LAJMI I FUNDIT:

Zjarri që vjen nga bota e ftohtë

Zjarri që vjen nga bota e ftohtë

Kompleksiteti fillestar i krizës në Ukrainë, është i lidhur me krizën e thellë ndëretnike dhe politike, por edhe me krizën ekonomike dhe shtetërore të cilën pak a shumë, e shkaktoi qeverisja e pamëshirshme dhe diktatoriale e ish presidentit Janukoviq, figura e të cilit në krye të shtetit relativisht të madh eurolindor, degjeneroi katërçipërisht. Janukoviq, sipas gazetarit Timothy Snyder (NYT), ishte shndërruar në një oligark, e që kishte ndërtuar një pushtet me elemente të qeverisjes diktatoriale. Nga e mori dhe, si e konsolidoi gjithë këtë fuqi në duart e tija Janukoviq?

Liderët politik popullorë krijohen në situata latente dhe dalin si të identifikuar – karizmatik prej krizave të ndryshme popullore dhe qytetare, kurse pushtetarët e karrierës ex katedra, rëndom ngjiten shkallëve të pushtetit të ndihmuar qoftë nga shkathtësia e tyre dhe përkrahja e ndonjë mëkëmbësi, apo qoftë edhe nga ndonjë forcë konspirative. Nuk ka dyshim që Janukoviq, i takon të dytës, pra ka qenë produkt i “forcës konspirative” që i ka ardhur nga jashtë Ukrainës. Kjo forcë, i ka mundësuar atij që të ngjitet deri në maje të pushtetit. Brenda një katakombe plotë frymë perfiditeti dhe konspiracioni, Janukoviq, duket që i ka tjerrë mirë e mirë fijet e sundimit të tij, padyshim me dorë të fortë qeverisjeje.


Grumbullimi dhe mbikëqyrja e pushtetit legjislativ, pastaj edhe e pushtetit ekzekutiv, kapja e mekanizmave administrativ dhe të sigurisë, kapja e buxhetit të shtetit etj., i kanë mundësuar Janukoviqit që, jo vetëm ta hedhë në pranga dhe ta qojë drejt shtratit të vdekjes ish kryeministren pro perëndimore Julia Timoshenkon, por edhe ta shndërrojë Ukrainën pothuajse në një pronë private me prerogativa të qarta që ta vazalizojë sa më shumë pushtetin nën diktatin rus. Janukoviq, sipas fakteve të deritashme që kanë dalë në opinion, jo vetëm që e kishte kontrolluar shtetin nga aspekti politiko-administrativ, por edhe e kishte plaçkitur pa dhimbje dhe përmes një grupi njerëzish që ose kishin qenë ose miq të tij të ngushtë, ose familjarë: “I biri i tij dentist, papritur u bë një nga njerëzit më të pasur në Evropë. Dhjetëra miliarda dollarë, thjeshtë u zhdukën nga buxheti shtetëror. Janukoviq ndërtoi për vete një numër shtëpish ekstravagante, mbase më të shëmtuarat në historinë e arkitekturës”. (Timothy Snyder: Mjegulla e propagandës në Ukrainë. Gazeta Koha ditore. Datë: 05.03.2014, fq.11. Prishtinë).

Janukoviqi dhe Putini: Figurat duale të tjerrjes së krizës ukrainase

Nga historia e klasave të oligarkëve dhe diktatorëve, mësojmë që shumica e tyre jo vetëm nga pikëpamja fizike ( ky, s’është qëndrimi im racist për homo sapiensin), lindin dhe vijnë në këtë botë që të ndjekin filozofinë e shëmtuar të vizionit për ta deformuar hapësirën rrethuese, vetëdijen dhe lirinë e shumicës ashtu si edhe jetën e organizuar, shtetin, ekonominë, madje edhe vetë zotin e madhërishëm! Një qeverisje injorante me petk demokratik e Janukoviqit (ai, nuk i takonte klasës së diktatorëve të deformuar fizikisht), sipas gazetarit Snyder, ishte kthyer në një pushtet reaksionar. Por ky pushtet i këtillë në anën tjetër, sipas ligjeve historike destinohej të përfundonte tragjikisht, dhe në fund të fundit edhe s’mund të kishte tjetër fat. “Është vështirë ta kesh tërë pushtetin dhe tërë paratë në të njëjtën kohë, për shkak se pushteti vjen nga shteti, dhe shteti duhet të ketë një buxhet”, ka theksuar në analizën e tij jashtëzakonisht interesante për ngjarjet në Ukrainë, gazetari i NTY-së, Snyder.

Janukoviq, e kishte përvetësuar pa të drejtë dhe në kundërshtim me ligjet demokratike gamën e legjislacionit, dhe mënyrën e zbatimit të tij. Pra, brenda fatit personal të prodhuar nga absurditeti dhe vasaliteti qeverisës, Janukoviq duket se e ka shtyrë popullin e Ukrainës t’i mbushë rrugët. Shumica padyshim, e kishte ndjerë në palcë dhimbjen ekonomike, refleksionin e hapur të politikës diktatoriale dhe krizën e mundshme të falimentimit të shtetit. Edhe ashtu, Ukraina se ka marrë veten si duhet pas daljes nga ish BRSS, dhe është ballafaquar me probleme të rënda politike dhe ekonomike. “Revolucioni i portokalltë” në krye me Jushqenkon, i cili ishte helmuar me lëndë kimike nga shërbimi i fshehtë rus dhe mezi kishte shpëtuar, s’arriti ta nxjerrë Ukrainën nga ndikimi dhe influenca ruse! Gazetari anglez, Matthew Parris, në një tekst lidhur me krizën në Ukrainë, shkruan: “Kur vizitova Ukrainën para dhjetë viteve më parë, fitova përshtypjen se ai shtet përballej me një situatë të pakëndshme për shoqërinë, ngecjet në sektorin e bujqësisë, të blegtorisë, industrisë, tregtisë, minierave dhe infrastrukturës. Ukraina, ende ka mbetur njëri nga shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik që ka ekonominë më së paku të zhvilluar.”

Ngjarjet e vjeshtës 2013, rrodhën mjaft turbullueshëm. Por, jo deri në një shkallë të lartë acarimi. Kështu së paku, ishte përshtypja e jashtme nga ajo që publiku dhe opinioni i gjerë shihte në këtë vend. Mirëpo, Ukraina kishte muaj të tërë që vlonte nga protestat dhe nga kriza e brendshme politike. Gjykimi i ish kryeministres Timoshenko dhe gjendja e saj e keqësuar shëndetësore, ishte pasuar me daljen e protestuesve të shumtë dhe të cilët, edhe pse mbretëronte të ftohtë i acartë, nuk ishin tërhequr nga rruga. Populli, e kishte nuhatur murin e greminës tek po hapej tek këmbët e tij. Janukoviq, nuk kishte dhënë shenja se ishte duke e shtyrë edhe vetën e tij jo vetëm drejt greminës, por edhe drejt rrugës pa kthim. Me apo pa vetëdije, kjo do të mësohet një ditë. Sido qoftë, dyndja e ngadaltë e mijëra njerëzve të cilët s’po hiqnin dorë nga rrëzimi i diktatorit në mes të sheshit të Lirisë në Kiev, nuk ishte shenjë frikësuese se Janukoviqi, do të tërhiqej ose do ta shtensiononte situatën. E ai, mundte dhe, duhej ta bënte një gjë të këtillë.

