LAJMI I FUNDIT:

Vjehrra apo nëna e njeriut që e dashurojmë…

Vjehrra apo nëna e njeriut që e dashurojmë…

Jemi mësuar të dëgjojmë femrat (nuset) tek ankohen për familjen e burrit. Zakonisht këto drama, personazh kryesor e kanë vjehrrën, apo nënën e burrit, përderisa kur e dëgjojmë versionin e vjehrrës, është nusja bartëse e problemit.

Nga: Getoarbë Mulliqi

Eh besoni ose jo, ky problem është i shpërfaqur gjithandej; e kjo nuk ka të bëj me kulturën e një vendi, familje, doke apo zakone, ka të bëj drejt për drejtë me konflikt gjeneratash. Tek e fundit, edhe pse mund të mos i marrim po aq tragjike, dhe t’i shikojmë me atë sy, a nuk kemi probleme edhe me nënat apo gjyshet tona – por, këto janë probleme që i tejkalojmë.


Unë jam e bindur, se ky problem është në “ADN-në” e femrave, si vjehrrave, ashtu edhe nuseve; një lloj konkurrence banale, që vjehrra e sheh kundrejt nuses, dhe anasjelltas. Vjehrra e trajton këtë çështje në këtë formë; djalin të cilin ajo e ka lindur, rritur e edukuar, po ia merr dikush tjetër të gatshëm. Ndërsa, nuset nuk e përballojnë qe burrin, i cili do të duhej të ishte BURRË, në kuptimin e plotë të fjalës, dikush ta dirigjojë e ta trajtojë si një fëmijë. Por, a nuk thonë se për prindërit, sado që rritemi, gjithmonë do të jemi bebet e tyre? Andaj, natyrisht që secila nënë do të kujdeset për fëmijët e saj, të martuar ose jo. Pati qejf nusja ose jo. Madje, vjehrra e shoqes sime thotë: Pa të shohim kur të bëheni ju nëna.

E konflikti është edhe më i madh, kur kemi të bëjmë me jetesën në bashkësi. Përsëri kthehem tek konflikti i gjeneratave; në ditët e sotme kemi nuse postmoderne dhe vjehrra klasike – natyrisht, nuk është gjithëpërfshirëse! Mirëpo në rastet e lartpërmendura, konflikti lind sa hap e mbyll sytë. Vjehrra ka pritje të tjera, ndërsa nusja nuk është se do t’iu bindet nevojave të saj; dhe tek e fundit, nëse do të ishte anasjelltas, as vjehrra nuk është se do të vepronte sipas direktivave. Pra, pse nuk kursehet kohe dhe nerva në këto raste, dhe të gjendet një zgjidhje e arsyeshme?

Zgjidhja është fare e thjeshtë, harrojeni jetesën së bashku, nëse veç i nuhatni problemet paraprakisht. Të gjithë i njohim prindërit tanë, dhe e dimë se si një i huaj mund t’i pranojë. Ishte shumë e mençur nga ana e një shokut tim, i cili e ka të dashur shoqen time, kur në bisedë e sipër, lidhur me jetesën pasmartesore më tha Jo, edhe pse do e kisha më të lehtë të mos paguaj qera apo edhe kredi për shtëpi, unë nuk do të jetoj me prindërit e mijë dhe me nusen. Unë kam konflikte me ta dhe i gjej të padurueshëm nganjëherë, imagjinoje, gruaja ime që do të njoftohet me ta dhe teket e tyre tani, në moshën 25 vjeçare. Dhe, kjo “teori” e shokut tim, më bëri të mendoj lidhur me atë se; nuk është se dikush i do më shumë apo më pak prindërit, dhe nëse dikush mund të jetoj larg tyre, pse nuk mund ta bëj edhe tjetri? Pse femra mundka të jetojë larg prindërve të saj, e burri jo?

Më e mira e së mirës, do të ishte kompromisi – dhe ashtu, të gjithë do të jetonin të lumtur… mirëpo, nëse nuk lëshohet pe, dhe nëse në atë mjedis gjithmonë do të jetë prezente “lufta për dominim”, atëherë, atmosfera do të jetë sikur në front të luftës. E është shumë e pakëndshme të jetohet në atë mënyrë!

