LAJMI I FUNDIT:

Vështrim alternativ i legjendës së Rozafës


Normal
0

false
false
false

EN-GB
X-NONE
X-NONE

/* Style Definitions */
table.MsoNormalTable
{mso-style-name:”Table Normal”;
mso-tstyle-rowband-size:0;
mso-tstyle-colband-size:0;
mso-style-noshow:yes;
mso-style-priority:99;
mso-style-parent:””;
mso-padding-alt:0cm 5.4pt 0cm 5.4pt;
mso-para-margin-top:0cm;
mso-para-margin-right:0cm;
mso-para-margin-bottom:10.0pt;
mso-para-margin-left:0cm;
line-height:115%;
mso-pagination:widow-orphan;
font-size:11.0pt;
font-family:”Calibri”,”sans-serif”;
mso-ascii-font-family:Calibri;
mso-ascii-theme-font:minor-latin;
mso-hansi-font-family:Calibri;
mso-hansi-theme-font:minor-latin;
mso-bidi-font-family:”Times New Roman”;
mso-bidi-theme-font:minor-bidi;
mso-fareast-language:EN-US;}

Rreth dramës së re të botuar të Ekrem Kryeziut, “I biri i Rozafës”.

1

Vështrimi ndryshe i legjendës së Rozafës si në rrafshin e reales dhe sureales, të ideve, mesazheve dhe larmisë së formave artistike e ka orientuar dramaturgun në formësimin e kësaj drame duke vendosur në qendër të saj luftën për të vërtetën, drejtësinë dhe mbrojtjen e jetës nga bota e pistë dhe e ndyrë, çka mesazhet janë universale dhe të gjithëkohëshme.

Njerëzit me dije e shije, veçanërisht specialistët dhe kritikët me integritet, si dhe publiku artdashës, do ta pëlqejnë dramën “I biri i Rozafës” të Ekrem Kryeziut e cila të jep kënaqësi estetike, artistike dhe kumtore, sidomos për atë që i flet kohës sonë.

E vlerësoj të suksesshme që në krye të herës mënyrën si është shestuar dhe strukturuar drama. Si është shkrirë realja me surealen në ngjarjet, konfliktet dhe dramat e personazheve mitikë e surealistë në integrim me personazhet e botës reale dhe historike. Mënyra si është konceptuar dhe trajtuar Populli, zanat e shtojzovallet, duke zënë vend të rëndësishëm në dramë si një kor moderno-klsasik në konflikt të vazhdueshëm për të zbuluar të vërtetën në akordancë me personazhet kryesorë. Madje edhe mënyra si është strukturuar ngrehina dramatike, duke aplikuar forma të ndryshme të teatrit total, është shkruar me profesionalizëm.

Të gjithë komponentët e dramës dhe mjetet shprehëse dramatiko-skenike janë në funksion të domethënies përmbajtjesore të dramës dhe mesazheve të saj nga një pikëvështrim origjinal. Kjo, padyshim, është punë krijuese prej profesionisti e dramaturgut Kryeziu.

2

Druaj se regjisura jonë në kizë e ka të vështirë ta realizojë këtë vepër me cilësinë e duhur. Por, duke gjykuar se edhe drama jonë kombëtare është në krizë të cilën e sfidon vepra “I biri i Rozafës”, kjo më jep siguri ta shoh edhe regjisurën me këtë sy. Sipas gjykimit tim kemi (ndonëse të pakët) edhe regjisorë që mund ta kapin suksesin nëse vetorientohen në kah të vështrimeve të reja dhe alternativave regjisoriale të ndryshme e të larmishme.

3

Drama “I biri i Rozafës” është vepër surealiste, realiste dhe ekzistenciale, madje edhe klasike edhe e realizmit magjik. Integrimi i tyre në një bashkësi artistiko-skenike, duke formësuar realitetin dramatik me fantazi të jashtëzakonshme, mbështetur në legjendën e mrekullueshme të Rozafës, është qasje moderne origjinale. Nëpërmjet një subjekti, sa të thjeshtë aq dhe kompleks, ka krijuar me art kurthin e vrasjes të At Lazrit, ku kurthngritësi At Kerubini akuzon dhe fajëson si vrasës të birin e Rozafës – Ermalin e pafajshëm. Me alibinë e drejtësisë lufton me këmbëngulje të egër, gjer në dhunim të lirisë së mendimit e qëndrimit të të tjerëve për të fshehur të vërtetën se kush është vrasësi. Alibia e drejtësisë vret drejtësinë dhe të vërtetën, do të thoshte Albert Kamy.

