LAJMI I FUNDIT:

Viti i mbrapshtë 1914

Viti i mbrapshtë 1914
Ilustrim

Uran Butka

Veprat e vërteta mbeten aktuale në çdo kohë. Kështu, edhe botimi “Principata Shqipëri” të autorit Karl Thopia – pjesë e hulumtimeve historike iliro-shqiptare të një grupi albanologësh të shquar të Perandorisë Austro-Hungareze, viti 1916.


Kur e lexon këtë vepër, të duket sikur është shkruar sot, ndërkohë që është botuar në atë kohë dhe që kryesisht trajton ngjarjet dramatike të motit 1914, si një kronikë e përpiktë e asaj periudhe të rëndësishme historike. Shtohen vlerat shkrimore të botimit, edhe nga parathënia e albanologut Dr.Ludvig von Talloczy mbi veprën dyvëllimëshe “Hulumtime iliro-shqiptare”, përgatitur po nga dr.Tallozczy për çështjen shqiptare, që ishte kthyer në çështje evropiane dhe për dijetarët e monarkisë dualiste ishte bërë një çështje nderi, si edhe një objekt studimesh albanologjike të çmuara për historinë e Shqipërisë.

Trajtesa historike “Principata Shqipëri” na jep një tablo besnike dhe poliedrike të problemit shqiptar, parë në marrëdhënie ndërshtetërore ballkanike dhe diplomatike evropiane, jo vetëm përgjatë vitit 1914, por edhe më herët, me shpalljen e aktit të Pavarësisë dhe ngjarjet në vazhdim të vitit 1913.

Në vepër theksohet se ideja kombëtare, apo nacionalizmi, që përfshiu Evropën në shek.19-të për formimin e shteteve unitare kombëtare, tek shqiptarët kjo ide kombëtare ishte e dobët, mbeti brenda disa drejtuesve intelektualë dhe nuk arriti në një proces zhvillimi të përgjithshëm për krijimin e shtetit komb. Krijimi i Shqipërisë së pavarur nuk kishte buruar nga vullneti i brendshëm kombëtar, nuk ishte pjekur për këtë stad.

“Shqipëria u krijua si shtet i pavarur, bazuar në marrëdhëniet e natyrës politike… Populli nuk e kishte kuptuar ende rëndësinë e detyrës që e priste” – shkruan autori Karl Topia. Pra, Shqipëria e pavarur, sipas tij, ishte një akt i rrethanave politike dhe i zgjidhjeve diplomatike, që buronte kryesisht nga lidhja, interesat dhe rivaliteti italo-austrohungarez, por edhe i Fuqive të Mëdha.

Sipas meje, autori përgjithësisht nuk ka të drejtë plotësisht për formulimin e kësaj teze, sepse edhe faktori i brendshëm shqiptar, qoftë ende i papjekur kombëtarisht, nëpërmjet lëvizjeve të rëndësishme si Rilindja Kombëtare dhe sidomos veprimtaria madhore e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mandej edhe nëpërmjet personaliteteve të shquara shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Mit’hat Frashëri etj., luajtën rolin e tyre të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë në një moment kritik ekzistencial për kombin dhe shtetin shqiptar. Po të mos ishte shpallur dhe publikuar ndërkombëtarisht ky akt nga faktori patriotik shqiptar, çështja shqiptare nuk do të diskutohej dhe njihej dhe Shqipëria as që do të figuronte në hartën e botës. Natyrisht, më pas ishte faktori ndërkombëtar, sidomos politika e Austro-Hungarisë dhe e Italisë për mbështetjen, ngritjen dhe implementimin e shtetit të ri shqiptar, me gjithë kontradiktat edhe interesat e ndryshme të jashtme dhe vështirësitë gati të papërballueshme të brendshme shqiptare.

Pas rënies së Turqisë Evropiane, Austro-Hungaria dhe Italia u paraqitën si dy fuqi evropiane, për krijimin e një Shqipërie të mëvetshme, gjithsesi për interesat e tyre strategjike, në një sfond këndvështrimi kombëtar shqiptar, si edhe në një këndvështrim Adriatik. Ishte fjala për zotërimin e Adriatikut dhe ndalimin e përparimit të sllavëve drejt Adriatikut, një çështje e rëndësishme për ta.

