LAJMI I FUNDIT:

Xhazi dhe Apollonia

Xhazi dhe Apollonia

Ndriçim Kulla

Xhazi dhe Apollonia në pamje të parë duken si kontradiktore. Ky qytet e ka marrë emrin nga Apolloni që ishte perëndia e muzikës harmonike, shpikësi i lirës, nga ku e ka origjinën muzika klasike. Xhazi ndoshta do t’i kishte pëlqyer më shumë Dionisit, perëndisë së kundërt me Apollonin. Kjo nuk do të thotë se xhazi është një muzikë e shthurur, e degjeneruar, siç kanë qenë akuzat ndaj tij. Shthurja vjen kur kapërcehet masa. Të vjetrit dinin të krijonin një ekuilibër midis anës apolloniake të natyrës së tyre dhe asaj dionisiake. Ky është një mësim që vlen edhe sot për ne. Në saje të tij shumë njerëz që janë adhurues të muzikës klasike pëlqejnë edhe xhazin.


Nëse do të gjeja një emër për xhazin, do ta quaja muzika e lirisë. Nuk është rastësi që xhazi lindi si muzikë pak kohë pas Luftës Civile Amerikane, që solli heqjen e skllavërisë. Xhazi lindi pikërisht në Jug të SHBA, atje ku kishte ekzistuar skllavëria. Me xhazin, këtë muzikë me origjinë afrikane, afro-amerikanët shpallën identitetin e tyre kulturor në kushtet e lirisë, dhe madje bënë më shumë se kaq, “pushtuan” kulturalisht shpirtrat e të bardhëve, në SHBA, Evropë dhe në botë.

David Brubeck, një nga eksponentët kryesorë të xhazit modern, ka thënë: “Xhazi përfaqëson lirinë. Ai është zëri i lirisë. Dilni jashtë dhe improvizoni, merrni rreziqe, mos u bëri perfeksioniste, lëruani këtë muzikantëve klasikë”.

Kjo lidhje e xhazit me lirinë i shqetësonte regjimet totalitare, prandaj xhazin e ndaloi si Gjermania naziste, ashtu si regjimet komuniste në periudhën staliniane. Në Shqipëri ka qenë i ndaluar deri në 1990. Xhazi quhej si muzikë e degjeneruar borgjeze. Absurde, sepse xhazi vetëm me borgjezinë nuk kishte lidhje. Atë e kishin krijuar pasardhësit e skllevërve afro-amerikanë. Arsyeja e këtij ndalimi ishte se regjimet totalitare shikonin te xhazi muzikën e lirisë.

Por, xhazi ishte i parezistueshëm edhe për kundërshtarët e tij. Në romanin “Mefisto” të shkrimtarit antifashist gjerman Klaus Man, që flet për ngjarje reale në kohën e sundimit nazist në Gjermani, tregohet se si Geringu, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Hitlerit, kishte marrë një orkestër xhazi në festën e ditëlindjes së tij.

Kompozitori dhe aktori amerikan Herbie Hancock thotë: “Ai më tërhoqi mua si një magnet, xhazi e bëri këtë, sepse ai ishte një mënyrë për të shprehur vetveten”.

Atë se cili ishte kulmi i sundimit të xhazit, në periudhën mes dy luftërave botërore, e kuptojmë mirë duke parë filmin “Chicago” me Catherine Z. Jones dhe Richard Gere.

Cili ishte sekreti i xhazit, shpirti i tij magjepsës? Herbie Hancock thotë: “Nuk është përjashtimi, por përfshirja dhe ky është gjithë shpirti i xhazit”.

Xhazi ishte kështu një ftesë e afro-amerikanëve për të bardhët e Amerikës dhe më pas edhe të botës, për t’ u bashkuar në gëzim. Ishte e pashembullt bujaria shpirtërore e këtij populli deri atëherë të shtypur, që i ofronte vendit ku deri dje kishte qenë i skllavëruar një muzikë të mrekullueshme për ta shijuar të gjithë. Dhe pas Amerikës, gjithë botës.

Wynton Marsalis, që sot është drejtor i xhazit në Qendrën “Lincoln” në New York, thotë: “Muzika xhaz është e shkuara e Amerikës, dhe fuqia e saj, e përmbledhur, e shenjtëruar, dhe e arritshme për çdo njeri që mëson të dëgjojë, të ndiejë dhe ta kuptojë atë. Kjo muzikë na lidh ne me unët tanë të mëparshëm dhe me unët tanë të ardhshëm më të mirë. Na mëson ne se ku gjendet në linjën e kohës të arritjeve njerëzore një vlerë supreme artistike”.

Të rinjtë e sotëm e shohin xhazin si një muzikë të vjetruar, por ata nuk e dinë se sa shumë i detyrohen xhazit të gjitha rrymat muzikore që ata pëlqejnë sot. Për këtë do t’u sugjeroja të shikonin një dokumentar me seri për xhazin të prodhuesit të famshëm të këtyre filmave, Ken Burns, në televizionin amerikan PBS, që mund ta gjejnë në YouTube. Titullin e ka thjesht “Jazz”.

Në adoleshencën dhe rininë time xhazin e dëgjonim gjerësisht, por në radiot dhe televizionet e huaja, se në Shqipëri ishte i ndaluar. Akoma dhe sot e ruaj në kujtesë dhimbjen me të cilën u prit nga brezi im, i gjimnazistëve në prag të maturës, vdekja e legjendës së xhazit Louis Armstrong, në 1971. E shpejt pas tij erdhi edhe vdekja e një tjetër legjende, Duke Ellington, në 1974.

Ne e kishim hapur shpirtin ndaj xhazit, kësaj muzike të lirisë, dhe na ndodhi ashtu siç thotë Esperanza Spalding, një këngëtare xhazi amerikane: “Nëse ju nuk dini rreth muzikës xhaz, si mund të jeni të ekspozuar ndaj saj? Si mund të keni rasti për të zbuluar nëse kjo muzikë iu flet juve? Nëse ju ekspozoheni mjaftueshëm ndaj saj, ju mund të gjeni një shije për të”.

Ne dëshironim të dinim rreth xhazit, ishim të etur për të dëgjuar xhaz. Sot kjo gjë mund të duket si anakronike, por nuk është kështu. Xhazi nuk është anakronik. Xhazi është ndoshta muzika më bujare në botë, sepse ka dhënë shumë për rrymat e tjera muzikore, edhe ato më moderne, pa kërkuar asgjë prej tyre. Kjo për faktin se xhazi nuk huazon, pasi është në improvizim të përhershëm.

Xhazi i përket një dualiteti të vjetër të kulturës njerëzore, asaj që filozofi Niçe e ka quajtur dualiteti mes fillesës apolloniake dhe asaj dionisiake të njerëzimit. Xhazi është dionisiak, por shpirti i njeriut do të ishte i paplotë vetëm me anën apolloniake të tij, pa atë dionisiake. Për këtë arsye, një festival i xhazit në Fier që u zhvillua parmbrëmë nga qendra kulturore e bashkisë Fier, pranë Apollonisë, ku dhe unë fatmirësisht isha i pranishëm, më solli vërtet simbolikisht në qytetin e perëndisë Apollon edhe Dionisin, të kundërtin e tij plotësues.