LAJMI I FUNDIT:

Vizioni im për median publike

Konstatimi se zhvillimi i teknologjisë dhe shpërndarjes (internet, web logging, pod casting, etj…) po ndryshon më mënyrë tepër të shpejtë botën e informacionit, është në qendër të çdo debati rreth mediave anekënd botës. Sipas disa vlerësime të fundit në internet ka rreth 27 milion webe online, të cilat trajtojnë pothuaj të gjitha fushat, nga politika, kultura, jeta sociale etj, të cilat operojnë sipas disa standardeve jo të largëta me atë të gazetarisë.

Blogjet e shumta, shpejtësia me të cilën shpërndahet informacioni po sfidojnë me të vërtetë mediat tradicionale. Debatet shkojnë deri në pikën ekstreme, se cila është e ardhmja e transmetuesve; a ka arsye se pse ato të ekzistojnë më? Nëse mediat tradicionale dikur lëviznin mes ekstremeve bardhë e zi, sot iu duhet një kujdes i veçantë për tu pozicionuar diku në mes, falë revolucionit të teknologjisë.


Po kështu interneti ka krijuar mundësinë e jashtëzakonshme që publiku të jetë shumë më i përfshirë, në shkëmbimin e informacionit, sesa në mediat tradicionale.
Por natyrisht pyetjet që lindin janë të shumta. Shtimi i numrit të blogjeve mund të jetë i rrezikshëm, kështu që a është në të mirën e publikut informimi nga blogjet? Kush i kontrollon ato, cila është shkalla e besueshmërisë së tyre?

Këto pyetje na sjellin tek një përgjigje e vetme; mediat tradicionale jo vetëm që nuk janë të dala jashtë mode, por vazhdojnë të mbeten ende më të rëndësishmet.

Ashtu sikurse ekziston edhe ana tjetër e së vërtetës, blogjet në internet, sikurse janë një rrisk për fabrikime dhe propagandë, nga ana tjetër janë një faktor i rëndësishëm në rritjen e transparencës.

Por ku e gjen veten media publike, në morinë e gjithë këtij informacioni të pafund, i cili qarkullon në sajë të teknologjisë së avancuar?

Është fakt i njohur se historia e transmetuesve publikë, kudo në botë është histori e betejave politike. Edhe në një vend me demokraci të lartë siç është SHBA-ja dhe ka me qindra transmetues publikë, këto të fundit kanë pasur ditët e tyre të vështira dhe pjesë e debateve për misionin e tyre janë edhe sot. Nëpër të njëjtën fazë po kalon media publike në Kosovë, e kërcënuar nga influenca e pushtetit, presioni i subjekteve politike dhe ajo e pasigurisë së financimit.

Madje kur flasim për financimin media publike është në një gjendje kontradiktore; nëse ato heshtin dhe “sillen mirë”, nuk do të kenë probleme përsa i përket financimit. Por pjesë e mandatit të transmetuesve publikë është të mbulojnë çështjet që i interesojnë publikut, çështje të cilat shumë shpesh janë tepër kontradiktore.

Pra sfidat e mbijetesës për me mediat publike janë shumë më shumë sesa teknologjike.

Janë tre pika të cilat unë do t’i veçoj e që do të duhej të shërbenin si udhërrëfyes, për një media specifike siç është ajo publike.

Së pari, besueshmëria

Nuk dua të marr shembullin e BBC pasi ajo është lider i padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare të mediave publike dhe jo publike përsa i përket besueshmërisë. Sado që mund të duket interesante, edhe në një shtet siç është SHBA-ja ku mediat private si CNN, ABC, CNBC etj kanë një shikueshmëri shumë më të madhe, sondazhet e bëra psh një vit më parë kanë treguar se amerikanët i besojnë transmetuesve publikë, më shumë se çdo transmetuesi tjetër.

Kjo e shpjegon edhe faktin se edhe në Kosovë transmetuesi publik vazhdon të jetë shumë më i besueshëm se televizionet private. Prandaj është detyrim i saj dhe një perceptim i gjerë publik se media publike duhet të jetë gjithmonë në rrugën e duhur. Asaj nuk i “lejohet” të gabojë.

Por tendenca e balancimeve të panevojshme në mediat publike mbetet një pikë e dobët në krahasim me rivalët e saj privatë. Të jesh objektiv dhe njëkohësisht neutral është shpesh një mision i pamundur. A mund të jesh edhe objektiv, edhe neutral në rastin e Hitlerit për shembull, apo të Millosheviqit? Besueshmëria pra rrezikohet në rast të mosdallimit të nevojës për balancim, një element i domosdoshëm ky përsa u përket agjendave politike.