Populli i lodhur dhe i ndarë politikisht, nuk shihte përmirësim të gjendjes. Për muaj të tërë, Janukoviqi qëndroi indiferentë dhe në periferi të krizës të cilën, me gjasë e ndihmoi jashtëzakonisht shumë dhe me perfiditet që të thellohej frikshëm. Janukoviq, kishte kohë që binte e zgjohej me sy nga portat e kështjellës në Moskë, vasal i së cilës nuk dukej të ishte bash rastësisht! Në anën tjetër, Janukoviqi e dinte prej kohësh se edhe ata që e kalonin ditën dhe natën në qiellin e hapur në qendër të kryeqytetit, dhe të tjerët gjithandej Ukrainës, qëndronin me sy kah portat e kështjellës në Bruksel. Por, deri sa i pari po e luante lojën e tjetërkujt, të dytët ishin mbështetur për muri nga pasiguria, varfëria dhe nga skllavërimi gjithnjë e më shtrëngues i pushtetit të Janukoviqit. Protestat që filluan në vjeshtë të vitit 2013, u përhapën edhe më shumë gjatë janarit dhe shkurtit, 2014. Masa e madhe e njerëzve që nuk po përfillej nga Janukoviqi, në të vërtetë veçse po satanizohej prej tij, veç dëbimit të presidentit reaksionar kishte edhe një kërkesë tjetër kruciale: kthimin përfundimtar të Ukrainës kah Brukseli, që do të thotë kah Evropa. (Pamja e njerëzve që jetojnë në lindje të Dnieprit, është shumë e ndryshme nga ajo e protagonistëve të revoltës: aktivistët nga Lviv, qyteti që u aneksua në vitin 1944 nga Galicia, e ka shumicën e banorëve katolikë të bashkuar, sesa ortodoksë).

Për ukrainasit e vërtetë dhe pro evropian, kthimi kah Evropa në çdo drejtim, ishte (tashmë) një çështje jetike. Kishte shumë faktorë kulturo-historik dhe politik që i shtynin ukrainasit të përcaktoheshin për një hap të këtillë, mirëpo zhytja e tyre në varfëri të thellë dhe qeverisja kaotike-diktatoriale e Janukoviqit, u kishte hequr çdo dilemë: Evropa, ishte kthyer në një zhgjëndërr të bukur për ta. Përballë këtij orientimi të fuqishëm ultra-evropian në Kiev, ujku i stapeve Janukoviq, e kishte forcuar pushtetin dhe po e thellonte gjithnjë e më shumë humnerën për ta hedhur aty, secilin që do t’i dilte përpara! Jo rastësisht, Ukraina ishte mbërthyer nga kriza e thellë politike dhe ekonomike, historike, kulturore etj. Tërheqja apo vazalizimi nga Moska, i kishte tmerruar gjeneratat të cilat, e kishin përjetuar jo vetëm aromën e “luleve të kuqe socialiste”, jetën e kolkozeve dhe të kampit policor e ushtarak sovjetik, por edhe krajatën e çmendshme në radhët e armatës pushtuese ish sovjetike (ruse) në Afganistan (1979). Në retrospektivë, mund t’i kujtojmë pamjet e frikshme që duket se nuk kanë qenë të rastësishme të “murit të protestuesve anti-janukoviq”: një mur prej sfiduesish të përbërë kryesisht nga gjeneratat e vjetra.

Terrori dhe skllavërimi me siglën “Janukoviq”, s’ishte e keqja më e madhe! E keqja më e madhe dhe më e rrezikshme për Ukrainën, ishte ndarja pa kthim e saj në dy taborë: në qytetarë me preferenca dhe bindje pro perëndimore, dhe me qytetar me preferenca dhe bindje pro lindore, më saktë pro ruse. Republika parlamentare dhe gjysmë presidenciale e Ukrainës, po ndahej edhe fizikisht në dy botë! Urat e bashkëpunimit të dikurshëm historik që lidheshin me bazamentin politik dhe shtetëror, sistemi konstitucional (Kushtetuta, simbolet, flamuri, ndërtesat publike qeveritare), korpuset kulturo-historike, gjuha etj., po rrënoheshin gjithandej, me shpejtësi. Shteti me një popullsi prej 44.600.000 banorë prej të cilëve 77.8 % ukrainas, 17% rus etj. dhe me një territor të madh prej 603.628 kilometra katror, po ecte po ashtu me shpejtësi edhe drejt ndarjes gjeografike perëndim – lindje. Për fat të keq, imazhet reale të ndarjes së padëshiruar të ukrainasve të lodhur nga gjendja politike dhe ekonomike dhe nga vazalizimi tashmë i provuar gjatë periudhës sovjetike, po shfaqeshin në horizont edhe sipas një kufirit natyral ( Lindja dhe perëndimi i Ukrainës, përshkohen me një linjë ndarëse të përbërë prej dhjetëra liqenesh që shtrihen në vijë vertikale dhe që e përshkojnë relacionin: Kiev – në veri të vendit, Gherkasy dhe Dnepropetrovski në qendër të vendit, dhe Kherson – në jug të vendit ).

Rreth kësaj linje, duket ta ketë pasur mendjen jo vetëm Janukoviqi por edhe bosi i tij në Kremlin. Lidhur me këtë pikë esenciale, do të flasim si më poshtë ndërkaq, shteti i fushave të pafundet dhe i eksportit global të bukës (drithërave), për fat të keq bart mbi supe një histori luftërash e kontekstesh të thella, dhe tragjike. Prandaj, bartë mbi supe edhe një histori të çuditshme pavarësie: prej vetëm 23 vitesh! Duke mos u marrë në këtë analizë me të kaluarën kulturo-historike të Ukrainës, ky shtet është sot një republikë parlamentare me pushtete të ndara. Ukraina, ka edhe një sistem gjysmë presidencial. Ndërsa, rregullimi i brendshëm administrativ, përfshinë një ndarje prej 24 regjionesh dhe një republikë autonome. Kjo republikë autonome, është Krimea.

