhe normat e ulëta të interesit po nxisin fuqinë blerëse të konsumatorëve gjermanë-shton ministria, sipas së cilës konsumatori i ka të gjitha kushtet për të shpenzuar para.

Kërkesa e fortë e brendshme nga ana tjetër, po nxit të ardhurat e shtetit nga taksat. Të ardhurat e shtetit nga taksat u rritën me 6% gjatë pesë muajve të parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e të ardhurave i mundëson kreut të financave, Wolfgang Schaeuble që të rrisë shpenzimet për emigrantët dhe infrastrukturën duke ruajtur një buxhet të balancuar njëkohësisht.

Sipas ministrisë, edhe tregtia është në formë të kënaqshme, me eksportet në rritje të vazhdueshme falë kërkesës së fortë nga tregjet europiane. Kjo po zhbën efektet e kërkesës së dobët nga tregjet në zhvillim, si Kina, Brazili apo Rusia. Pavarësisht kësaj, tregtia e jashtme mbetet sektori më problematik. /Telegrafi/