AJO ËSHTË NËNË E PASTAJ VJEHËRR
Le të mos harrojmë se edhe nëna e jonë do të bëhet vjehërr e dikujt. E nga kjo, shkojmë të “refreni” i zakonshëm i secilës femër Ama ti nuk e din sa të mirë e kam nanën unë! Ku me gjetë një vjehërr si ajo, kurrgjë ma shumë nuk kisha lyp. A nuk është paradoks ky? Vjehrra është nëna e personit, me të cilin kemi zgjedhur ta kalojmë jetën, dhe ai person e sheh nënën si nënë, nuk ia vëren ato të meta të cilat ia vëren nusja. Është teori shumë e thjeshtë. Dhe nëse ne e duam atë person atëherë, dikush e ka rritur atë në atë mënyrë!

Një shoqe e imja një ditë ankohej njëkohësisht për vjehrrën e saj, dhe në kontekst e përmendi thinjen që e përmenda më lartë; me një prapashtesë. Ajo tha: Me e ditë ajo gruaja e vëllait tim, se sa mirë i ka punët, nuk kish folë shumë. Shoqe-shoqe, mirëpo u detyrova t’i them, që edhe motra e burrit tënd mendon njëjtë për ty dhe nënën e saj. Ndërsa, ajo përsëri nuk pajtohej dhe gjente lloj-lloj arsyetimesh, se çfarë e dallon nënën e saj dhe vjehrrën e saj. Mirëpo, e humbi poentën – në fakt ajo çfarë e dallon nënën me vjehrrën është fare e thjeshtë, vjehrra është dikush që e takon në moshë të rritur, kur martohesh dhe është diçka e re, ndërsa nëna, eh po nëna është nënë. Është ajo që na ka mbajt në bark për 9 muaj, na ka rritë dhe na ka mësu, që të respektojmë të tjerët. E ashtu siç ne e kemi nënën tonë, ashtu edhe burrat i kanë nënat e tyre.

“PROBLEMI GLOBAL” VJEHËRR-NUSE
Mbase të gjithëve na kujtohet filmi “Vjehrra monstrum” (Monster-in-law), ku personazh kryesor është aktorja dhe këngëtarja latine, Jenifer Lopez. Një komedi e lezetshme, që e trajton pikërisht këtë lidhje, e që fare në fund e kuptojmë se është diçka që nuk ka lindur me ne dhe martesën tonë, por që është mbase që me lindjen e njerëzimit. Dhe pikërisht është ky film, i cili që sa herë e kam parë (e mbase e kam parë 20 herë), më ka bërë të kuptoj se, askush nuk është i mirë sa duhet për prindërit tanë. Ashtu siç askush nuk do të jetë i mirë sa duhet për fëmijët tanë.
Nuk është tragjike, dhe është e kalueshme. Mund të evitohet tërësisht, dhe të gjithë dalim të lumtur nga ky mes. Këtë e dëshmojnë edhe studimet, që janë bërë për këtë fenomen… po, po, mirë e lexuat. Studimet. Janë bërë studime për këtë çështje, madje edhe shumë. Por asaj që i referohen shumë, është një që është bërë më 1954, nga teoricientja Evelyn Duval, e që thotë se vetëm një nga katër femra, kalojnë mirë me vjehrrat e tyre, përderisa tri të tjerat këtë marrëdhënie e konsiderojnë si të sikletshme, me tension, të rënda.
Por, në fakt unë e shoh më shumë si konkurrencë, që madje na vjen turp t’ia pranojmë edhe vetes – xhelozi patologjike, që në fakt po ta themi me zë, na bën të dukemi të çuditshëm, kur në fakt sipas studimit më lartë, tri nga katër, ndihen po kështu.

Por siç thonë, bëj mirë që të gjesh mirë – në rast se një ditë mendon të bëhesh vjehrra e dikujt, sillu me vjehrrën tënde ashtu siç do të doje të silleshin me ty. Ndërsa për vjehrrat; nuset nuk po ua “vjedhin” djemtë, apo po e kalojnë një proces natyror, pra martesën, andaj mos e shikoni si rivale, por si vajzë “të gjetur”…/Telegrafi/