Në kontekst të gjendjes së djeshme dhe të sotshme, shtrohet pyetja: a ka hyrë Ukraina e sotshme në korniza të historisë e djeshme tragjike duke mos pasur shumë ide se, si të dal prej vrazhdësisë së tyre? Në ditët e fundit të muajit shkurt 2014, dy kokat e shqiponjës së bardhë mbi fushat e pafundme sipri Baltikut, ishin duke e tërhequr njëra-tjetrën për jetë a vdekje. Tërheqjen e Ukrainës drejt Brukselit, e kishte mbërthyer ideja politike- kulturore pro evropiane dhe e rreshtimit në gjirin e Brukselit – në besim edhe të përkrahjes ekonomike, kurse tërheqjen e Ukrainës drejt Moskës, e kishte mbërthyer zhgani historik dhe etnik – në besim të gjetjes dhe ribashkangjitjes amës së dikurshme – Rusisë. Me gjasë, ishte pikërisht Rusia, ajo që po e gjente jo “fëmijën e dikurshëm të humbur” por, alibinë e gatshme dhe rastin për ta tërhequr gjysmën e Ukrainës, nën sqetullën e saj. “Krimea, nuk është ajo që dëshiron Rusia. Ajo kërkon shumë më tepër. Plani “Rusia e re” i përgatitur në Kremlin, i punuar në detaje, synon të ndajë në një shtet më vete, të “bashkuar” me Federatën Ruse, të gjithë territorin në lindje të lumit Dniepër. Ky territor Trans-Dniepër, është shumë herë më i madh sesa Republika Trans-Dniestr, që rusët ia kanë shkëputur me sukses Republikës Moldave dhe e ruajnë ende edhe sot, por ndryshe nga kjo e fundit që u nda nga Federata Ruse nga territori ukrainas. “Rusia e re”, do të formojë një zgjatim jugor deri në Detin e Zi. Dniepri, si një kufi ndarës, ia jep Rusisë Krimenë duke përfshirë bazën e saj detare të pazëvendësueshme, por më tepër ka avantazhin e "rrethimit" të popullsisë që përfshin shumë rusë etnikë, shumë ukrainas rusisht-folës dhe shumë ukrainas që e shohin të ardhmen e tyre me Moskën, sepse jetesa e tyre varet nga firmat ruse, ose nga vetë Rusia. Putin mund të tërhiqet nga parimi Uillsonian i vetëvendosjes për të legjitimuar shtetin e vet. Së fundmi, “Rusia e Re” trans-Dniepër, mund të ketë ende Kievin si kryeqytetin e tre zonave (rajoneve) në lindje të lumit të madh, duke ua lënë ukrainasve Kievin e tyre si një kryeqytet historik. Putini mund të mburret për përmbajtjen dhe heqjen dorë nga Odesa, historikisht ruse, por në perëndim të Dnieprit”, ka shkruar Shekulli Online dhe ka raportuar Zëri i Kosovës (10.3.2014).

Rrjedha e ngjarjeve në Ukrainë, e ka ndjekur këtë shtrat! Ndarjen. Sipri rrjedhës, bosi i këtij plani presidenti rus Vladimir Putin, me gjasë, gjatë zhvillimit të krizës në Ukrainë, “ditën është marrë me përgatitjen e lojërave olimpike në Soçi, kurse gjithë natën, me përgatitjen e kaosit në Ukrainë.” Heshtja e tij që ka rënë në sy gjatë kohës së ngjarjeve në shtetin e tij fqinjë, qe thyer pak a shumë në vetëm dy raste: me një vizite të Janukoviqit në Kremlin, dhe me një ofertë huaje prej 15 miliard dollarëve (dhjetor 2013), për ta ndihmuar Kievin. Asnjë deklaratë e lidhur me trazirat, nuk është bërë nga Putini.

Relievi ndarës dhe prodhimi i skemave të rafinuara-subversive

Në ditët e para të marsit, në Ukrainë rishfaqet një gjendje ndryshe. Krejt ndryshe, para se të binte pushteti i Janukoviqit! Protestuesit e lodhur e të rrahur, janë larguar nga sheshi Maidan, dhe shumica e tyre kanë shkuar në shtëpi. Janë larguar sepse, Janukoviqi ka ikur nga vendi. Protestuesit që fituan simpati në mbarë botën, e kanë braktisur sheshin me fitore. Nuk kanë harruar që të sjellin lule, për të rënët. Por, duket të ketë qenë një fitore e Pirros. Pse? Në gadishullin autonom të Krimesë ( një territor prej 24 000 kilometra katrorë dhe me rreth 2 milion banorë: pjesë integrale e territorit ukrainas), ka ndodhur invadimi special i forcave ushtarake ruse. Ky akt intrigant-invaduese, ka shkaktuar një gjendje të re. De fakto, Ukraina e ka humbur sovranitetin në këtë pjesë të territorit të saj.

Nga kaosi i shkaktuar në rrugët e Kievit përgjatë disa muajve kalendarik 2013/14, ka dalë një përfitues goxha i papritur për opinionin ndërkombëtar: Moska. Dhe, “drama ukrainase” nuk është mbyllur: ajo po vazhdon. Aktet e saj, janë të ndryshme, kontradiktore. Si edhe për çdo ngjarje tjetër të këtillë me përmasa ndërkombëtare, mund dhe duhet të bëhen qasje, analiza etj. Në fund të fundit, mund dhe duhet të bëhen edhe llogari e bilance prej të cilave rëndom nxirren konstatime, rekomandime, rezultate të caktuara. Epo, ndonëse në Kiev siç e kemi parë ndodhi pak a shumë një lloj revolucioni popullor (Snyder) e që ky “revolucion” kishte si objektiv largimin e Janukoviqit (ai, la pas vete përplot fakte inkriminuese dhe oreolin e figurës së diktatorit reaksionar), ky i fundit, duket që nuk ka qenë edhe aq naiv. E pakta që mund t’i atribuohet atij, është fakti se Janukoviq, ka penetruar në konspiracion së bashku me presidentin Vladimir Putin. Duke penetruar, Janukoviqi, del të ketë qenë një eksponent apo edhe një regjent i Kremlinit. Një regjent, në krye të kupolës së pushtetit në Kiev.