Këto interesa të ndërsjella sollën njohjen dhe më pas statusin organik të Principatës Shqipëri, paraqitur nga Austro-Hungaria dhe Italia në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, si edhe përpjekja, veçanërisht e Austrisë, për kufijtë natyrorë të Shqipërisë, që u cunguan po nga ajo konferencë e Fuqive të Mëdha. Hapësirës shqiptare etnike iu shkëputën padrejtësisht territore dhe popullsi të mëdha dhe iu dhanë si mëlçitë në kandarin e kasapit, shteteve fqinje: Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, duke e katandisur Shqipërinë në një principatë, gjithsesi të garantuar nga Fuqitë e Mëdha dhe me në krye një princ të zgjedhur nga ato fuqi. Shto më pas edhe përpjekjet imperialiste të Italisë për të realizuar ëndrrën e vjetër romane të zotërimit jo vetëm të Adriatikut, por edhe të krejt Shqipërisë e më gjerë.

Këto çështje janë cekur bukur mirë në këtë studim, ndonëse ky nuk është objekti i studimit, që në fakt është viti i mbrapshtë 1914. Studimi përqendrohet tek vendimmarrja e Fuqive të Mëdha, roli i KNK (Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri, të përbërë nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të Mëdha, përzgjedhja e Princ Vidit, ardhja e tij në Shqipëri dhe e oficerëve ndërkombëtarë holandezë, zgjedhja dhe funksionimi i qeverisjes, si edhe ngjarjet anarkike e tragjike të brendshme të nxitura nga Turqia, Italia, Serbia dhe Greqia për interesat e tyre shovene, që më në fund çuan në rrëzimin e regjimit princëror dhe largimin e Princ Vidit. Gjithsesi, Austro-Hungaria mbeti e vetmja forcë madhore në mbrojtje të çështjes shqiptare.

Mendoj që studimi i ka dhënë qartësisht dhe objektivisht këto ngjarje të ndërthurura shqiptare, ballkanike dhe evropiane, por në një vështrim të përgjithshëm, pa u thelluar më tej në ngjarjet, forcat lëvizëse, pasojat katastrofike dhe të ardhmen e Shqipërisë. Më së shumti, në këtë botim është synuar në paraqitjen e situatave në këndvështrimin e politikës edhe diplomacisë austro-hungareze, duke theksuar me kurajë edhe një farë zhgënjimi nga diplomacia e saj, por edhe më shumë se kaq, nga politikat antishqiptare e disa fuqive të mëdha dhe vendimmarrjes së tyre, tek shkruhet tekstualisht: “Kështu, fryma e helmuar e politikës evropiane kishte helmatisur në mënyrë të turpshme vendin dhe princin e tyre”. Ishte kjo politika e Italisë, Rusisë, Francës, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, por edhe Turqisë së mundur dhe e vendeve fqinje, që nxitën anarkinë dhe luftën civile, si edhe rrëzimin e shtetit e largimin e princ Vidit.

Në mënyrë të veçantë, lëvizjet esadiste në Dibër dhe Shqipërinë e Mesme, si edhe lëvizja antishqiptare për Vorio-Epirin, e urdhëruar nga Greqia nëpërmjet ushtrisë dhe bandave të armatosura të andartëve, me në krye agjentët e saj Zografos, Karapanos, Spiro Milo, Varatas e të tjerë, me të cilët hyri në negociata e veprime të gabuara edhe qeveria e Vidit dhe KNK, duke e komprometuar veten dhe çështjen shqiptare. Këto ngjarje janë dhënë me paanësi të admirueshme historike dhe janë mësime të vlefshme për historiografinë shqiptare. Mendoj që për rebelimin antikombëtar proturk të Shqipërisë së Mesme, ku kanë dorë edhe emisarët e lartë turq, edhe Esad Toptani, edhe politika italiane dhe serbe, autori mund të ishte thelluar më tepër, ndonëse thekson me të drejtë e me fakte të pakundërshtueshme se nuk ishte një lëvizje fetare, por politike, ndërkohë që nuk përmend krerët kryesorë të rebelimit: Myftiu Musa Qazimi, Qamil Haxhifeza, Alush Lohja, Haxhi Qamili e të tjerë.

