LAJMI I FUNDIT:

”Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, anashkalohet shqipja (Video)

”Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, anashkalohet shqipja (Video)

Komuna e Strugës edhe këtë vit do t’i bojkotojë “Netët strugane të poezisë” që nisin sonte.

Kryetari i komunës së Strugës Mustafa Zabzun për Alsat M tha se kjo vjen për shkak të mosrespektimit të ligjit për gjuhët. Zabzun gjithashtu tha se nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në këtë festival. Ky është viti i katërt me radhë që përfaqësuesit e pushtetit lokal të Strugës për arsye të njëjta, respektivisht mos përdorimin e gjuhës shqipe, tërësisht e bojkotojnë festivalin në fjalë. Drejtori i “Netëve të Strugës”, Mite Stefoski, në preskonferencën e sotme me gazetarë refuzoi të përgjigjet pse gjuha shqipe përsëri nuk do të jetë pjesë e hapjes së këtij festivali.


”Për këtë do të organizojmë nëse duhet preskonferencë të veçantë. Çështje e kësaj preskonference nuk janë pyetjet që i përkasin natyrës organizative ose diç tjetër. Ju faleminderit”, tha Mite Stefoski, drejtor i NSP-së.

Si e komentoni qëndrimin e komunës së Strugës për bojkotimin e festivalit?

“Nuk e kemi dëgjuar, nuk kam njohuri për atë lloj komenti, ju faleminderit për pyetjen”.

Vitin e kaluar festivali u hap vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze. Fituesi i sivjetshëm i çmimit më të lartë “Kurora e artë” e Netëve Strugane të Poezisë është shkrimtari amerikan me prejardhje serbe Çarls Simiq, i cili me familjen është shpërngulur në SHBA në vitin 1953. Përndryshe Simiq shkruan poezi politike por edhe ushtarake e cila është e inspiruar nga luftërat në ish Jugosllavi.

”Në vitin 1972 kam qëndruar këtu një javë. Përsëri u ktheva në vitin 1982 dhe kalova një periudhë të caktuar kohore në Shkup. Përndryshe vitet e 90 ishin periudhë e tmerrshme dhe e keqe për mua sepse jam rritur në një familje që veten e konsideronin jugosllovenë. Ajo kohë ishte shumë e vështirë jo vetëm për mua por edhe për shkumë njerëz të tjerë. Kur shikonim përmes televizionit se ç’po ndodh me luftën në Bosnjë, Kroaci, në këngët e mija ato ngjarje u reflektuan, ka shumë dhunë në këngët. Lufta është e pranishme në poezinë time”, tha Çarls Simiq, shkrimtar nga SHBA.

Festivali i 56 me radhë i Netëve Strugane të Poezisë do të mbahet deri më 27 gusht. Festivali përfundon me lexim ndërkombëtar poetik dhe me ndarjen e çmimeve “Kurora e Artë”, “Vëllezërit Miladinovci” dhe “Urat e Strugës”. /Telegrafi/