Tri karakteristika unikale shoh te kjo vepër. Dramën e së vërtetës, të drejtësisë dhe të harresës e bartin gjithë personazhet në mënyrë specifike, sipas vështrimeve të ndryshme e të kundërta. Veçoria e dytë është ndërthurja e konfliktit jo vetëm midis Ermalit dhe At Kerubinit, por edhe ndërmjet këtij të fundit me Rozafën, Arqipeshk Luçianin, Gjergj Elez Alinë, Pjetër Bogdanin, Djalin e Gjon Markut etj. Si veçori të tretë shquaj dimensionimin e kuptimësisë që i jep autori flijimit të Rozafës. Ja njëri prej tyre (Rozafa i drejtohet Zanës dhe shtojzovalleve): “Motrani, pashë këtë qiell e këtë tokë, për kë e ku u flijova”?! Zana: “U flijove për atë që le pas vetes, për frytin I n tënd dhe frytet e tyre, brez pas brezi…”.

4

Nëpërmjet bëmave dhe dialogëve e monologëve të personazheve, dimensionohet debati dhe konflikti duke hedhur dritë mbi kuptimësinë e jetës e të vazhdimësisë së saj, të sakrificës e flijimit, të së vërtetës dhe gënjeshtrës, mashtrimit e kurthërimit, të së keqes dhe së mirës. Të asaj që duhet të refuzohet, asaj që nuk duhet të harrohet dhe asaj që duhet të afirmohet. Këto ide filozofike janë mishëruar artistikisht, ndaj dhe kanë vlera të veçanta. Teoricienët e letërsisë, Velek dhe Uoren, do të thoshin: “Idetë filozofike, patriotike, sociale etj., kanë vlera në një vepër letrare apo artistike, vetëm nëse ato mishërohen artistikisht”. Këtë e ka realizuar me nivel artistik dramaturgu Kryeziu.

5

Në gjyqin pa gjyqtarë që i bëhet të birit të Rozafës, ku rolin e kryegjyqtarit e lot vetë kurthngritësi At Kerubini, masa e Popullit është vendosur në qendër të dramës, si një kor modern. Ndonëse të kujton korin klasik si zë opozitar i masës ndaj dukurive negative, në dramën e Kryeziut Populli është paraqitur me një realizëm sa të ashpër aq dhe të vërtetë, si një turmë e ndarë më dysh që shkojnë nga fryn era. Megjithatë, në momente të rëndësishme, kur bindet për të vërtetën, e duartroket atë duke mbajtur qëndrimin e duhur.

Nga polisemantika e tekstit në nënshtresat e tij, lexuesi s’e ka të vështirë të bëjë përqasjen me kohën tonë dhe të marrë kumtin kritik ndaj dukurive negative që përsëriten e shfaqet edhe sot në forma të ndryshme, të kamufluara, të stërholluara e mistifikuara, në ngjarje, situata e rrethana të ndryshme. Këto mesazhe, të cilat janë të shumta, të larmishme, të fuqishme dhe universale, do t’i vlerësoja si thirrje për njeriun dhe shoqërinë, që të çlirojnë vetveten për të luftuar për të vërtetën dhe drejtësinë, për një botë më të moralshme dhe më të përsosur që është ndër mesazhet më substanciale të kësaj drame moderno-klasike.

6

Vizioni dhe shestimi alternativ i dramës buron nga vetë legjenda e Rozafës me përmbajtjen e saj sureale dhe reale, fantastike e magjike, sa e jashtëzakonshme aq dhe tragjike e dramatike- – një lëndë e parë dhe e begatë, do të thosha e florinjtë, që e ka shfrytëzuar më së miri dramaturgu duke aplikuar një arsenal mjetesh moderno-klasike, i vetëdijesuar se sa më të larmishme të jenë ato, aq i mundshëm është realizimi i suksesshëm i dramës në tërësi dhe personazheve të saj në veçanti. Në gjykimin tim, autori i vetorientuar në kahen e duhur ia ka dalë me guxim kësaj ndërmarrjeje të vështirë.

