LAJMI I FUNDIT:

450 milionë për Tottenham?

450 milionë për Tottenham?

Pronarët e gjigantëve të bejsbollit, New York Yankees, janë duke synuar që të bëhen investitorët e radhës të huaj në Ligën Premier, pasi publikohet një ofertë prej 450 milionë funte për blerjen e Tottenhamit.

Sipas Daily Star, vdekja e pronarit të Yankees, George Steinbrenner, ka zgjuar interesimin e dy djemve të tij, Hal dhe Hank të cilët janë të apasionuar pas futbollit, ndërsa nuk janë të interesuar për të blerë ndonjë klub tjetër në NBA, NFL ose NHL në ShBA. Është Tottenhami dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve ai që u ka rënë në sy multimilionerëve.

“Gjëja e vetme që do të bleja do të ishte një ekip shumë i madh futbolli në Evropë, sipas të gjitha gjasave në Ligën Premier. Kjo gjithmonë është një mundësi për mua”, ka thënë Hank.

Amerikanët në Ligën Premier nuk janë dhe aq të popullarizuar, me familjen Glazer dhe dyshen Gillet – Hicks të cilët urrehen nga tifozët e klubeve respektive, Manchester United dhe Liverpool. Megjithatë, Yankees janë një nga investitorët më stabil në tregun financiar sportiv amerikan. Ata për një sezon shpenzojnë 130 milionë funte në paga të lojtarëve dhe futbollisti më i paguar është Alex Rodriguez që për dhjetë vite kontratë fiton 178 milionë funte. /Telegrafi/