0Shares

Kimete Konjusha-Dida, ështe arsimtare në Shkollën fillore “Ismail Qemali” të Prishtinës. Ajo, i qëndroi besnike ditarit dhe arsimit kombëtar për dyzet vjet me radhë. Sepse, edukimi është vet jeta, është lëvizja nga errësira në dritë, një mbrojtës i lirisë. Kimete Dida, mban epitetin, mësuesja më e mirë në Kosovë, e vlerësuar nga MASHT!

Vlera e mësuesve dhe pesha e qiellit nuk mund të maten kurrë, sepse dija është flori, kurse padituria, turp! Ndonëse mësuesja Kimete, kohën e ka me kimet, ajo, megjithatë gjeti kohë për këtë intervistë, të cilën po e botojmë në tërësi dhe pa e cenuar origjinalitetin e saj.

Intervistoi: Shaqir Foniqi

Qe dyzet vjet jeni me ditar në dorë. Ju bën kjo krenare? Sigurisht për këto dyzet vjet keni nxjerr shumë gjenerata me të cilat mburreni?

Po, e vërtetë, gjithmonë më bënë të ndjehem shumë e lumtur dhe plot krenari kur takoj nxënësit e mi dhe jam e sigurt se ata kanë merituar çdo sekondë të angazhimit tim si mësuese, për shkak të punës që e bëjnë ata, për kulturën dhe edukatën që e përhapin në rrethin e tyre. Mësuesi kurrë nuk mund të bëhet i pasur, por respekti që ndien kurdo që takon një ish-nxënës të tij, dhe krenaria që ndien për sukseset e nxënësve të tij, është një shpërblim i madh shpirtëror, që nuk krahasohet me asgjë tjetër ne botë.

Kush iu ka cytur që të bëheni mësuese dhe a jeni penduar ndonjëherë?

Në rend të parë, familja ime më ka dhënë edukatën, veçanërisht babai im që ka qenë një njeri i urtë, i mençur dhe mbi të gjitha arsimdashës. Jo vetëm në mua, por edhe brenda tërë familjes së ngushtë dhe të gjerë, tërë rrethit ku ka jetuar dhe punuar, ai ka përhapur dëshirën dhe pasionin për arsimim, edukim dhe emancipim. Ky pasion, që është përcjellur edhe në mua, vazhdon të jetë frymëzim i pashterur për punën time në shkollë. Natyrisht, edhe një numër arsimtarësh e profesorësh, që kam pasur nderin të jem nxënëse dhe studente e tyre, kanë pasur një ndikim të fuqishëm për formimin tim si edukatore. Të përmendi vetëm disa: Mësuesja ime Nybevete Drini, Lirije Tanefi, Seniha Hashimi, Pranvera Badivuku, Shkelzen Gashi, Demë Cukaj, Skender Vërshevci, Enver Xhara, Mehdi Këpuska e shumë të tjerë.

A jam penduar? Jo, nuk kisha thënë kështu, sepse jeta të duket e bukur dhe me plotë gëzime kur e mbushë me punë dhe aktivitete që janë gjithnjë në dobi të rinisë, komunitetit, shtetit tonë të ri, Kosovës dhe kombit shqiptar. Andaj, pikërisht kjo ka rëndësi shumë më shumë se sa profesioni që ke zgjedhur. Po ta kisha zgjedhur një profesion tjetër, përsëri do të përpiqesha të bëjë po të njëjtën gjë, të jepja nga vetvetja, me krejt forcën që kamë, që këtë vend ta bëjmë së bashku një vend të bukur për të gëzuar jetën.

Duket se kryeni një mision të shenjtë, por a jemi ne si shoqëri të përgatitur për këtë mision?

Po, misioni i mësuesit është vërtetë i shenjtë, sepse edukimi është fondamenti i shoqërisë njerëzore. Gjatë historisë së kombit shqiptarë hasim në shembuj të jashtëzakonshëm të mësuesve, veçanërisht në periudhën madhështore të Rilindjes kombëtare. Tregimet si ai në filmin “Udhëtimi i shkronjave”, tregojnë për rëndësinë që i kanë dhënë arsimimit pishtarët e arsimit shqiptarë. Unë mendoj se për neve, shqiptarët, “udhëtimi i shkronjave”, të shprehem ashtu figurativisht, ende vazhdon, sepse kombi ynë është duke ngecur në fushën e arsimit në krahasim me kombet e përparuara. Shikoni se çfarë reformash radikale janë duke u bërë në Finlandë, Japoni, Singapor etj. Ne kemi shumë për të mësuar nga këto eksperienca botërore, veçanërisht tash kur teknologjia informatike, Interneti dhe kompjuterët janë bërë pjesë e pandarë, do të thosha, e domosdoshme e proceseve të edukimit në botë.

