LAJMI I FUNDIT:

Violenca ndaj natyrës

Violenca ndaj natyrës

Keni dëgjuar për Liqenet e Lurës? Nëse eventualisht nuk keni dëgjuar, më lejoni t’ju kujtoj se ata janë një sërë liqenesh malorë në Republikën e Shqipërisë, të cilat si të tilla janë fenomen i rrallë i natyrës, që paraqesin bukuri mahnitëse natyrore. Unë nuk i kam vizituar kurrë këto liqene dhe kam pak për t’ju treguar. E tëra që kam parë është një apo dy emisione dokumentare nga ku kam mbetur i mahnitur nga ato pamje përrallore nga regjistrimet televizive.

Në mes të informacioneve të cilat plasoheshin për publikun në ato emisione dokumentare, të cilat flisnin për aspekte të ndryshme të vetive të këtyre liqeneve, në mes tjerash edhe sot e kësaj dite më ka mbetur në mendje edhe një ide e krisur e ish sistemit komunist shqiptar, e ajo ishte ideja që një qytet, nëse nuk gaboj ky duhej të ishte Durrësi, ishte menduar të furnizohej me ujë nga rezervat e këtyre liqeneve malore. Për këtë apo atë shkak, fatmirësisht ky projekt kurrë nuk kishte arritur të realizohej, edhe pse kishte pas filluar realisht të punohej në këtë drejtim.


Nuk e mohoj faktin se nga informacione e mëvonshme që kam marrë lidhur me këto liqene, kam kuptuar gjendjen shumë të keqe të shkaktuar na faktori njeri. Kam parë pamje tmerruese të masës drunore të shkatërruar, e cila as më shumë e as më pak e kishte shkretuar ekosistemin e atij lokacioni aq endemik, sa që mundë të thaheshin fare. Atë që nuk kishte arritur ta bënte me vetëdije një sistem aq pak miqësor me natyrën, ashtu siç ishte komunizmi, konkretisht komunizmi shqiptar, kishte arritur ta bënte faktori njëri në atë që quhet shoqëria postkomuniste shqiptare.

Me gjithë shkaqet e ndryshme që lidhen me varfërinë e banorëve, kurrë nuk mund ta justifikoj shkatërrimin e tillë të natyrës nga banorët, apo kushdo tjetër që ka pasur zemër aq të keqe ta bëj atë degradim natyrorë.

Sot, duke qenë se aktualisht nuk kam informacione të freskëta lidhur me këta liqene, e tëra që më duhet dhe mund të e them është të shpreh dëshirën time që ai rezervat natyror të jetë i mbrojtur tani dhe pastaj të tjerat natyra i rregullon vet. Pra, uroj që këta liqene të jenë në gjendje të mirë, ashtu siç do të duhej të ishin.

Miq të dashur! Njerëz qëllimmirë dhe që keni sadopak respekt për natyrën dhe që i kuptoni sadopak aspektet e ekologjisë, ku besoj se edhe unë bëj pjesë. Posaçërisht ju njerëz që e keni pasion natyrën dhe ju që jeni shkolluar dhe e keni profesion mbrojtjen e saj. Veçanërisht ju qytetarë të Prishtinës, edhe pse unë nuk jam një nga ju. Më lejoni që t’ju tërheq vëmendjen vetëm për një aspekt: duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për rolin që ka uji në jetët tona; duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për problemet me ujë që i ka krejt Kosova, e posaçërisht Prishtina, më duhet t’ju them hapur se jam ndier i tmerruar nga analogjia që pash (apo krijova në kokën time) mes historisë së liqeneve të Lurës dhe parkut të Gërmisë.

Në fakt, mendoj se një gabim fatal ekologjik mund të ndodhë nëse do të realizohen ato që u paraqitën në një kronikë lajmesh në njërin nga televizionet nacionale. Me gjithë respektin për personalitetin dhe përkushtimin e kryetarit të Prishtinës për ta zgjidhur problemin e ujit në qytetin e Prishtinës, më është e pamundur si individ, që kam njohuri modeste për ekologjinë dhe ekosistemet e natyrës, të mos e kundërshtoj idenë që Prishtina të furnizohet me ujë nga shpimet e thella në lokacionin e Gërmisë, pasi mendoj se këto intervenime nuk duhet të ndodhin për shkakun e thjesht se as nuk mund t’i plotësojnë nevojat e qytetit, por edhe më keq për shkak se konsideroj se shpimet e thella dhe eksploatimi i egër i ujërave nëntokësore të Gërmisë do të shkaktonte tharjen dhe shkretimin e Gërmisë për një periudhë të shkurtë.

Vendosmërisht jam kundër që kjo të ndodhë. E tëra që mund të ngjajë në këtë rast është akumulimi racional i ujërave që në mënyrë natyrore na i jep Gërmia, e assesi shpimet. Kjo do të ishte vrasje e Gërmisë. Unë mendoj se kjo nuk guxon të ndodhë në asnjë mënyrë. Shteti dhe shoqëria e Kosovës duke racionalizuar veprimet e tërësishme të tyre, munden të akumulojnë sasi të duhur uji duke investuar në këtë drejtim, duke marrë masa uji nga lumenjtë fatkeqësisht mjaftë të ndotur nga ne, sado e lartë që te jetë kostoja e këtij investimi. Gërmia nuk bën të sakrifikohet as për qindra miliardë e lëre me për disa milionë.

Nuk e konsideroj veten njeriu i duhur i cili e ka ekspertizën e duhur për të dhënë konstatime profesionale për pasojat konkrete nga kjo ide e krisur, nëse vërtetë është ide dhe synohet të realizohet. Por, e di se ideja e shpimeve ne Gërmi për ta furnizuar Prishtinën me ujë është e gabuar.

Konsideroj se kryetari i Prishtinës nuk duhet lejuar të ndodhë kjo, sepse kjo më sa paku pritet nga një student i Harvardit.

Kjo ide, siç thamë në fillim, ishte ide bizare e komunistëve shqiptarë ne rrethana të ngjashme. Gërminë nuk duhet rrezikuar. Gërminë nuk duhet lënduar ashtu siç janë lënduar liqenet e Lurës. Me gjithë trishtimin që e ndaj lidhur me mungesën e ujit në kryeqytet, me gjithë konsideratën për përkushtimin aktual për t’u zgjidhur ky problem nga Shpend Ahmeti, dhe duke qenë i liruar nga çfarëdo instrumentalizimi pragmatik individual, nga ana ime uroj që ky opsion të mos ndodhë. Diçka që është krijuar me miliona vite nuk duhet shkatërruar për dhjetëra vite. Aq më tepër kur kemi alternativa tjera. Aq më tepër kur ne të gjithë mundë të jemi shumë më miqësorë me ambientin tonë. Sidomos me ujin.