Oxhaku i zjarrit në Kiev, për aq sa mund të kuptojmë dhe analizojmë ka pasur zjarrvënësit e koordinuar Kiev-Moskë, dhe thëngjillin nga stepet e Uralit. Janukoviq dhe Putini, kanë orkestruar rolet duale për ta hedhur Ukrainën në sarkofagun e vdekjes politike dhe ekonomike, si një rrugë e sigurt e realizimit të qëllimeve të tyre të caktuara. Mbi çka mund ta bazojmë këtë konstatim? E para, Janukoviq ka aktruar me kohë dhe me shumë sens, rolin e diktatorit real. Përmes këtij roli, ai ka përfituar për vetën e tij dhe, ka bërë një jetë prej sulltani. Në anën tjetër, e ka personalizuar dhe degjeneruar me vetëdije qeverisjen shtetërore ukrainase. Kësisoj, ai ka prodhuar krizë të brendshme politike dhe ekonomike. Në kontekst, duket që ky ka qenë misioni i tij. Pse? Atij, nuk i ka prishur fare punë rrënimi i buxhetit të shtetit, bastardimi i shtetit dhe i të drejtës! E dyta, e ka burgosur lideren e opozitës Timoshenkon, një ish kryeministre. Kështu, ai e ka mënjanuar pa të drejtë, rolon e saj opozitar. A, e dini se me ç’pretekst e ka burgosur? Julia T., është burgosur nga regjimi i Janukoviqit mbi bazën e akuzave për nënshkrimin e një marrëveshje gjoja korruptive për furnizimin e Ukrainës me gazin rus. Paradoksale, apo jo: pas ikjes, Janukoviqi është strehuar pikërisht në Rusi. E treta, Janukoviq, duke qenë një dorë e zgjatur e Moskës në zemër të pushtetit dhe të qeverisjes në Kiev, e ka aktruar gjakftohtë “sfidën” e refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjes tregtare me BE-në. Bile, edhe duke e ditur saktë orientimin pro-perëndimor të shumicës së qytetarëve ukrainas, sidomos të atyre qytetarëve që gdhinin në sheshet e Kievit dhe që, hapur po luftonin kundër tij. Në cilësinë e presidentit, Janukoviqi ka mundur ta bënte lehtësisht një gjë të këtillë sepse, askush se kishte ndërmend ta ndalonte. Janukoviq, nëse do ta nënshkruante këtë marrëveshje, do t’i ulte gjakrat në Maidan! Por, ai se bëri këtë, madje edhe duke e ditur se biri i tij dentist, kishte bartur në bankat evropiane miliarda dollarë. E katërta, Janukoviqi mund të nënshkruante marrëveshje tregtare me BE-në por, edhe me Rusinë. Prej këtij vendi, Ukraina furnizohet me 70 % të gazit natyror.

Janukoviqi, kishte qenë thjeshtë një eksponent filorus në krye të Ukrainës. Ngjitja e tij në krye të pushtetit, ishte një skemë subversive me destinacion dhe plan apriori të qartë: çuarjen e vendit në një gjendje kaotike, dhe përgatitjen e shkasit dhe të terrenit që Rusia, ta invadojë Krimenë. Snyder, ka potencuar se, “lideri (Janukoviqi) kishte qenë kriminel i zakonshëm: përdhunues dhe hajn. Ai, e gjeti një gjyqtar (ose, ia gjetën: F.A.) që ishte i gatshëm të manipulojë me dokumentet e lidhura me rastin e tij. Ai gjyqtar, më pas u bë kryetar i Gjykatës Supreme.” Ky fakt, mbi të gjitha, është shumë indikativ lidhur me figurën e Janukoviqit, me karakterin dhe personalitetin e tij, dhe sidomos me thelbin e qeverisjes së tij. Apriori, ata të dy ( Janukoviq dhe Putin), duhet t’i kenë skicuar kornizat e planit të rrezikshëm të trazirave në Ukrainë, në mos vijat origjinale të planit…! Një ministër i një shteti baltik si dhe sekretari V. Hejg, kanë shfaqur dyshime në këtë drejtim.

Siç theksova më lartë, presidenti rus Putin, asnjëherë nuk u deklarua lidhur me krizën në Kiev. Paraprakisht, oligarku filorus Janukoviq, e kishte varfëruar shtetin dhe e kishte prodhuar një krizë të errët politike dhe ekonomike. Vendi ishte përfshirë nga trazirat. Shumë institucione për muaj të tërë, nuk punuan. Makineria propagandistike subversive, në periudhën e trazirave, e inkarnoi pamjen reale sikur Ukraina, po shkonte drejt luftës civile! Ad akta, e gjithë brishtësia e rrezikshme ukrainase, u bë jashtëzakonisht e frikshme për çdo ukrainas. Si asnjë skemë tjetër, “skema mbi luftën e mundshme civile”, funksionoi për mrekulli. Në ditët e fundit të shkurtit, pamjet që u shpërndanë nëpër botë nga mediat, aluduan në diçka të këtillë! Kaosi ukrainas, u komentua paralel me skenat e luftës. Bota, pa duke u përhapur trazirat edhe jashtë Kievit, dhe njerëzit u vranë. Disa qytete e regjione, shpallën dështimin e pushtetit të Janukoviqit. Dukej njëmend si një revolucion popullor. Vetë kryeqyteti, përgjasonte me një kryengritje të tipit “Zhan d’Ark”!

Në këto rrethana kaotike për vendin, Janukoviq iku duke lënë prapa rrugët e përgjakura dhe opozitën që, shpejtoi ta mbushte boshllëkun konstitucional dhe administrativ. Çuditërisht, drama ukrainase, ishte duke u zhvilluar kryesisht në gjysmën e territorit të vendit, që domethënë në pjesën perëndimore. Një pjesën tjetër të vendit, në lindje, e ku shtrihet shumica etnike ruse s’kishte trazira. Qetësia, ishte e vërejtshme. Në këtë pjesë, kishte një “publik” që dukej sikur ndodhej në një stadium futbolli. Tek e shikonte lojën, ky publik nuk identifikohej me asnjërin ekipet që po luante! Në anën tjetër, Janukoviqi (një rus ukrainas i lindur në skaje të kufijve lindor të vendit), si pjesë e lojës, qysh ishte e mundur të mos kërkonte përkrahje…?

Invadimi i (pa)pritur rus në Krime dhe pasojat e invadimit

Paragjykimi për kthimin e qetësisë në Ukrainë pas ikjes së Janukoviqit, doli të ishte i gabuar nga të gjithë: brenda dhe jashtë Ukrainës. Bashkë me “gabimin” e palëve heterogjene, në opinion dy fakte interesante, vërtetësia e të cilave ende nuk është identifikuar: shpejtësia e veprimit të udhëheqësve të opozitës për t’i ndërruar Oficerët e lartë të ushtrisë e cila nuk ishte përzier në konfliktin politik në Kiev, dhe përkatësia e panjohur e snajperistëve që vranë protestuesit në sheshin Maidan. Në kontekst prandaj, stuhia ukrainase me prapaskenat dhe skenat e saj, shfaqet jo pak delikate, e ngatërruar dhe e frikshme! Krahas kthimit të qetësisë më sheshin Maidan, “lëmshi ukrainas” fillon të zgjatohet përtej kufijve politikë dhe shtetërorë ukrainas, duke u kthyer në një spirale krize me përmasa rajonale dhe globale. Çka ndodhi pas rënies së Janukoviqit, dhe përfundimit të protestave?

