LAJMI I FUNDIT:

Imeri: 30% e ekonomisë është joformale

Imeri: 30% e ekonomisë është joformale

Ekonomia joformale vazhdon të jetë shqetësuese për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Niveli i joformalitetit vlerësohet të jetë deri në 30 për qind.Kështu thotë drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, në një intervistë dhënë për Ekonomia Online.

Imeri thotë se kanë mungesë të inspektorëve në terren, porse janë duke luftuar këtë dukuri. “Inspektorë kurrë nuk ka mjaftueshëm, sepse kemi një zhvillim në disproporcion me mundësitë e zgjedhjes së stafit brenda ATK-së. Ne kemi një numër të kufizuar, kemi aktualisht 785 zyrtarë në ATK, prej tyre 70 për qind janë të kyçur në raport me tatimpaguesit, ndërsa 30 për qind janë në shërbime të përbashkëta në procese të brendshme, 340 i kemi drejtpërdrejt në vlerësime, kontrolle dhe aktivitete përmbushëse”, ka thënë Imeri.


Ai ka folur edhe për qasjen e ATK-së në veri të vendit, duke thënë se atje kanë inkuadruar dhe zyrtarë nga komuniteti serb. “Ne kemi një ekip prej 15 zyrtarëve që i kemi me marrëveshje të Brukselit, kemi bërë përzgjedhjen e atyre zyrtarëve që janë të nevojshëm edhe për t’i kyçur strukturat paralele, por edhe për t’i përgatitur dhe edukuar për kryerjen e funksioneve tatimore, sepse janë funksione më specifike, dhe më të rëndësishme në efekt të hyrave të buxhetit të shtetit”, ka thënë Imeri.

Kreu i ATK-së flet edhe për bashkimin e ATK-së me Doganën në një institucion, që ishte paralajmëruar të bëhej sivjet. Imeri thotë se me rekomandim të FMN-së dhe të ekspertëve tjerë të përfshirë në këtë proces, bashkimi është shtyrë për 1 janar të vitit 2018.Ai ka folur edhe për të hyrat e ATK-së, duke thënë se vitin e kaluar ky institucion për herë të parë ka kaluar 500 milionëshin në të hyrat tatimore dhe kontribute pensionale.Sa i përket rimbursimit të qytetarëve që dorëzojnë kuponë fiskalë, Imeri konfirmon se ky proces do të vazhdojë.

EO: Si e keni përmbyllur vitin e kaluar dhe cilat janë planet e juaja për këtë vit?
Imeri: Viti i kaluar ka qenë njëri prej viteve më sfiduese sidomos për mua, sepse kam qenë në vitin e parë në Administratën Tatimore ku e kemi përmbyllur me rezultate të mira edhe në konsolidimin e mëhershëm të Administratës Tatimore në ngritjen e profesionalizmit zyrtar edhe atë të Administratës Tatimore, por edhe për çështjen që jemi të thirrur në përmbushjen e planit të të hyrave. Vitin e kaluar e kemi përmbyllur me 383 milionë euro të hyra tatimore edhe me 151 milionë kontribute pensionale. Për herë të parë Administrata Tatimore ka kaluar 500 milionë euro në të hyra tatimore dhe kontribute pensionale konkretisht 539 milionë euro nga këto dy grupe të të hyrave.

EO: Cili është plani i të hyrave?
Imeri: Plani i të hyrave për vitin 2017 është një plan shumë ambicioz ku janë parapa 423 milionë euro të hyra nga të cilat 410 milionë euro janë hyra të rregullta nga ana tatimore nga vet pagesa e tatimpaguesve dhe 10 milionë euro janë parapa nga ligji për faljen e borxheve publike dhe 3 milionë janë nga likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore që presim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. 423 milionë euro janë vetëm nga fusha e tatimeve pa i përfshi edhe kontributet pensionale që janë një rrjedhë e zakonshme diku 10 për qind mbi të hyrat e kontributeve pensionale të cilit vit kemi pasur rritje dhe presim që edhe në vitin 2017 edhe të kemi shtim të punësimit, por edhe që kjo mund të jetë edhe si rezultat i rritjes së pagave dhe të hyra më shumë në kontributet pensionale.

EO: Si ka shkuar procesi i fiskalizimit?
Imeri: Procesi i fiskalizimit ka qenë procesi më i rëndi në Administratën Tatimore të Kosovës prej faktit që është një proces që prek drejtpërdrejt në xhepat e tatimpaguesve dhe nuk është diçka e çuditshme kur kanë kosto tatimpaguesit. Është tatim ligjor, kërkesë ligjore që bizneset të fiskalizohen janë kompani të cilat e realizojnë këtë proces dhe është procesi, i cili kryhet përmes tatimpaguesve operatorëve të licencuar për pajisjen e arkës fiskale që të kenë shitjen dhe gjithë instalimin e tyre dhe tatim paguesve që kanë obligim pajisjen. Pjesa më delikate ka qenë kur duhet pajisje specifike matëse siç janë tek derivatet e naftës dhe ka qenë ajo pjesa ku ka pasur zvarritje të procesit të fiskalizimit derisa kemi gjetur faktorë që ofrojnë pajisje speciale për këtë degë të industrisë.