Cila është metoda juaj, nëse ashtu mund ta quajmë, e qasjes suaj ndaj nxënësve?

Nxënësit e mi janë 10-15 vjeçarë, në moshën më kritike të tyre, kur rruga e jetës së tyre merr një drejtim të caktuar dhe zhvillohet me vrull. Nëse në këtë moshë shkojnë rrugës së gabuar, do ta kenë shumë të vështirë të kthehen në drejtim të duhur. Andaj, kjo është një sfidë e veçantë për mua dhe për çdo mësues. Çdo nxënës ka nevojë për mbështetje të veçantë, sepse secili prej tyre ka personalitet dhe karakter të veçantë. Me nxënësit e mirë duhet të merresh me kujdes ashtu që të nxisësh potencialet që ata kanë, ti inkurajosh të vazhdojnë edhe më me angazhim në rrugën e drejtë që ata kanë marrë. Mirëpo, me nxënësit “problematik” duhet edhe më shumë angazhim dhe përkushtim, sepse ata shumë lehtë mund ta shkatërrojnë jetën e vetë dhe të familjes së vet dhe mund të shndërrohen në një rast të humbur për shoqërinë.

Për të arritur efekt te nxënësit, unë atyre ju afrohem në mënyrë shumë direkte, flas hapur me ta për gjithçka, si shoku me shokun. Unë kamë shumë kujdes që raportin dhe komunikimin me nxënës ta bëjë në mënyrë të afërt dhe shoqërore, sepse kështu e fitoj besimin e tyre. Ky është çelësi i suksesit tim me nxënësit, pra unë bëhem shoku më i mirë i nxënësit, që din të kuptojë hallet e tij dhe din të japë këshilla dhe të gjithë ndihmën e mundshme që nxënësi të tejkalojë problemet e veta dhe të ecë përpara. Janë të shumta rastet kur nxënësit problematik janë kthyer në nxënës të sjellshëm bile edhe shumë të suksesshëm, dhe me ta kamë një komunikim të vazhdueshëm edhe pasi e përfundojnë shkollimin. Takimi me ta është gjithmonë tejet mallëngjyes, ata më përshëndesin e më përqafin me mallëngjim dhe kjo më jep shumë kënaqësi si pedagoge dhe si njeri.

Unë në rini kam qenë hendbolliste dhe ndoshta që atëherë kamë mësuar të punojë në ekip, të krijojë raporte të besimit dhe respektit me bashkëlojtaret e mia, ashtu si bëjnë zakonisht sportistët, të respektoj fair-playin si në sport ashtu edhe në jetë. Ky është stil i jetës sime: të dish të punosh së bashku, ti gëzohesh suksesit të tjetrit dhe suksesit të përbashkët, ta ndash edhe dëshpërimin së bashku dhe në fund edhe ta gëzosh jetën së bashku me familjen por edhe me komunitetin tënd më të gjerë.

Në fund dua të përmend edhe shokun tim të jetës Agronin që është një pedagog i shkëlqyeshëm dhe i dashur nga studentët e shumtë që i ka pasur gjatë karrierës së tij universitare. Për ne, edukimi është temë e përditshme dhe e pashtershme, sfidë intelektuale dhe burim frymëzimi. Ky komunikim na pasuron dhe na jep vetëbesim, që të ballafaqohemi me sukses me problemet që na dalin në punën tonë si pedagogë. Nga një mësues i mirë gjithmonë kërkohet që të jetë kreativ, të hapë shtigje të reja, në mënyrë që të jetë mbështetje e fortë morale dhe burim frymëzimi për nxënësit e vet.

Poashtu, duket se ky profesion, sikur është i lindur për femra (edhe mësueset e para ishin motrat Qiriazi nga Korça)?

Pajtohem me juve se femrat janë edukatore të lindura dhe shembulli i juaj i motrave Qiriazi vërtetë e tregon këtë. Nëna është edukatore e pazëvendësueshme dhe kjo është në përgjithësi në natyrën njerëzore. Mirëpo ne si shoqëri, ende duhet të investojmë që të shfrytëzojmë këtë potencial të madh që kanë femrat për edukimin e brezave të reja, ashtu si ka thënë Sami Frashëri, ky shkencëtarë dhe filozof i madh i Rilindjes sonë kombëtare: “Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij.”

Keni një përvojë të madhe në arsim. A mund të tërhiqni një paralele; si punohej dikur dhe si punohet sot?