Rënia e perdes në Kiev, si me automatizëm, i trazoi rusët në lindje të vendit. Kushtimisht, rusët e Krimesë. Duke u pastruar nga mbeturinat dhe nga gjaku rrugët e Kievit, bosi në Kremlin po e mbyllte një manovër ushtarake (të paralajmëruar më parë: indikative për atë që do të ndodhë), viza-vinë me kufijtë lindor të Ukrainës. E për tri – katër ditët sa zgjati kjo manovër masive në të cilën u aktivizuan rreth 150 mijë ushtar, një pjesë e tyre u shkëputen grupe-grupe (sipas burimeve të besuara ndërkombëtare, rreth 15 mijë…), dhe kryesisht natën, në mënyrë të kamufluar e kaluan kufirin ukrainas, dhe u futën në gadishullin e Krimesë.

E gjitha, filloi duke u mbyllur muaji shkurt (e premte – e shtunë), dhe duke gdhirë dita e parë e marsit. Pasqyra e thyer e revoltave në Kiev, një lëvizje e ligjshme dhe e drejtë e popullit, është bërë pas kësaj, copë e grimë! Në njërën anë është arritur qëllimi i popullit për largimin e Janukoviqit, por në anën tjetër, është “formësuar dhe krijuar preteksti” për zbarkimin e Moskës ushtarakisht, në Krime. Në kontekst, duhet të shtrohen disa pyetje. Për shembull: a, u ndërruan rolet dhe aktivitetet në mes të Janukoviqit dhe Putinit? A ka pasur kundërveprime, planifikime, konspiracion…? A kishte nguti dhe gabime të Brukselit në krizën e Ukrainës? A u ngutën liderët e rinj në konstituimin dhe marrjen e pushtetit, dhe a e kishin parasysh ata refleksionin e veprimeve të tyre në raport me qytetarët ukrainas me prejardhje ruse?

Do të kalojë kohë deri sa, gjithçka një ditë do të zbardhet. Porse, i pari (Janukoviqi) tashmë është tërhequr nga skena dhe s’përbënë ndonjë personazh, kurse i dyti (Putini), ka dalë vrullshëm në skenë. Ashiqare, duke e realizuar në mënyrë perfekte planin e nxjerrjes së Krimesë nga administrimi dhe qeverisja e Kievit, në mos: pushtimin klasikë të këtij territori. Në gadishullin e Krimesë, tashmë janë futur me mijëra forca ruse të cilat, po bunkerizohen si të kamufluara: pa shenja ushtarake, dhe të përziera me forcat e rregullta dezertuese nga ushtria ukrainase të përkatësisë etnike ruse, me forcat paramilitare vendore po ashtu me përkatësi etnike ruse, si dhe me vullnetar nga jashtë.

Pas këtij veprimi të Moskës, jo vetëm ukrainasit dhe liderët e rinj në Kiev, kanë mbetur pa frymë e pa komente të qarta! Të stepura, janë ende edhe vendet e rajonit, pastaj BE-ja, SHBA etj. Gjysma e territorit ukrainas, pjesa lindore e vendit po trazohet egërsisht! Elementi etnik rus brenda Ukrainës, shteti rus, nomenklatura autonome në Krime kanë dalë vrullshëm në skenë! De fakto, Moska, e ka prodhuar një gjendje “ad acta” në Krime: me një aksion të rrufeshëm ushtarak, dhe i cili aksion s’ka qenë i mundur të ndalet. Kjo gjendje, gati e barabartë me pushtimin klasik të një vendi, i është shfaqur botës, “si një gjendje e ligjshme politike dhe juridike” dhe që, nuk e cenon rendin politik dhe juridik ndërkombëtar, sovranitetin e shteteve, Kartën e OBK-së për të drejtën e popujve për vetëvendosje etj.

Kremlini, e ka krijuar një “pat pozicion” në plan global rreth Krimesë. Siç kanë rrjedhur ngjarjet, opozita, Brukseli dhe faktorët e tjerë respektabil, e kanë anashkaluar dilemën (“dilemën ruse”), dhe, duket që nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje. Zor që dikush në Kiev dhe në Bruksel, ta ketë shtruar pyetjen nëse Moska, guxon të ndërhyjë ushtarakisht…! E qartë: ngjarjet, mbase u zhvilluan nën trysninë e idesë dhe të mjeteve se, si të largohet Janukoviqi. Në kontekst, opozita pati një përkrahje të hapur qytetare jo vetëm brenda vendit, ashtu siç pati edhe përkrahje nga Brukseli. Por, kur është fjala për përkrahjen e Brukselit dhënë Kievit, ish sekretari i shtetit të SHBA-ve, Henry Kissinger, ka bërë qortime eksplicite: “Bashkimi Evropian, duhet të pranojë se vonesat burokratike dhe nënshtrimi i elementit strategjik ndaj politikave të brendshme, në negociatat për marrëdhëniet e Ukrainës me Evropën, ka kontribuar për shndërrimin e një negociate, në krizë”. Rreth Krimesë, tani janë duke u mprehur shpatat. Radio B92 në Beograd, ka raportuar më 07.03.2014 (duke u thirr në agjencinë e lajmeve “Ukrinform”), në Krime, tashmë janë mobilizuar rreth 30 000 ushtar.

Reagimet ndërkombëtare kundër veprimeve të Moskës, kanë qenë të ashpra. Ish sekretarja e shtetit të SHBA-ve, znj. Hilari Klinton, e ka cilësuar figurën e Putinit me atë të Hitlerit, njësoj si edhe gazeta prestigjioze Time. Gjithandej, Putin ka marrë shumë qortime, sepse ka mbjellë frikë në qarqet politike dhe diplomatike ndërkombëtare. NATO-ja, jo vetëm ka reaguar, por edhe ka kërkuar një lloj mobilizimi strategjik të saj. Perëndimi sidomos, ka qenë jashtëzakonisht i shqetësuar dhe trazues përballë hapave të Putinit. Por shefi në Moskë, e të cilin me rastin e invadimit në Gjeorgji (2008) në dy analizat e mija të atëhershme e kam quajtur “Ariu polar”, e ka ruajtur gjakftohtësinë. Kryesisht, është mbrojtur përballë akuzave, duke i justifikuar jo pa takt dhe strategji veprimet ruse në Krime.

