LAJMI I FUNDIT:

Xi ka një plan për t’iu kundërpërgjigjur lojërave të Trumpit

Xi ka një plan për t’iu kundërpërgjigjur lojërave të Trumpit
Xi Jinping dhe Donald Trump në Pekin më 2017

Nga: Evan Medeiros / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse politika e Donald Trumpit ndaj Kinës karakterizohet nga pasiguria dhe kontradikta, strategjia e Xi Jinpingut përcaktohet nga qartësia dhe vendosmëria. Nuk është sekret qasja e presidentit kinez ndaj presidentit të zgjedhur të ShBA-së. Pekini ka qenë mjaft i qartë, që pas zgjedhjeve, për qëndrimet dhe përgjigjet e veta të mundshme.

Xi planifikon jo vetëm të përgjigjet, por edhe të përfitojë nga lëvizjet e Trumpit. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, Pekini nxitoi për të reaguar. Tani është i vendosur të mos e përsërisë këtë. Xi është tashmë i angazhuar në përgatitjet e veta dhe ka dhënë sinjale për këtë.


Shumica e analistëve kinezë nuk u befasuan nga fitorja e Trumpit, duke e lidhur rikthimin e tij me një valë globale populizmi dhe nacionalizmi. Pekini beson se tashmë e kupton strategjinë e lojës së Trumpit dhe mund të manipulojë administratën e tij. Besimi i Kinës bazohet në përfundimin – të saktë apo jo – se Kina e vitit 2025 është ndryshe nga ajo e vitit 2017, ashtu siç janë edhe ShBA-ja dhe bota.

Shumë kinezë argumentojnë se Xi është më i fuqishëm politikisht dhe se ekonomia është më e pavarur dhe më e qëndrueshme, pavarësisht sfidave të fundit. Analistët kinezë e shohin ekonominë amerikane si më të brishtë dhe politikën amerikane si të ndarë thellësisht. Në aspektin gjeopolitik, Pekini e sheh ndikimin e ShBA-së në rënie në të gjithë jugun global dhe Azinë – ndërsa mbështetja për vizionin e Kinës po rritet.

Lexo po ashtu (nga Evan Medeiros): Marrëdhëniet ShBA-Kinë varen nga versioni i Trumpit që do të shfaqet

Xi tashmë ka sinjalizuar se do t’i trajtojë marrëdhëniet e tij me Trumpin si një lidhje thjesht biznesi, në stilin e Don Korleones. Ai nuk do ta përqafojë personalisht Trumpin dhe do të hakmerret herët dhe ashpër për të krijuar ndikim. Pekini në fakt refuzoi ftesën e Trumpit që Xi të merrte pjesë në inaugurim.

Megjithatë, Pekini po sinjalizon gjithashtu se dëshiron dialog dhe është i hapur për një marrëveshje për të shmangur tarifat e reja. Sidoqoftë, kinezët, të cilët preferojnë të përdorin kanale joformale, po përpiqen të gjejnë atë të duhurin për të kuptuar se çfarë “realisht” dëshiron Trumpi. Supozimi bazë i Pekinit është se Uashingtoni dhe aleatët e tij do të mbeten armiqësorë ndaj Kinës për një të ardhme të parashikueshme. Prandaj, Xi është i hapur për negociata, sepse ai dëshiron një hapësirë për frymëmarrje në frontin ekonomik, në mënyrë që Kina të mobilizojë forcat e veta për një garë afatgjatë.

Pekini mbetet i shqetësuar se ekipi i Trumpit do të përqendrohet në shkëputjen më të thellë ekonomike, ndryshimin e regjimit në Kinë dhe mbështetjen për pavarësinë e Tajvanit – të gjitha këto si mjete për të frenuar dhe destabilizuar Kinën. Për këtë arsye, Xi parashtroi katër “vija të kuqe” në një takim në nëntor me presidentin Joe Biden, në Peru, duke dhënë një mesazh të qartë për administratën e ardhshme.

Përgjigjet e planifikuara të Pekinit ndaj Trumpit ndahen në tri kategori: hakmarrje, përshtatje dhe diversifikim. Duke pasqyruar politikat e ShBA-së, vitet e fundit Pekini ka krijuar një gamë masash, si kontrolli i eksporteve, kufizime të investimeve dhe hetime rregullatore që mund të dëmtojnë kompanitë amerikane. Meqë Kina nuk është në gjendje të përgjigjet me tarifa të barabarta, ajo do të përpiqet të imponojë kosto në mënyra që shkaktojnë dhimbje maksimale. Për Kinën, mos reagimi do të sinjalizonte dobësi në nivel të brendshëm dhe do të inkurajonte Trumpin.

Kjo ka nisur tashmë. Në fund të vitit 2024, Pekini bllokoi eksportet drejt ShBA-së të mineraleve kritike të përdorura për prodhimin e çipave, kufizoi zinxhirin e furnizimit për dronët e prodhuar në ShBA, kërcënoi të përfshinte në listën e zezë një kompani të njohur të veshjeve amerikane dhe nisi një hetim antitrust ndaj Nvidia-s. Duke ndërmarrë këto veprime, Pekini po demonstron aftësitë e tij dhe po krijon “asete tregtare” për të ardhmen.

Strategjia e dytë e Kinës është përshtatja. Nga vjeshta e vitit 2023, Pekini filloi një stimul të fuqishëm fiskal dhe monetar për të ndihmuar bizneset dhe, më pas, konsumatorët. Ky ndryshim politikash po gjeneron disa efekte pozitive, megjithëse jo të barabarta. Ishte padyshim i nevojshëm, por shtrirja dhe natyra e tij u zhvilluan gjithashtu duke pasur parasysh një luftë të mundshme tregtare.

Strategjia e tretë e Pekinit përfshin zgjerimin e lidhjeve ekonomike. Ai po shqyrton ulje të njëanshme të tarifave për importet nga partnerë joamerikanë. Gjatë vizitës së tij në Peru, Xi inauguroi një port në ujë të thellë që mund të riformësojë tregtinë e Kinës me Amerikën Latine – një burim kryesor jashtë ShBA-së për ushqim, energji dhe minerale. Në fund të vitit 2024, Xi mori pjesë për herë të parë në takimet me drejtuesit e 10 organizatave të mëdha ndërkombëtare ekonomike. Mesazhi i tij ishte i qartë: Kina do të jetë forca kryesore për stabilitetin, mirëqenien dhe hapjen ekonomike globale dhe kundërshton të gjitha format e proteksionizmit.

Shumë gjëra mund të shkojnë keq. Vetëbesimi i Pekinit përputhet me atë të ekipit të Trumpit. Të dyja palët besojnë se kanë epërsinë, se mund të imponojnë më shumë kosto dhe të përballojnë më shumë dhimbje. Skena është e përgatitur për një dinamikë të komplikuar dhe destabilizuese, që në rastin më të mirë përfundon me një armëpushim. Dhe, kjo vetëm për çështjet ekonomike, jo për Tajvanin, Detin e Kinës Jugore, konkurrencën teknologjike apo modernizimin e forcave bërthamore. Lufta e Ftohtë ka filluar të duket e thjeshtë kur krahasohet me sfidat me të cilat përballemi sot. /Telegrafi/