Së dyti, analiza

Të kryesh atë që quhet funksion bazë, informimin, apo transmetimin e lajmit, sot është më se e pamjaftueshme. Njerëzit apo publiku kanë nevojë të dinë më shumë, të njohin rrethanat, të thellohen në informacionet që ata i përvetësojnë me shpejtësi nëpërmjet internetit. Pra një shikim më i thellë dhe mbi të gjitha një analizë më e gjerë. Analiza që padyshim pjesë të saj themelore ka ekspertizën, e cila nuk ka diskutim që në televizionin publik duhet të jetë e paanshme, por kjo kurrsesi nuk do të thotë neutrale për hir të misionit të tij neutral, është në fakt përparësia që nuk mund ta kenë dhe shfrytëzojnë miliona blogjet në internet e as websitet e informacionit.

Nëse flasim konkretisht, dokumentarit si një zhanër shtjellues duhet t’i rezervohet një hapësirë gjithnjë e më e madhe në mediat publike për shkak të tre karakteristikave themelore të tij – është i arritshëm, (në kuptimin e qasjes) pjesëmarrës dhe shumëpërfshirës.

E po kështu thellimi dhe analiza në debate është më se e nevojshme. Publiku ka nevojë të shohë një çështje më gjerë se sa një vështrim bipolar; ai ka nevojë që t’i jepet një hapësirë më e madhe në të cilën të shohë konfliktet më të gjitha dritëhijet, të shohë qëndrimet dhe opinionet e kundërta dhe të përfshihet në një debat shoqëror.

Por televizionet e fuqishme të botës, qofshin ato publike apo private, jo vetëm që i kanë gjetur shtigjet e mbijetesës në kohën e revolucionit të teknologjisë, për kanë arritur të forcojnë gjithnjë e shumë rolin e tyre në një pikë tjetër tepër të rëndësishme të funksionimit të një shteti demokratik, që është llogaridhënia publike.

Kjo është pika e tretë, ku veçanërisht televizioni publik duhet të orientohet, në mënyrë që t’i mbijetojë një tregu gjithnjë e më të ashpër dhe evolutiv. Llogaridhënia publike është një koncept i cili po zhvillohet dhe përvetësohet gjithnjë e më shumë nga mediat në vendet perëndimore, e veçanërisht ato lokale.

Llogaridhënia publike nënkupton detyrimin që kanë autoritetet për të shpjeguar publikisht, në mënyrë të plotë dhe të drejtë, para dhe pas fakteve se si ata e ushtrojnë përgjegjësinë e tyre, e cila ndikon tek publiku në aspekte të rëndësishme.

Këtu duhet shtuar edhe faktori kohë, pra në kohën kur publiku e kërkon dhe llogaridhënia publike është e vlefshme. Një shembull i keq i llogaridhënies publike përsa i përket aspektit kohor, në rastin e Kosovës psh, do të konsiderohej Kuvendi, i cili reagon me vonesë ndaj cështjeve aktuale.

Llogaridhënia publike është tepër e rëndësishme jo vetëm për transparencën. Kërkesa që vendimmarrësit të shpjegojnë publikisht qëllimet e tyre prodhon më shumë sesa vetë informacionin, të cilin në të kundërt nuk do ta kishin qytetarët. Kjo krijon një vetërregullim të influencës mbi autoritet përsa i përket qëllimeve dhe aksioneve. Nëse ata gënjejnë rreth qëllimeve të tyre, gjë që do të shihet më vonë tek rezultatet, ata mund të ekspozohen ndaj mbikëqyrjes së organizatave që bëjnë audite. Kjo do të çonte në humbjen e e autoriteti të zyrtarëve përballë publikut dhe pse jo, humbjes së posteve të tyre.

Dhe këtu media në përgjithësi dhe ajo publike në veçanti mund të shërbejnë si faktor kyç. Jo sepse institucionet e tjera të pavarura apo gjenerimi i debateve publike është më pak i rëndësishëm, por media ka përparësinë e një reagimi shumë më të shpejtë krahasuar me burokracinë që i karakterizon organet kompetente.

Me fjalë të thjeshta mikrofoni nuk duhet të shërbejë për tu vënë para zyrtarëve kur ata thërrasin dhe kërkojnë të shpalosin idetë, qëndrimet apo ta përdorin për të bërë propagandë, siç ndodh rëndom në Kosovë apo Shqipëri, por ai duhet të shkojë tek zyrtarët me të vetmin qëllim, për t’ju kërkuar llogari, një detyrim ky që të dyja palët, si zyrtarët edhe media publike, kanë ndaj publikut.

(Autorja është analiste pranë gazetës Kosova Sot)