Sido, gjendja në Krime ka shkaktuar shqetësime të gjera, i ka komplikuar marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe e ka rritur pasigurinë ndërkombëtare. Veprimet e këtilla të Putinit, njëmend na e kanë përkujtuar Hitlerin, Musolinin, Nikta Hrushqovin, Brezhnjevin: padyshim, nga pikëpamja e diplomacisë dinake dhe përdorimit të forcës, si dhe shkaktimit të rreziqeve të lidhura me paqen dhe koekzistencën ndërkombëtare. E kundërta: bota, s’ndodhet për të parën herë, përballë një këso situate! Në Krime, tani kemi një invadim të shtetit të Rusisë, një invadim me elemente të kamuflimit politiko-ushtarak. Thënë me gjuhë politiko-ushtarake, praktikisht, jemi përballë një krize të re ndërkombëtare. Duhet theksuar këtu se, orbita e kësaj krize delikate me konsekuenca ndërkombëtare, ka shumë primesa direkte të ndikimit në marrëdhënieve Ukrainë-Rusi, dhe të cilat marrëdhënie, është vështirë të parashikohet se, si do të zhvillohen. Por, si mund të cilësohet jo krizë aktuale në relacionet e marrëdhënieve Lindje-Perëndim? Në kontekst, ja çka shkruan Kissinger: “Ta trajtosh Ukrainën si pjesë e një konfrontimi Lindje-Perëndim, do të thotë të dëmtosh për dekada të tëra, çdo shans për të afruar Rusinë dhe Perëndimin – sidomos Rusinë dhe Evropën në një sistem bashkëpunues” ( Analizë: Henry Kissniger: “Si ti jepet fund krizës së Ukrainës”. (Gazeta e përditshme Lajm, fq. 11. Datë: 08.03.2014. Prishtinë). Padyshim, askush nuk pret që kryqëzorët bërthamorë amerikano-rus të ndodhen si dikur në Kubë, përballë njëri-tjetrit! Por, reflektimet globale të krizës, mund të shpërthejnë nëse Ukraina, do të përpiqet ta ndalë me forcë ushtarake ta ndalë shkëputjen e Krimesë nga integriteti territorial i saj. Ndërkaq, a ka reperkusione rajonale kjo krizë? Reflektimet rajonale të krizës në Krime, nuk mund të minimizohen krejt. Konfliktet e ngrira në këtë rajon (Osetia, Nagorni Karbahu, Çeçenia, Ingushetia etj.), mund të pasohen nga ndikimi i rrjedhës në Krime, ose edhe nga shtjella e atakimit të terrorizimit latent islamik.

Reflektimet nacionaliste të krizës së Krimesë dhe cenimi i së Drejtës Ndërkombëtare

Përtej idesë së padëshirueshme që kjo krizë të zgjerohet jashtë Krimesë, veprimet e Putinit për mendimin tim, kanë riprodhuar dhe kanë prodhuar disa dimensione me pasoja direkte, dhe me pasoja të tërthorta. E para, Putini me veprimet e veta, e ka rikthyer në skenë kartën nacionaliste si justifikim për veprime dhe imponimet ushtarake, si mundësi paternaliste e mbrojtjes me forcë të pakicave ose të etnive të ndryshme jashtë territorit të shteteve të ndryshme, dhe kështu, është shtuar në përmasa ndërkombëtare sensi për shtetet me disponime intervencioniste nacionaliste, dhe me disponime ekspansioniste. Sot, është evidente se, nuk gjen dot shtete të pastra-monoetnike. Kurse, prezenca e shumë etnive që e përbëjnë një shtet, është krejt e natyrshme në çdo kontinent. Këtë formulë, presidenti Putin e ka shfrytëzuar me gjentilesë. Popullariteti i tij, ka shënuar ngritje brenda Rusisë. Por, ai e ka injoruar shtetin dhe sovranitetin. Pra, ai ka vepruar në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare. Ose: e, ka demonizuar konstitucionalizmin ndërkombëtar!

Padyshim, është lëkundur ndjenja që e rizgjon kartën nacionaliste, dhe e rritë apetitin e politikave dhe të qeverive me prirje intervencioniste-nacionaliste. Prodhimi i pasqyrave të këtilla, reflekton jo vetëm ide dhe plane, por edhe mundësi dhe tendenca që paralelisht me rritjen e rrezikut nga format e ndryshme të nacionalizmit dhe të shteteve monoetnike, të shkaktohet edhe rreziku i brishtësisë së qëndrueshmërisë së shteteve, i brishtësisë së sovranitetit politik dhe territorial të shteteve, i sovranitetit të shteteve. Ky dimension, padyshim që prodhon edhe padurueshmëri dhe konkurrencë fragjile dhe jo zhvillimore e perspektivë mes popujve dhe shteteve, mes kulturave dhe ideologjive etj. Në kontekst, me veprimet e veta presidenti Putin e ka ringjallur edhe politikën e fuqisë, që domethënë mjetin ideal të politikës: forcën. Kjo, na e sjellë në mendje: “Koncertin e fuqive të mëdha” të fundshekullit XIX-të, dhe ideologjinë nacionaliste-raciste të fillim shekullit XX-të.

Megjithatë, deshëm apo jo, Ukraina po shkon drejt ndarjes mbi baza territoriale-etnike. Presidenti Putin, po e luan me shumë gjentilesë lojën politike dhe ushtarake, duke pasur në dorë tri karta speciale: kartën e nacionalizmit ekspansionist (traditë kjo historike e Rusisë së fundshekullit XIX-të dhe XX-të), kartën ekonomike ( pasjen e një tregu të brendshëm të madh, importin, gazin natyrorë etj.), dhe kartën ushtarake. Ish agjenti me përvojë i KGB-së, me veprimet në Krime, ka shkaktuar automatikisht së paku dy pasoja me përmasa ndërkombëtare: 1. E, ka vënë në lojë sigurinë e kufijve. 2. E, ka cenuar sovranitetin shtetërorë dhe juridiksionin ndërkombëtar. Për pasojë dhe për t’i shmangur akuzat apo për t’i heshtur ato, njësoj si dhe detyrimet ndërkombëtare si njëri nga pesë vendet me statusin e anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bosi i Kremlinit po përpiqet që veprimet e tij, t’i realizoj në mënyrë jo violente, dhe sipas modelit të litarit: tërhiqe, e mos e këput! Qysh?

Putin, ka bërë një invadim paraprakisht të justifikuar në Krime, dhe mbi të gjitha të kontrolluar dhe të kamufluar. Gjithçka, e ka realizuar dhe po e realizon nën rrogoz e me perfiditet. Pak a shumë, me veprime të duplifikuara, me veprime të forcës, me veprime anti-institucionale dhe anti-konstitucionale! Dhe Krimea, tani lëvizë drejt mbajtjes së një referendumi për bashkim me Rusinë, të caktuar më 16 mars. Kurse Moska, po përgatitet për ceremoninë publike-konstitucionale. Pse? Ndryshe nga veprimet në rajonin e Osetisë, Rusia në Krime e ka prodhuar një gjendje: “as luftë-as paqe”! Kjo gjendje latente por plotësisht e pashpresë për Ukrainën që lidhur me Krimenë të gjejë zgjidhje politike përmes bisedimesh ( Ani se “politika e jashtme, është arti i përcaktimit të prioriteteve” – Kissinger), i mundëson Putinit vetëpërligjjen e gjendjes aktuale në Krime, njësoj edhe vetëpërligjjen e invadimit të cilin, nuk po e pranon se, ky është duke e bërë. Por, lidhur me invadimin e Rusisë në Krime, kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një fjalim në Bundestag, ka thënë: “Rusia, në vend se të veproj si partner për stabilitet në krizën e Ukrainës, po synon ta shfrytëzojë dobësinë e fqinjit të vet. Integriteti territorial i Ukrainës nuk mund të vihet në pikëpyetje” (13.03.2014).