Një e veçantë e punës në arsim para çlirimit nga okupimi serb është periudha 10 vjeçare e sistemit paralel arsimor që funksiononte në Kosovë atëherë. Ne arsimtarët, me punën tonë nëpër shtëpitë shkolla, i treguam mbarë botës se nuk e duam shtetin e Serbisë, nuk durojmë të na imponohet gjuha dhe kultura e huaj, por e duam gjuhën tonë, kulturën dhe muzikën e artin tonë dhe jemi krenarë me identitetin tonë shqiptar. Ky ishte një plebishit i llojit dhe përmasave të papara që ndodhte në Kosovë për një dekadë radhazi dhe që u admirua nga bota e qytetëruar, që në fund, duke përdorur forcën e ushtarake të aleancës së NATO-së, na ndihmoi që ta gëzojmë lirinë dhe ta kemi shtetin tonë Kosovën. Kështu, u realizua ëndrra e gjeneratës sonë, e prindërve tanë dhe e shumë brezave përpara që vuajtën dhe luftuan për këtë ditë që ne tash e gëzojmë.

Tash gjeneratat e reja duhet ta ndërtojnë shtetin dhe shoqërinë tonë dhe, si ka pasë thënë Presidenti Clinton, në fjalimin e tij në Prishtinë, kjo detyrë e ndërtimit do të jetë një punë më e vështirë për ta bërë se sa që ishte intervenimi ushtarak që ata e bënë. Edhe përkundër sfidave të mëdha të shtet-ndërtimit, që i kemi përpara, jam e bindur se gjenerata jonë e re do t’ia dalë ta sendërtojë ëndrrën tonë të lirisë për të cilën, gjenerata jonë bëri aq sa ishte e mundur dhe të cilën historia do ta vendosë në piedestalin më të lartë të merituar.

Ju jeni autore dhe bashkëautore e tetë librave të punës së dorës dhe teknologjisë. Cilat ishin sfidat me të cilat u ballafaquat gjatë kësaj pune interesante krijuese?

Në një bisedë fare të rastësishme, kuptova se MASHT është duke përgatitur konkursin për librat shkollor edhe në lëmin e punë dorës dhe teknologjisë, pra në lëndën time, dhe atëherë vendosa ti hyj kësaj pune. Ashtu e entuziazmuar, i propozova Agronit që së bashku ta bëjmë librin për punë dore për klasën e parë. Mendova se ai do të mund të jepte një kontribut të mirë për shkak të eksperiencës pedagogjike universitare që e ka, por për befasinë time, ai nuk pranoi. Më jepte arsyetime gjithfarëshe; thoshte se edhe ashtu ka shumë punë dhe se konkursit nuk i dihet asnjëherë dhe dikush tjetër mund të dalë më i zoti dhe puna jonë do të shkonte kot etj.

Mirëpo, me gjithë dëshpërimin që në hapin e parë, unë vazhdova të jem këmbëngulëse dhe shumë shpejt i binda koleget e mia, Ymrane Rekën dhe Beglije Cukajn të punojmë së bashku dhe të provojmë forcat tona në këtë konkurs. Doli që libri ynë fitoi dhe kjo ishte një gëzim i madh për ne autoret e librit. Një meritë të veçantë për librin e ka edhe disenjatori i ilustrimeve dhe figurave, Ylber Cërvadiku, që i punoi ato me një mjeshtëri të rrallë, me një sens të jashtëzakonshëm për imazhin fëminor, të afërtë me moshën e fëmijës dhe plot kolorit të bukur. Librat tjerë pasuan njëri pas tjetrit, dhe gjithnjë me ekipe të ndryshme autorësh, ku u përfshinë edhe Vjollca Komoni, Enver Hamiti dhe Arbnor Pajaziti, që të tre profesorë universitarë. Më vonë na u bashkua edhe Agroni, si bashkautor në dy libra të ciklit më të lartë (mezi ia kamë falë refuzimin që më bëri që në fillim). Me sa kamë informacion, këta libra janë pritur shumë mirë nga recensentët, nxënësit dhe arsimtarët.

Përveç punës në shkollë, ju keni edhe një angazhim interesant; portalin edukativ zgjoi.com. Na thuani disa fjalë për këtë projekt.