“I biri i Rozafës” është një dramë historike me vlera që sjell risi në këndvështrimin edhe përtej legjendës, në strukturim dhe formësimin e personazheve me individualitet të spikatur, ku do të veçoja At Kerubinin, Rozafën, Ermalin, Gergj Elez Alinë, Pjetër Bogdanin, Arqipeshkëv Luçiani, Mis Edit, Gjon Marku dhe Djali.

7

Portretizimin e shumë personazheve e shoh të ravijëzuar në dialogë e debate, në konflikte, ngjarje e situata dhe më pak te bota e brendshme e tyre. Ndërsa te disa të tjerë, më të rëndësishmit në dramë, si: At Kerubini, Rozafa, Ermali, Gjergj Elez Alia, Populli etj. autori ka krijuar portretin psikofizik kompleks të tyre duke depërtuar thellë në botën psikologjike, sipas karakterit të secilit. Pa hyrë në analizë të gjerë, nënvizoj se portreti më i realizuar është i At Kerubinit: djall i veshur me veladonin e priftit, brenda të cilit fshihet krimineli, vrasësi. Agresiv për të mbrojtur alibinë e drejtësisë, makiavelist për të realizuar qëllimin e tij, për të zhdukur me çdo mjet Oshënarin e nderuar At Lazrin që i shërbente kishës dhe popullit me devotshmëri e pastërti, sa kish hyrë në zemrat e tyre. Kjo, “i prishte punë” alibistit të drejtësisë në etjen e përbindshme për t’u ngjitur në karrierë.

Krejt ndryshe portretizohet figura e Rozafës, në të gjitha veprimet psikofizike të saj: kur kalon në heshtje në skenë si hije, me dramën e madhe mbi shpinë pa u vënë re, kur bisedon me shtojzovallet si ta mbrojë të birin e pafajshëm, kur shpërthen kundër padrejtësisë që shitet si drejtësi, ligësisë si mirësi, amoraliteti si moral, në ndeshje ballëpërballë me At Kerubinin duke ia çjerrë maskën e duke triumfuar mbi të. Një luftëtare e guximshme dhe vizionare, mbrojtëse e farës së jetës, akuzuese e punëve të pista e të ndyra të botës kur ajo u flijua, që është mesazh edhe për të sotmen e të nesërmen.

Ndërsa, personazhi i Gjergj Elez Alisë është formësuar si luftëtar, mentar e gojëtar që flasin plagët e tij të hapura në mbrojtje të drejtësisë dhe të vërtetës që të mos dënohen të pafajshmit si fajtorë dhe të mos harrohet e shkuara me bëmat e gjëmat e saj.

Nga një optikë tjetër është realizuar portreti kolektiv i Popullit si opozitar, ndarë më dysh, siç e ceka më sipër. Një pjesë mbështesin At Kerubinin. Një pjesë Rozafën. Ky vështrim realist sfidon trajtimin e figurës së popullit sipas rutinës e stereotipisë, duke e parë në kompleks me anët e mira dhe të këqija, herë duke u gënjyer herë duke u zhgënjyer, herë i turbullt, herë i kthjellët, por sapo kupton se cila është e vërteta shkon në kahun e duhur. Kryeziu, si personazhin ashtu edhe realitetin fikshën nuk i sheh bardhezi, por në kompleks duke integruar me sukses kohërat e hapësirat dhe duke shkrirë surealen me realen. Kjo qasje është ndër vlerat e rëndësishme të modernitetit të dramës, që u shtohet vlerave të tjera të shumta, brenda relativitetit të përsosmërisë.

