LAJMI I FUNDIT:

Viti i pandemisë politike në Kosovë

Viti i pandemisë politike në Kosovë

Kosova e nisi vitin 2020 me premtimet për “Qeveri të Shpresës”, por po e përfundon vitin me qeverinë e dytë në detyrë.

Krizat e vazhdueshme politike mbizotëruan edhe shqetësimin primar të qytetarëve: përballjen me COVID-19, sëmundje kjo që në fillim të përhapjes mbarte shumë të panjohura.


Pandemia e koronavirusit solli izolim total, e viti po përfundon sërish me paqartësi se kur do të mund të hiqen masat kufizuese, pavarësisht se në nivel global ka nisur vaksinimi.

Sjellim në mënyrë kronologjike ngjarjet që shënuan vitin 2020.

Qeveria Kurti

Kosova e kishte nisur 2020-tën me kuvend të konstituuar, që kishte dal nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit 2019, ku dy partitë e para premtonin formimin e asaj që ata e quanin ‘Qeveri e Shpresës”.

Por, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që fituan më së shumti vota në zgjedhje, iu deshën tre muaj që të arrinin marrëveshjen përfundimtare për bashkëqeverisje. Kjo marrëveshje përfshiu edhe dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit, për t’ia liruar këtë post Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, kishte propozuar Konjufcën për kryeparlamentar kur u konstituua kuvendi më 26 dhjetor, në mungesë të një marrëveshjeje me LDK-në.

E ndër institucionet më të angazhuara këtë vit ishte Gjykata Kushtetuese, e cila pyet disa herë për të interpretuar nëse veprimet politike, ishin në pajtim me e Kushtetutës.

Më 3 shkurt, në kuvend u votua qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti, qeveri kjo e cila kishte 15 ministri, me një rekord prej pesë grash në poste ministrore. Qeveria Kurti mori besimin e 66 deputetëve, ndërkaq Lista Serbe, pavarësisht që u bë pjesë e qeverisë, abstenoi gjatë votimit.

Më 20 mars, pas presionit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Qeveria Kurti hoqi taksën 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke e zëvendësuar me vendosjen e masave të reciprocitetit. Por, ky vendim u mor pa e pyetur partneren kryesore, LDK-në, e cila kërkonte heqjen e plotë dhe pa kushte të taksës, ashtu siç kërkonin partnerët ndërkombëtarë.

Kjo ishte thyerja më serioze në raportet LVV-LDK, ku kjo e fundit thirri interpelancë për të debatuar “rrezikimin e raporteve me SHBA-në”.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Albin Kurti kundërshtonte heqjen e plotë të taksës, dhe ishte kundër vazhdimit të dialogut në Shtëpinë e Bardhë, nën arsyetimin se kishte informacione se “liderët po ftoheshin të nënshkruanin një marrëveshje tashmë të gatshme, e cila ishte dëmshme për Kosovën”.

Kundërshtimi i tij kishte nxitur debat të vazhdueshëm në distancë, me të dërguarin special presidencial amerikan, Richard Grenell, debat ky që ka vazhduar për gjatë tërë vitit.

Atëbotë, presidenti Hashim Thaçi ishte në favor të zhvendosjes së dialogut në Uashington, duke e akuzuar BE-në për stagnim dhe mospërmbushje të premtimeve për Kosovën.

Madje Thaço ishte shprehur kundër emërimit të Miroslav Lajçak në prill, në postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Më 11 mars, Kosova iu bashkua pjesës më të madhe të Evropës, duke filluar mbylljen graduale. Më 15 mars, u shfaqën rastet e para më koronavirus. Mbyllja shkaktoi humbje enorme në ekonomi, ndërkaq Qeveria Kurti miratoi Pakon e rimëkëmbjes ekonomike për ndihmuar bizneset dhe qytetarët, në vlerë prej 190 milionë eurosh.

E në këtë kohë të paprecedent për vendin, Kosova u bë shteti i vetëm evropian që rrëzoi qeveri në pandemi.

Më 25 mars, 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro mocionit të mosbesimit të qeverisë, që u iniciua nga partnerja qeveritare, LDK-ja pas shkarkimit nga ana e kryeministrit Kurti, të ministrit të Brendshëm, Agim Veliut, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së.

Me vetëm 52 ditë pune, Qeveria Kurti është qeveria më jetëshkurtër në historinë e re të Kosovës. Kjo qeveri, megjithatë mbeti qeveri në detyrë deri më 3 qershor, kur kuvendi votoi qeverinë e dytë nga legjislatura e dal nga zgjedhjet e 6 tetorit, 2019.

Qeveria Hoti

Pas dekretimit të Avdullah Hotit për kryeministër, LDK-ja u përball me telashe brenda partisë, ku kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani dhe tre deputetë të tjerë, ishin kundër qeverisë së re.

Më 61 vota për, Avdullah Hoti u zgjodh kryeministër i vendit. Ai e formoi qeverinë e re në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve.

Para zgjedhjes së Hotit, LVV-ja, e cila insistonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me dekretin e presidentit Thaçi, për normimin e Avdullah Hotit për të formuar qeverinë e re të vendit.

Gjykata, më 28 maj vendosi se dekreti ishte në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Tre ditë pasi mori detyrën, kryeministri Avdullah Hoti, më 6 qershor shfuqizoi vendimin e Qeverisë Kurti për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke i hapur rrugë organizimit të takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 27 qershor.