Krimea, megjithatë nuk është Kosovë!

Në fillim të shekullit XXI, në marrëdhëniet ndërkombëtare ( rasti i Kosovës), janë relativizuar çështjet e vazhdimit të politikës së ngurtë të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit, dhe është shkrirë akulli polar i cili akull, e mbante të ngrirë kornizën e sovranitetit pothuajse absolut të konceptit shteti. Presidenti Putin, është munduar t’u ikë këtyre akuzave pikërisht në këtë kontekst. Në shtjellën e lëmshit të ngatërruar ukrainas, e ka shfrytëzuar si karrem mbrojtës të veprimeve e tij, rastin e Kosovës. Për t’i arsyetuar dhe justifikuar veprimet e veta, por edhe për t’i shmangur e relativizuar kritikat ndërkombëtare, në një konferencë për media në Moskë lidhur me situatën në Krime (06.03.2014), Putini ka bërë paralele të qarta justifikimi: Ai, e ka cilësuar gjendjen në Krime, të njëjtë me atë të Kosovës. “Popullata në provincën e Krimesë do t`i bashkëngjitet Rusisë apo si variant tjetër është krijimi i një shteti të ri. Kjo gjë do të funksionoj sikur në Kosovë, dhe se Kosova është shpallur e pavarur lidhur me ligjet e OKB-së. E nëse popullata në Krime vendos të ndahet nga Ukraina, atëherë kjo gjë është në përputhje me ligjin ndërkombëtar", ka theksuar Putin. Pak a shumë, veçse në variantin shqetësues dhe dekurajues, ka qenë edhe presidenti çek, Milosh Zeman. Në kontekst, Zeman, e ka trajtuar rastin e Krimesë pothuajse, pasojë të rrjedhës historike të ngjarjeve në Kosovë, dhe rreth Kosovës. Aq justifikuese dhe dublifikuese nxjerrët kjo deklaratë nga Zemani sa, të mbushet mendja se, sikur të mos kishte ndodhur Kosova, nuk do të ndodhte as Krimea! Duke e kujtuar mënyrën dhe gjendjen që e prodhoi ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë (largimi i pushtetit serbë dhe çlirimin e Kosovës), presidenti Zeman, e zbërthen “kauzën dhe arsyen” e veprimeve të z. Putin, të yshtur plotësisht mu nga rasti i Kosovës. Kjo i bie sipas Zemanit që, Bashkësia Ndërkombëtare nuk është dashur të intervenojë në Kosovë, por meqë kjo punë ka ndodhur, edhe Putini ka intervenuar në Krime. Sipas Zemanit, sikur të mos ishte intervenuar në Kosovë, nuk do të kishte kurrë as intervenim në Krime (06.03.2014).

Lidhur me komentet e z. Zeman dhe në kontekst, janë dy pyetje themelore për t’u shtruar: E para, pse Çekia, është ndarë nga Sllovakia, dhe e dyta, pse na qenka ndërhyrja në Krime e Moskës, pasojë ose rrjedhojë e rastit të Kosovës? Në pyetjen e parë, ishte dashur të përgjigjej z. Zeman. Ndërsa për pyetjen e dytë, mund të themi se Moska, nuk ka bërë për herë të parë këso ndërhyrje! Moska, ka bërë plotë ndërhyrje, invadime e okupime në historinë e ekzistimit të saj si shtet. Madje, një lloj ndërhyrje, Moska e ka bërë pikërisht në atdheun e presidentit Zeman, më 1968? Ndërhyrjet politike dhe ushtarake ruse (në Hungari, në Poloni, Çekosllovaki, Afganistan, Gjeorgji etj.), s’janë sekret ndërkombëtar. Qyshdo, gadishulli i Krimesë de facto dhe de jure, nuk është Kosovë! Pse? Në Krime, nuk kishte invadim të Kievit. Atje, nuk kishte as forca paramilitare dhe militare ukrainase që, ishin duke e dhunuar dhe terrorizuar qytetarin. Atje, kishte një qetësi dhe paqe të theksueshme! Në Krime, nuk kishte okupim gjenocidal siç kishte në Kosovë, nuk kishte burgje dhe kampe të vdekjes si në Kosovë, nuk kishte gaz Sarin, segregacion etj.

Analogjia ruse, de fakto dhe de jure është nxjerrë jo pak, nga konteksti i rastit të Kosovës. Se sa kjo është përngjasuese, mbetet të analizohet dhe studiohet mbi bazën e korpusit të marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemit juridik dhe konstitucionalizmit ndërkombëtar. Në anën tjetër, Kuvendi Autonom në Krime, në deklaratën e shpalljes së pavarësisë më datën 11.03.2014, ka vënë në spikamë “rastin Kosovë”. Në tekstin e deklaratës, thuhet: “Ne, anëtarë e Këshillit Suprem të Republikës Autonome të Krimesë dhe të Këshillit të Qytetit Sevastopol, në bazë të kartës së KB-së dhe dokumenteve të tjerë ndërkombëtarë që njohin të drejtën e popullit për vetëvendosje, marrë para sysh vendim e Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë për Kosovën, i cili thotë se deklarata e njëanshme e pavarësisë së një shteti nuk shkel të drejtën ndërkombëtare, e marrim bashkërisht këtë vendim”.

Pavarësisht kësaj, Kosova dallon nga rrjedha e ngjarjeve politike dhe historike dhe mbase, nuk mund të vihen paralele të drejtpërdrejta dhe, të parrëzueshme. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë në një deklaratë se, “situata në rajonin Krime të Ukrainës, nuk mund të krahasohet me rastin e Kosovës në Ballkan”. Padyshim, çështja e Kosovës ka qenë një problem krejtësisht i dukshëm etnik, kulturo-historik shqiptaro-serbë dhe se ky problem, është shoqëruar me politikën e pushtimit dhe të represionit gjenocidal serbë për më shumë se një shekull e gjysmë. Në fund të shekullit XX-të, mu nga këto shkaqe, situata në Kosovë doli krejtësisht nga kontrolli duke shkaktuar rrezik jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë paqen në Evropë. Në anën tjetër, metodologjia dhe i tërë sistemi i rrjedhës së problemit të Kosovës, është pasuar vazhdimisht nga prania dhe qasja e mekanizmave ndërkombëtar. Kësisoj, ky problem, e ka ndjekur rrjedhën ndërkombëtare të legalitetit politik dhe juridik, e ka ndjekur rrjedhën e bashkëpunimit dhe të legjitimimit ndërkombëtar-konstitucional. Mbi të gjitha, Kosova, e ka ndjekur një rend politik dhe juridik ndërkombëtar të pavarësimit. Por, a po përpiqet Krimea me ndihmën e Moskës që ta kopjojë Kosovën? Në deklaratën e Kuvendit në Sevastopol, thuhet edhe kjo: “Republika e Krimesë, është shtet demokratik shekullar dhe multietnik, e cila si sovrane dhe e pavarur, do të sillet në përputhje me rezultate e Referendumit që, do të propozohet për bashkimin e kësaj njësie me Rusinë, si një subjekt i ri.”