8

Asnjë lloj pune, veprimtarie e krijimtarie nuk mund ta arrijë të përsosurën. Ajo nuk ka limit. Autori e di këtë. Synimi i tij drejt niveleve të epërme artistike dhe estetike në këtë dramë, ka arritur vlera mesatare dhe të larta, çka është shtegtim drejt të përsosurës e cila nuk ka as majë as fund. Parë nga kjo optikë do të dëshiroja që autori të rishikojë disa konstatime nga pikëvështrimi im, nëse i konsideron se vepra fiton qoftë edhe një vlerë më shumë. Pa hequr asnjë presje për vlerat që evidentova më lart, mendoj se është i nevojshëm një redaktim i vëmendshëm i disa pjesëve të dramës nga autori, për mënjanimin e përsëritjeve në forma të ndryshme: të ideve, mendimeve e qëndrimeve, sidomos te personazhi kolektiv Populli. Në disa skena, tablo e pjesë, tejkalohet sensi i masës, çka funksioni i përsëritjes, i theksimit, ngjyrimit dhe dimensionimit të mendimit e qëndrimit zbehet, emocionaliteti pëson ulje bashkë me kënaqësinë estetike, sidomos një pjesët e fundit.

Përveç kësaj do të dëshiroja që: të sfumohet edhe një farë patetizmi që shfaqet aty këtu, jashtë stilit poetik, eseistik, racional e dramatik dhe gjuhës me kolor të autorit që shpreh bukur mendimet dhe idetë e veprës “ I biri i Rozafës”.

9

Në këtë dramë autori flet jo vetëm nëpërmjet gjuhës me kolor, dialogut e monologut të personazheve e bëmave të tyre, por edhe të atmosferës si një ndër përbërësit substancial të veprës. Flet edhe me anë të paraqitjes së vizionit skenografik, i cili në gjykimin tim është funksional, i bukur estetikisht dhe shprehës i ideve e mendimeve, në unitet me shestimin tërësor të dramës. Përshkrimi i vendit të veprimit të personazheve dhe ngrehinës skenografike me profesionalizëm nga Kryeziu, është dritare për çdo regjisor që do ta inskenojë dramën, për të kuptuar më mirë atë dhe pasuruar e nxitur fantazinë, si në rastin kur mund të mbështetet kryesisht te vizioni i dramaturgut duke u shkrirë me të, apo kur frymëzohet nga teksti përshkrues dhe me fantazinë e tij krijon forma e mjete të ndryshme figurative, metaforike e simbolike skenografike.

10

Duke përmbyllur këtë optikë kritike, theksoj se dramaturgu Ekrem Kryeziu me dramën “I biri i Rozafës” sjell risi në vështrimin alternativ të legjendës, në shestim e strukturim të dramës dhe në marrëdhëniet e personazheve realë me personazhet surealë e mitikë. Këtu do të nënvizoj se personazhet kryesorë janë edhe simbole: Rozafa simbol i mbrojtjes së jetës dhe vazhdimësisë së saj. At Kerubini simbol i së keqes, i djallit, i cili për të realizuar egon karrieriste të tij lufton me të gjitha mjetet për të shkatërruar gjithçka, vetëm të fitojë. Ndërsa Gergj Elez Alia simbol i plagëve që flasin: “Në jetë nuk na mban bashkë vetëm ajo që kemi qenë dje, por mbi të gjitha ajo që do të bëjmë së bashku sot e nesër. E sotmja dhe e nesërmja nuk duhet të ngrihen mbi krime apo kujtime të rreme… Kjo nuk duhet të harrohet”.

Bukur! Çdo koment do të çalonte.

Ndërsa, në rrafshin e formës artistike do të vlerësoja si çelës të suksesit edhe njohjen e dramës dhe të skenës me të fshehtat e saj nga dramaturgu Kryeziu. Këtë e shoh edhe si një mesazh për çdo krijues që guxon të futet në magjinë e artit dramatik të dramës, të gjejë rrugët për të njohur përveç dramës (që nga vodevili e gjer te format e dramës postmoderne), edhe gjithë komponentët e spektaklit çka do ta ndjejë veten më të lire e të sigurt gjatë procesit krijues. Kështu mund të synohen dhe arrihen nivelet e epërme artistike dhe estetike, duke shfrytëzuar fushën e formave që nga fillesat e teatrit dramatik folklorik e gjer te teatri total e postmodern.