Autori i studimit, Karl Topia, na jep me vërtetësi historike edhe personazhet dhe aktorët historikë të asaj periudhe. Në mënyrë më të plotë Princ Vidin, personalitetin e tij dhe veprimtarinë shtetërore në Shqipëri. ”Ai nuk ishte i përgatitur për të bërë asgjë në situatat e vështira shqiptare dhe për vendimmarrjen jo në kohën duhur, duke mos e njohur terrenin shqiptar”.

Autori nuk kursen as Ismail Qemalin, liderin dhe proklamuesin e Pavarësisë, që më pas u komprometua me lëvizjen proturke për një princ turk (çështja Grebeneja) për të cilën u detyrua nga KNK të jepte edhe dorëheqjen, si edhe ideja e tij e gabuar, kur u kthye nga Italia në Durrës tek Princ Vidi, për kantonizimin e Shqipërisë.

Autori paraqet me delikatesë diplomatike edhe paaftësinë e kryeministrit Turhan Pashë Përmeti, që nuk ishte zgjedhja e duhur, si edhe të ministrave të tij.

Me penelata të forta, autori jep pikëpamjen e tij dhe të Austro-Hungarisë për figurën e Esat Toptanit, politikat e tij personale dhe tejet të dëmshme ndaj çështjes shqiptare, lidhjen dhe shërbimet e huaja dhe veçanërisht ndaj Italisë në këtë kohë, intrigat dhe pabesinë ndaj Princ Vidit, duke qenë ministër i tij. “Një natyrë intrigante, dinake e dhunshme dhe energjike, ai i shtrinte fijet e tij në çdo drejtim. I parapëlqyeri i Italisë, ai nuk linte gjë pa bërë në mënyrë që të siguronte mbështetje edhe nga xhon-Turqit, edhe nga serbët dhe grekët, për të mos harruar malazezët, me të citët qysh prej rastit të dorëzimit të Shkodrës, ishte lidhur në mënyrë të dyshimtë”, – shkruhet në libër.

Vlerësim të lartë ka autori, me shumë të drejtë, për oficerët holandezë, për veprën dhe sakrificën e tyre për Shqipërinë. “Secili prej tyre është një hero” shkruan ai. Ata jo veten ngritën dhe instruktuan xhandarmarinë shqiptare, por edhe luftuan edhe vetë dhe u disa u vranë për lirinë dhe pavarësinë e shtetit shqiptar. Ndërkohë, krahas vlerësimit si hero, fajësohet koloneli Tomsoni për marrëveshjen me Vorioepirotët.

Historia e vërtetë është e pamëshirshme. Ne shqiptarët kemi nevojë për të vërtetën historike dhe ky botim i vlen historiografisë shqiptare për të vërtetën historike që jep.

Është edhe merita e përkthyeses dhe redaktores së botimit, Lindita Komani, që ka studiuar në Austri, njëherësh atdhetare, por edhe hulumtuese, zbuluese dhe studiuese e materialit historik. Ajo ka bërë një përkthim model nga gjermanishtja, duke shqipëruar mendimin dhe njëherësh e ka pasuruar botimin në shqip me shënimet e saj për autorët, personazhet, ngjarjet, termat, frazeologjinë, idiomat, parathënien e saj dhe treguesit e emrave në fund të librit, duke sjellë kështu edhe ndihmesën e saj në kulturën tonë. /GSH/

Në trend Kultura

Më shumë
A është Bubulina shqiptare?

A është Bubulina shqiptare?

Kulture
Formula kanunore

Formula kanunore

Kulture
Atentatet, tenisi dhe 250 cigare në ditë: 50 fakte nga jeta e Ahmet Zogut

Atentatet, tenisi dhe 250 cigare në ditë: 50 fakte nga jeta e Ahmet Zogut

GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Vdekja dhe e bukura tek Azem Shkreli

Vdekja dhe e bukura tek Azem Shkreli

Jeta në komunizmin shqiptar

Jeta në komunizmin shqiptar

Kalo në kategori