Raportet e acaruar Ukrainë-Rusi, duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore

Referendumi i paralajmëruar në këtë deklaratë, na e kujton rrugën e ndërtimit konstitucional të ecjes së Kosovës drejt shkëputjes nga Serbia, që prej 2 korrikut 1990. Ndërkaq, ngjarjet në Krime dhe rreth saj, janë duke u zhvilluar me tempo tjetër! Situata atje, mbetet e nderë dhe kontradiktore. Padyshim, mbetet në suaza të një vatre krize që, lehtë mund të kaplohet nga zjarri. Suma-sumarum, ajo që është me rëndësi deri më tani, është përmbajtja e Ukrainës dhe, kjo duhet vlerësuar shumë. Tjetra: derisa bota demokratike duhet të përpiqet që të gjejë vetëm zgjidhje politike dhe paqësore në Krime, perëndimi në krye me SHBA-të duhet ta ndalin Moskën aty: në gadishull. Ky, duhet të jetë veprimi absolut perëndimorë, pasuar edhe me sanksione ekonomike, dhe masa të tjera politike. Demonizimi i Moskës, nuk duhet të bëhet në parantezë me idetë dhe me veprimet eventuale të paqarta, agresive, të pariparueshme të cilat, mund të sjellin rrezik për paqen globale. Gazetari Fred Kaplan, ka shkruar: “Dy gjëra duhet të mbahen mend! E para qëndron në atë se, për ndonjë udhëheqës rus Ukraina është jetike, si një treg kryesor, furnizues, dhe zbutës i shkeljes perëndimore, kurse e dyta ndërlidhet me atë se Putini me të vërtetë protestat në Ukrainë, i sheh si një produkt i komplotit perëndimor tek e nxjerr vendin larg nga “orbita” e Rusisë”. Pasuesi i dytë i kësaj periudhe të z. Kapllan, mbase lidhet me një informacion jo shumë të përfolur: Pas ikjes së Janukoviqit nga Kievi dhe në vigjilje të fitores në sheshin Maidan, kishte pasur me gjasë përpjekje që të merret me shpejtësi komanda e forcave ushtarake, përfshirë edhe Krimenë! Armata ukrainase, kishte qëndruar manash ngjarjeve në vend. Por, gjatë fundit të muajit shkurt, një tentim i këtillë opozitar, mund ta ketë shtyrë Moskën në rolin e maces së cilës, ishte tentuar t’i mbyllej dera e dhomës!

Pak ditë më vonë, frikën e Moskës e kishte zbutur sekretari i shtetit i SHBA-ve, John Kerry, i cili tha në Kiev, se “ne nuk po kërkojmë kundërvënie, se SHBA-të, do të preferonin të shihnin këtë situatë serioze të drejtuar nga institucionet ndërkombëtare” (04.03.2014). Kerry, me këtë rast, e konfirmoi edhe solidaritetin e amerikanëve me popullin e Ukrainës në betejën e tyre për liri dhe të drejta, dhe njëkohësisht edhe interesin jetik të Rusisë në Ukrainë, bazën ushtarake, bashkimin, historinë e gjatë dhe nënkuptimin se gjithmonë do të ekzistojnë lidhje të forta mes këtyre dy shteteve. Këto mesazhe, ndoshta u bënë me vonesë. Putini, megjithatë e ka ndezur një zjarr dhe po ngrohet vetë në te, por kjo nuk do të thotë që flaka e këtij zjarri, është krejtësisht e zezë! Mendoj që Putini, po kërkon që përmes këtij zjarri një rikthim të Rusisë në skenën politike ndërkombëtare, që domethënë një prani të respektueshme të fuqisë politike dhe ushtarake të Rusisë në skenën ndërkombëtare. Padyshim, duke e invaduar ushtarakisht Krimenë, ai ka zgjedhur një mënyrë të rrezikshme. Por me gjasë, kjo ka qenë edhe mënyra e vetme e tejkalimit të frikën permanente lidhur me mundësinë e humbjes një ditë të bazës së Krimesë: baza më e rëndësishme ushtarake që ka sot Rusia. Qysh? Putini, mbi të gjitha, duke pas për bazë edhe natyrën dhe karrierën e tij prej koloneli nga lozha e shërbimit sekret, duket që e ka jetuar vazhdimisht kohën e pas shpërbërjes së BRSS-së me dilemat se nëse humbet edhe ndikimi rus në Krime, humbet jo vetëm fuqia tradicionale ruse por edhe udha kryesore për dalje në Mesdhe, e më gjerë! Kjo, zor të jetë kuptuar plotësisht, përtej Kremlinit.

Sido, sot e kemi një gjendje “ad akta” në Ukrainë. Krimea, po shkon drejt shkëputjes nga pushteti dhe sovraniteti ukrainas, edhe “de jure”. Por, këtyre ditëve, nuk përjashtohet mundësia e acarimit më të madh të gjendjes në Krime, dhe rreth saj. Ashtu, siç nuk përjashtohet edhe mundësia e rritjes së tensioneve ndëretnike, e ndoshta edhe rajonale. Ndërsa që televizioni “Kanal 5” nga Ukraina, raporton për aktivitete të dhunshme të separatistëve rus në rajonet lindore, si në Donetsk (në këtë qytet, janë shënuar edhe viktimat e para ndëretnike), Hrakov etj., është me rëndësi që të mos lejohet eskalimi i situatës dhe zgjerimi i konfliktit në mes të qytetarëve ukrainas, dhe atij të etnitetit rus. Veç pasojave civile të brendshme, Moska këtë situatë mund ta shfrytëzoj si pretekst që forcat e veta të cilat tashmë i ka grumbullua përgjatë kufirit lindor me Ukrainën, t’i zhvendos brenda territorit ukrainas, njësoj si në Krime. Perëndimi, këtë nuk duhet ta lejojë. Ky akt i Moskës, do t’ishte jo vetëm i pa tolerueshëm por, zgjerim i qëllimshëm dhe zgjerimi edhe më i rrezikshëm i spirales së zjarrit. Apriori, portat e bashkëpunimit me Moskën, nuk duhet të mbyllen nga perëndimi. Së paku, deri në shkallën e mundshme…! Demokratizimi dhe bashkëpunimi, paqja dhe solidariteti mes popujve dhe shteteve duhet t’i dominojnë kufijtë politik dhe shtetëror, dhe jo forca, konfrontimi, konfliktet të cilave nganjëherë s’u shihet dot fundi.