EO: A janë ulë çmimet e arkave fiskale?
Imeri: Pikërisht kjo ka qenë ngecje e fsikalizimit tani kemi më shumë operator që ofrojnë pajisje fiskale. Janë tre operator që ofrojnë sisteme fiskale se derivatet e naftës pajisjet e tyre i kanë më specifike më të shtrenjta dhe më delikate përmes sistemeve fiskale, janë tre operator dhe çmimet automatikisht ka rënë dukshëm. Tani nuk ka asnjë arsye që tatimpaguesit të kenë ngecje, bile ka edhe deklarime publike se këtë proces e përkrahin Shoqata e Naftëtarëve, por edhe kompanitë, sepse kemi një trend shumë pozitiv. Vetëm këtë periudhë të këtij viti kemi një proces të mirë, janë fiskalizuar 307 biznese me pajisje fiskale nga të cilat 169 janë pajisje të thjeshta fiskale dhe i kemi 39 sisteme fiskale, d.m.th kemi një trend pozitiv sa që konsiderojmë që ky aktivitet do të mbyllet pa procese shtesë nga Administrata Tatimore në mënyrë vullnetare nga ata që duan të fiskalizohen.

EO: Drejtor a po luftohet ekonomia joformale ne Kosovë, nëse kjo po bëhet atëherë në çfarë mënyre?

Imeri: Njëra prej përgjegjësive përcaktuara me ligj për Administratën Tatimore të Kosovës është luftimi i ekonomisë joformale. Studimet që janë bërë për efektet e ekonomisë joformale janë shqetësuese, sepse deri në nivelin 30% del se është prezent ekonomia joformale. Ne kemi dy dokumente bazë në të cilat edhe i kryejmë aktivitetet në terren për luftimin e kësaj dukurie. Është Plani i Punës dhe Plani i Trajtimit të rreziqeve. Përmes planit të trajtimit të rreziqeve kemi parashikuar edhe rreziqet e mundshme që janë dukuri tek tatimpaguesit që te kenë më shumë ngecje në përmbushjen tatimore, qoftë vullnetare, qoftë në të përgjithshmen e tatimpaguesve dhe e zhvillojmë pa ndërpre në tërë Kosovën.

EO: A ka Administrata Tatimore inspektor të mjaftueshëm?

Imeri: Inspektor kurrë nuk ka mjaftueshëm, sepse kemi një zhvillim në disproporcion me mundësitë e zgjedhjes së stafit brenda ATK-së. Ne kemi një numër të kufizuar, kemi aktualisht 785 zyrtarë në ATK, 70 për qind e këtyre zyrtarëve janë të kyçur në raport me tatimpaguesit, ndërsa 30 për qind janë në shërbime të përbashkëta në procese të brendshme që mbështesin këtë 70 përqindëshin që janë të angazhuar, prej tyre 340 i kemi drejtpërdrejt në vlerësime, kontrolle dhe aktivitete përmbushëse.

EO: E dimë që ATK-ja dhe Dogana do të bashkohen, kur do të ndodhë kjo dhe a do të ketë vështirësi në këtë proces?
Imeri: Projekti i bashkimit të ATK-së dhe Doganës në një agjenci të vetme është një projekt që ka filluar më herët por në mënyrë intensive është punuar në dy vitet e fundit. Është një grup koordinues, i cili koordinon aktivitetet për procesin e bashkimit, pastaj ka disa nëngrupe që kanë punuar në dokumente konkrete, është draftligji, i cili është i gatshëm që të shkojë në qeveri për miratim dhe ai është dokumenti bazë që i hap rrugën procesit të bashkimit. Procesi i bashkimit, ideja ka qenë që të fillojë në korrik të këtij viti, por ka edhe një mbështetje nga FMN-ja me ekspertë të cilët në raportin e fundit kanë rekomanduar që procesi real i bashkimit të fillojë me 1 janar të vitit 2018, unë besoj që do të bëhen të gjitha përgatitjet edhe miratimi i ligjit dhe zgjedhja e drejtorit të agjencisë dhe fillimi real i procesit të bashkimit. Procesi i bashkimit sigurisht që do të jetë një proces i vështirë, është proces që i prek të dy institucioneve, por është proces që prekë direkt tatimpaguesit, sepse burokracitë aktuale që janë në dy institucione, reduktohen në një agjenci të vetme, ofrimi i shërbimeve bëhet në një agjenci të vetme, vlerësimet analiza e rriskut kontrollet, të gjitha këto janë procese që reduktohen në raport me tatimpaguesit, dhe në një të ardhme sigurisht që do të jetë më e favorshme për stafin që është brenda agjencisë. Aktualisht nuk preket stafi, sepse ka mungesë të stafit edhe në tatime edhe në Dogana, por në të ardhmen me automatizimin e procesit sigurisht se do të ketë reduktim të stafit, por edhe ngritje të efikasitetit për tatimpaguesit.

EO: Shumë institucione nuk kanë qasje në veri të vendit, a ka qasje ATK-ja atje dhe a ka probleme për ta ushtruar funksionin?
Imeri: Sigurisht se ka ndonjë problem, por ATK-ja i ka të inkuadruar zyrtarët serb dhe ata e kanë më të lehtë qasjen, por edhe ato ndoshta ka raste të ndonjë tatimpaguesi kur nuk janë të mirëpritur, por nuk kemi ndonjë refuzim që i ka krijuar ATK-së telashe në veri.Ne kemi një ekip prej 15 zyrtarëve që i kemi me marrëveshje të Brukselit, kemi bërë përzgjedhjen e atyre zyrtarëve që janë të nevojshëm edhe për t’i kyçur strukturat paralele, por edhe për me i përgatitur dhe edukuar për kryerjen e funksioneve tatimore, sepse janë funksione ma specifike, dhe më të rëndësishme në efekt të hyrave të buxhetit të shtetit. /Telegrafi/