Po, që prej më se dy vitesh e kamë një angazhim vullnetarë që e bëjë me dëshirë dhe pasion së bashku me Agronin. Në janar të vitit 2014, pas një përgatitjeje gati njëvjeçare, ne e kemi publikuar në Internet portalin edukativ zgjoi.com, që tashmë është bërë shumë i popullarizuar ndër nxënës, studentë e arsimtarë, por edhe audiencë tjetër të dashamirëve të shkencave natyrore-teknike. Portali është një përmbledhje bukur e gjerë e videove, me mbi dymijë sosh, me përmbajtje edukative, të punuara mjeshtërisht dhe me efekte vizuale atraktive, nga lëmenjtë e shkencave, matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe teknologji.

Këto video janë të hapura për përdorim falas dhe mund të shërbejnë si materiale edukative të shkëlqyeshme për nxënësit, që pas shkollës mund të plotësojnë dijenitë e tyre duke shikuar videot që i gjejnë në portal. Unë dhe Agroni punojmë çdo ditë në përzgjedhjen e videove të reja atraktive nga Interneti të cilat i sistemojmë sipas lëndëve përkatëse, sipas vitit shkollor (1. deri 9.) dhe sipas plan-programit aktual mësimor të arsimit kosovar.

Videot e portalit tonë janë një thesar i vërtetë edhe për mësimdhënësit, të cilët mund ti përdorin në klasë (duke përdorur laptopin dhe projektorin) për të ilustruar, konkretizuar me shembuj, problemet matematikore, duke paraqitur video për bimët dhe kafshët e deri te anatomia e njeriut që mësohet në lëndën njeriu dhe natyra e biologji. Pastaj aty ka video me demonstrime eksperimentale nga fizika ose kimia, dokumentarë shkencorë të cilësisë së filmave të Hollywod-it etj. Së fundi, duke parë videot në zgjoi, nxënësit tanë kanë filluar të paraqiten me videot dhe animacionet që i kanë bërë vetë dhe kjo është diçka shumë e bukur. Ato video janë origjinale dhe të bëra në gjuhën shqipe dhe si të tilla kanë shumë vlerë për nxënësit tanë, andaj ne i publikojmë menjëherë duke ju dhënë hapësirën e merituar në portal. Kështu, fëmijët tanë e shohin vetë se janë po aq të zotë sa janë të gjithë fëmijët tjerë nga mbarë bota. Ata mësojnë se si bëhet prezantimi i një teme, si përpunohet videoja, si publikohet në YouTube dhe në fund e shohin se sa veta e kanë parë dhe pëlqyer videon e tyre. Këto video, kohëve të fundit po arrijnë rekorde të shikueshmërisë që shpesh kalojnë shifrën e njëmijë shikimeve!

Krahas kësaj, unë e praktikoj që këto punime vetanake, nxënësit e mi ti prezantojnë para shokëve e shoqeve të klasës, së bashku me prindërit e tyre, në fund të secilit gjysmëvjetor. Mu tash, portali zgjoi.com “vlon” nga punimet e nxënësve, si zgjoi i bletëve. Për tu bindur edhe vetë, hyni në portal dhe shikoni!

Meqë jemi në prag të Shtatë marsit, ditës së mësuesit, por edhe Tetë marsit, ditës së grave, cili do të ishte urimi juaj për këto dy data të rëndësishme?

Ne arsimtarët dhe ne femrat jemi ato që presim urime prej të tjerëve. Por jo vetëm urime të thata. Ne presim që në rend të parë institucionet tona shtetërore të bëjnë më shumë për përparimin e arsimit. Ne presim reforma rrënjësore dhe të menduara mirë, që do ta bëjnë arsimin tonë më cilësor në përgjithësi, më bashkëkohor dhe më të fokusuar kah nxënësi që do të jetë pjesëtar dinjitoz i shoqërisë sonë, pjesëtarë i edukuar, i moralshëm, kreativ dhe i dijshëm, që do të jetë i aftë të përballohet me sfidën e madhe të konkurrencës dhe pajtueshmërisë me standardet e botës së përparuar. Përndryshe, do ta humbim hapin me kohën dhe nesër do të jetë edhe më vështirë se sot.

Vitin e kaluar nga MASHT jeni shpallur mësuesja e vitit. Është një nder ky çmim për ju dhe sigurisht një motivim shtesë?

Po, ishte një gëzim i madh për mua, për kolegët dhe nxënësit e mi. Në fakt, u gëzova sepse kjo erdhi si befasi për mua. Nuk e kisha idenë se dikush është duke përcjellur dhe e vlerëson punën time në nivel aq të lartë.

Natyrisht, ky respekt i shprehur botërisht ndaj punës sime, është një motivim i madh dhe një sfidë shtesë e fuqishme që më bënë të mendoj për të bërë edhe më shumë për nxënësit, shkollën, atdheun tim Kosovën dhe kombin tim shqiptar. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)