LAJMI I FUNDIT:

Në veri, Policia e Kosovës ende është SHPK

Në veri, Policia e Kosovës ende është SHPK

Policia e Kosovës në veri vazhdon të sfidojë institucionet e Republikës, duke mos respektuar aprovimin e ligjit për policinë që ka të bëjë me ndryshimin e emërimit të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) në Polici të Kosovës (PK).

Në objektet e policisë në veri të Mitrovicës, por edhe në komunat tjera veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, mungon po ashtu flamuri shtetëror.

Kështu, në objektin e policisë në veri të Mitrovicës vazhdon të qëndrojë ende tabela me mbishkrimin Shërbimi Policor i Kosovës, duke bërë kështu që ligji i cili është bërë me fuqizimin e Kushtetutës pas pavarësisë së vendit në vitin 2008, të mos respektohet në atë pjesë, raporton KP.


Dhe derisa në të gjitha stacionet dhe nënstacionet e Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës dhe më gjerë, përveç mbishkrimit Policia e Kosovës, janë të vendosur edhe flamuri i Policisë dhe i shtetit të Kosovës, ky i fundit nuk shihet askund në katër komunat veriore.

KosovaPress ka provuar të kontaktojë gjatë ditës së djeshme përgjegjësit e policisë në veri për të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje, por ata nuk janë përgjigjur.