LAJMI I FUNDIT:

Veron: E urrej Ligën Premier

Veron: E urrej Ligën Premier

Mesfushori i Argjentinës, Juan Sebastian Veron, ka lansuar një sulm ndaj Ligës Premier, duke pohuar se koha e kaluar te Manchester United dhe Chelsea kanë ndikuar që ai të ishte pranë pensionimit të parakohshëm.

Veron u transferua në fillim të dekadës që posa e lamë te United dhe Chelsea për një shumë të kombinuar prej 40 milionë funtesh.

“Unë endesha nëpër Evropë sikurse qen endacak, pa gjetur kurrë lumturinë apo dikë që të më kuptonte mua. Kjo është arsyeja pse u ktheva te Estudiantesi. Isha i lodhur nga të qenit endacak. Anglia ka një Ligë Premier që është spektakolare por kjo është e tëra. Ata nuk stërviten shumë dhe nuk kishte stërvitje të duhura te Unitedi. Paul Scholes godiste nga 50 metra pa u nxehur fare në -5 shkallë celsius”.

“Unë e bëra atë një herë dhe e kam zgjatur muskulin. Kurrë nuk kam qenë i lumtur në Angli dhe koha ime atje ma vuri në pikëpyetje dëshirën për të vazhduar karrierën. Kurrë nuk e kam parë këtë sport si biznes edhe pse është traditë e imja. Unë kënaqem ende me të dhe më pëlqen ideja e të qenit kompetitiv, në një klub që pak a shumë është i famshëm. Unë do të pensionohem nga kombëtarja pas Botërorit, me shpresë se mund të vazhdoj të luaj. Kurrë nuk kam ëndërruar të luaj në tre Botërore”, ka thënë Veron. /Telegrafi/