LAJMI I FUNDIT:

28 nëntori si subkulturë

Para shumë vitesh në fshatin Zhur të Komunës së Prizrenit pata ndeshur në një rrëfim shumë interesant. Ishte tregimi për një burrë që edhe pse kishte dy dekada që ishte ndarë nga jeta, kujtohej nga bashkëvendësit e tij për çdo vit. Quhej Sefer Elezkurtaj dhe njihej ndryshe se njeriu i flamurit. Çdo 28 nëntor ai kishte ngritur flamurin ne fshatin e tij. Çdo 28 nëntor ai ishte arrestuar dhe futur në burg për këtë veprim, nga regjimi i atëhershëm serb. Ditët apo muajt brenda hekurave, rrahjet apo presionet nuk ia kishin ndërruar mendjen në asnjë nëntor. Ai ngrinte flamurin kuq e zi, së bashku me ndjenjën e pritjes për qelinë.

Mu kujtua ky rrëfim, që është një nga mijëra historitë e sakrificës për flamurin shqiptar në këtë vend, ndërsa lexoja një mesazh që kishte ardhur në celularin tim mëngjesin e 28 Nëntorit. Në të thuhej “Partia Demokratike Kosovës të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ua uron 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar.”


E po kështu një natë më parë presidenti i Kosovës kishte uruar 28 Nëntorin – Ditën e Shqiptarëve. Ky është përcaktimi institucional që festa e Pavarësisë së Shqipërisë e njohur edhe si Festa e Flamurit ka gjetur në librin e festave memoriale të Republikës së Kosovës. Nuk e pati nderin të futej as në listën e festave zyrtare, listë në të cilën rreshtohen të gjitha llojet e festave fetare, Bajram e Ramazan, Krishtlindje e Pashke, katolike e ortodokse; apo dhe vetë dita e Evropës. Shikoni çfarë absurdi. Shqiptarët e Kosovës mund të festojnë ditën e Evropës por jo atë që vetë e quajtën Dita e Shqiptarëve. E ngjashme kjo me absurdin tjetër edhe më të madh. Kombet e Evropës mund të bashkohen, por shqiptarët nuk duhet as ta ëndërrojnë bashkimin e kombit.

Por le t’i kthehemi sërish flamurit. Natyrisht Prishtina u vesh kuq e zi. Vetëvendosja u përkujdes për këtë punë, por edhe nëse ajo nuk do ta bënte, vetë shqiptarët e Kosovës do ta vishnin ashtu sikurse bënë një vit më parë. Sepse ka një rregull psikologjik, të cilin e perifrazon shumë bukur shkrimtari amerikan Mark Twain: “Sa më shumë t’i ndalosh gjërat, aq më popullore bëhen ato.”

Por çështja është se a e kanë luksin shqiptarët e Kosovës të lejojnë që festat kombëtare të shndërrohen sërish në subkulturë?

Në sociologji, antropologji apo studime kulturore, si subkulturë konsiderohet një grup njerëzish që kanë një kulturë (mund të jetë e ndryshme dhe e fshehur) e cila i diferencon ata nga një kulturë më e gjerë, të cilës i takojnë. Cilësitë që e përcaktojnë një subkulturë mund të jenë gjuhësore, fetare, politike, seksuale, gjeografike apo një kombinim faktorësh.
Në Kosovë është e qartë, ato janë politike.

Dhe duke u nisur nga ky përcaktim, Dita e Shqiptarëve (dita e Flamurit Kombëtar) ka një vlerë të zvogëluar në raport me ditën e Flamurit të Kosovës, edhe pse ky është një flamur që u prodhua për shkak të nevojës politike dhe diplomatike. Ditët e sakrificës së familjes Jashari, 5-7 marsi, ka një vlerë të zvogëluar në krahasim me bashkëjetesën multietnike…

Për këtë arsye manifestimet shtetërore apo institucional munguan. Dhe do të mungojnë edhe në vitet e ardhshme. Maksimumi që bënë presidenti dhe kryeministri ishin dy deklarata në çakordancë të plotë me njëra tjetrën për sa i përket emërtimit të festës (njëri e quan Dita e Shqiptarëve, tjetri dita e Flamurit Kombëtar.)

Në fakt as mesazhi i urimit nuk merrej vesh kujt i drejtohej, gjithë shqiptarëve apo vetëm shtetasve shqiptarë.

Pra përfaqësuesit e institucioneve të Kosvës po shkojnë më tej asaj që ju është kërkuar si kompromis, po shkojnë drejt mohimit të vetvetes. Askush nuk do t’i ndalojë shqiptarët e Kosovës të mbajnë flamurin, sikurse ata ndalohen në Luginë e Preshevës apo edhe Maqedoni por çështja është tek mohimi institucional. E të mohosh institucionalisht do të thotë të shndërrosh në subkulturë.

Të dërgosh urime me sms, sic janë kujtuar zyrtarët e PDK-së, do të thotë të bësh një veprim subkulturor. Pritshmëria? Ose këto festa kombëtare do të vijnë duke u harruar, ose do të ndodhë plotësisht e kundërta, reaksion i fuqishëm siç ndodhi një vit më parë në Prishtinë.

E nëse i besojmë Mark Twain, atëherë ato do të popullarizohen edhe më shumë.
Çfarë është tjetër heqja e flamurit gjigand të shtetit të Kosovës, i vendosur me ceremoni shtetërore në hyrje të Prishtinës dhe zëvendësimi i tij me flamurin kombëtar nga ana e disa të rinjve?

Sepse jo vetëm shqiptarët, por as një komb i vogël nuk e ka luksin e shndërrimit të vlerave të veta shpirtërore e historike, në subkulturë, e aq më tepër atë të eksperimenteve për ndryshimin e identitetit, veçanërisht tani kur globalizmi po zhduk gjithnjë e më shumë kufijtë rajonalë, e së bashku me to shumë elemente të identiteteve kombëtare.

Se sa i rëndësishëm është identiteti, mjafton të hedhim një sy tek fqinji ynë Maqedonia, që prej vitesh rreket të gjejë një emër për shtetin, që vjedh e përvetëson histori e personalitete të popujve fqinjë, e që diskreditohet në sytë e gjithë botës për këto marrëzira.

Fakti është se shqiptarët nuk janë të zotë të mbrojnë ato që kanë, që ngatërrojnë identitetin politik me atë kombëtar, apo për më keq sërish kërkojnë të ngrenë mure mes tyre.

Dikush mund të ketë në majë të gjuhës shpjegimin se 28 Nëntori, një festë e trefishtë në fakt pasi është edhe ditëlindja e Komandantit Adem Jashari dhe shfaqja për herë të parë e UCK-së, nuk u shndërrua në festë zyrtare pikërisht për të shmangur futjen e festës kombëtare të serbëve, mirëpo ky justifikim nuk qëndron. Në Kosovë gati 95% e popullatës janë shqiptarë, ndaj një festë kombëtare nuk mund të shndërrohet në subkulturë. E tillë ka qenë nën regjimin serb, kur njerëz si Sefer Elezkurtaj ngriheshin në mes të natës për të vendosur mbi shtëpi, flamurin e mohuar…

(Autorja është analiste politike pranë gazetës Kosova Sot)