Por, ishte pikërisht 24 qershori, data kur presidenti Hashim Thaçi po udhëtonte drejt Uashingtonit, kur kosovarët mësuan se lideri i shtetit ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara, e njohur si Gjykata Speciale dhe se ndaj tij ishte përpiluar propozim-aktakuza për krime lufte. Në njoftimin e Gjykatës u bë e ditur se në aktakuzë me Thaçin ishte i përfshirë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Takimi i Uashingtonit u anulua pasi Thaçi vendosi të kthehej në Kosovë.

Më 20 qershor, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së vendosi ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga të gjitha funksionet në parti, gjë që nxiti debat të ashpër ndërmjet saj dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, akt të cilin Osmani e cilësoi si përjashtim nga partia.

Gjatë stinës së verës, Kosova u godit nga vala e dytë e COVID-19, ku rastet e të infektuarve me koronavirusin e ri dhe vdekjeve arritën rekorde të reja.

Qeveria në gusht arriti të kalojë në kuvend Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, por në gjashtë tentime dështoi që ta miratojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili u miratua në parim në përpjekjen e shtatë, më 12 tetor.

Më 16 korrik, Kosova dhe Serbia rinisën dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me takimin e kryeministrit kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Takimi i shumëpërfolur i Uashingtonit, u mbajt më 3 dhe 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ku në prezencën e presidentit amerikan, Donald Trump, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje bilaterale me SHBA-në, ku u zotuan për atë që u quajt ‘normalizim ekonomik’ ndërmjet dy vendeve.

Por, marrëveshja nuk ishte vetëm ekonomike. Aty u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe zotimi i Kosovës dhe Serbisë për hapjen e ambasadave të tyre në Jerusalem, gjë e cila është në kundërshtim me politikën zyrtare të BE-së, ku të dyja vendet aspirojnë të anëtarësohen.

Nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington ishte karakterizuar me dramë në raportet LDK-AAK. Kjo e fundit, kërcënonte me largim nga qeveria nëse kryeministri Hoti nënshkruan marrëveshjen ku përfshihet çështja e menaxhimit të Liqenit të Ujmanit.

Më 7 shtator, liderët e Kosovës dhe Serbisë u takuan sërish në Bruksel, ku presidenti serb, Vuçiq kishte kërkuar hapjen e temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq Kosova insistonte se do ta zbatojë marrëveshjen për këtë çështje, pasi të arrihet marrëveshja për njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.

Që nga atëherë, dialogu në Bruksel në nivel liderësh është ndërprerë, për shkak të siç është thënë ‘situatës me pandemi’, por pandemia nuk ka qenë pengesë për takime në nivel të koordinatorëve të dialogut.

Arrestimet e Speciales

Në javën e fundit të shtatorit, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nisën arrestimet e para të të akuzuarve për krime lufte.

Më 24 shtator, në Prishtinë u arrestua Salih Mustafa, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, pak para arrestimit të parë, më 7 shtator, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pretendoi se ka mbi katër mijë dosje të Gjykatës Speciale, pasi i ato ishin dorëzuar në mënyrë anonime zyrës së kësaj organizate.

Dorëzimi i dokumenteve në selinë e kësaj organizate u bë edhe në dy javët pasuese gjë që nxiti edhe ndërhyrjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe arrestimin e kryetarit të shoqatës, Hysni Ngucati dhe nënkryetarit, Nasim Haradinaj më 25 shtator.

Arrestimet vazhduan në fillim të nëntorit, me Jakup Krasniqin, ish-zëdhënës i UÇK-së.

Dy ditë pas, më 5 nëntor, presidenti Hashim Thaçi konfirmoi se ka marrë njoftimin për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara, nën dyshimet për krime lufte. Po të njëjtën datë, ai dha dorëheqje nga posti i presidentit.

Aktakuza iu konfirmua edhe Kadri Veselit e Rexhep Selimit

Thaçi, Veseli e Rexhep Selimi udhëtuan më të njëjtin aeroplan për në Hagë, dhe së bashku me Krasniqin janë pjesë e aktakuzës së përbashkët.

Që të katërt, i kanë mohuar pretendimet e prokurorisë dhe janë deklaruar të pafajshëm. Ende nuk dihet kur do të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre, por mbrojtja ka kërkuar 18 muaj kohë për përgatitje, ndërkaq prokuroria kërkon që procesi të nis gjatë vitit 2021.

Më 5 nëntor, Vjosa Osmani filloi ushtrimin e detyrës së presidentit, ashtu edhe siç parashikohet me Kushtetutë. Osmani mund ta ushtrojë këtë post më së largu deri më 5 maj, 2021.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, Kosova po e përmbyll vitin pa qeverinë e dytë të krijuar nga e njëjta legjislaturë.

Qeveria Hoti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila po shqyrtonte qe 5 muaj kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për vlefshmërinë e votimit të qeverisë, pasi për të kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me burg të formës së prerë, me mbi një vit burgim.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor, e shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës dhe urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e lënë megjithatë Qeverinë Hoti, si qeveri në detyrë.

Me president e qeveri në detyrë, Kosova po e përmbyll këtë vit pandemik; politik e shëndetësor, në pritje të procesit zgjedhor, i cili si rrallë herë më parë, duhet të prodhojë koalicion me mbi 80 vota.

Pos qeverisë, kuvendi i ri duhet që të zgjedhë edhe presidentin e ri, e dështimi për ta bërë këtë, do të mund prodhojë krizë të re, zgjedhje të reja, por edhe do ta linte shtetin pa lider. /rel/Telegrafi/