LAJMI I FUNDIT:

Vdekjet në burgje: Implikimet ligjore të shtetit në raport me të drejtat e njeriut

Vdekjet në burgje: Implikimet ligjore të shtetit në raport me të drejtat e njeriut

Alban Krasniqi

Ky shkrim ka për qëllim që të ofrojë një pasqyrë të implikimeve ligjore të Republikës së Kosovës (Shteti), përkitazi me rastet kur të burgosurit vdesin në rrethana të dyshimta në burgje. Ky shkrim nuk ka për qëllim që të vlerësojë apo konstatojë përgjegjësinë në rastet konkrete, të ndodhura kohëve të fundit, por ka qëllim që të diskutojë parimet dhe kriteret e përgjegjësisë sipas legjislacionit në fuqi nga fusha e të drejtave të njeriut në bazë të të cilave Kosova obligohet.


Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës (2008), përgjegjësia e shtetit është vendosur në një nivel më të lartë. Njëri nga kriteret kryesore të shtetësisë është aftësia për të hyrë në raporte kontraktuale apo multilaterale. Në këtë kontekst, shtetet kanë evoluar duke njohur dhe mbajtur njëra-tjetrën përgjegjës për marrëveshjet apo traktatet e nënshkruara. Rrjedhimisht, parimi “pacta sunt servanta” nuk është asgjë më shumë se parafraza “kontrata/marrëveshja duhet zbatuar”.

Kjo është pak a shumë baza – e thjeshtëzuar kuptohet – e obligimeve të Kosovës si shtet në raportet ndërkombëtare. Mbi bazën e këtyre parimeve, rendi juridik ndërkombëtar (lexo: shtetet tjera dhe institucionet ndërkombëtare) krijojnë raporte me shtetin tonë.

Për t’u kthyer prapë tek Kushtetuta si akti me rëndësinë më të madhe juridike, është me rëndësi të ndalemi tek dy provizone të saj. E para ka të bëjë me garantimin e të drejtës për jetën. Në nenin 25, Kushtetuta është shumë e shkurtë duke përcaktuar se “Secili individ gëzon të drejtën për jetën” dhe “Dënimi me vdekje është i ndaluar”. Pjesa e dytë në Kushtetutën e Kosovës ka të bëjë me mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Më saktë, duke pasur parasysh faktin që Kosova ende nuk është stabilizuar në arenën ndërkombëtare (OKB, BE, KE) shteti ka marrë obligim që një numër të traktateve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut t’i pranojë si të zbatueshme në rendin e vet juridik. Një ndër to është Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) e Këshillit të Evropës. Pra, sipas nenit 22 të Kushtetutës, KEDNJ dhe një numër instrumenteve tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e obligojnë Kosovën. Për më tepër, në nenin 53 të Kushtetutës përcaktohet që “Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”!

Pikërisht, përmes këtij paragrafi shqyrtimin e vendosim në atë se çka përcakton e drejta ndërkombëtare (në këtë rast KEDNJ dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ) në jurisprudencën e saj).

Në të drejtën ndërkombëtare shteti mbahet përgjegjës për dy kategori të veprimeve. Veprimet ku palë është shteti (raportet me policinë, gjykatat, apo çfarëdo institucioni tjetër) asnjëherë nuk ngrehin çështje kontestuese në lidhje me mundësinë për përgjegjësi. Kurse, në rastet kur kryes të një veprimi janë palët private (akterë joshtetërore) shteti ka obligim të parandalojë (për aq sa është e mundur), të hetojë rastin dhe të ndëshkojë autorët (Velasquez Rodirgues v. Honduras)

Në vazhdim kthehemi tek rastet kur palë e një veprimi, që pretendon shkeljet e të drejtave të njeriut, është shteti. Në këto raste kryesisht njihen tri obligime kryesore të shtetit në raport me të drejtat e njeriut. Obligimi për mosveprim nënkupton që shteti nuk bën që, duke vepruar, të cenojë të drejtat e njeriut. Obligimi për veprim nënkupton që shteti cenon të drejtat e njeriut sepse ka dështuar të marrë masat të cilat është dashur t’i merrte. Kurse, obligimi për të hetuar është më tepër i natyrës procedurale, por mund të cenojë të drejtat e njeriut nëse shteti efektivisht dështon të kryejë hetime dhe si pasojë e asaj dikujt i cenohet ndonjë e drejtë (shih: General Comment #31 dhe Velasquez Rodirgues v. Honduras)

Nëse kthehemi tek jurisprudenca e GjEDNJ-së (në vazhdim Gjykata), vërejmë që kjo Gjykatë ka gjetur që “Neni 2 (E drejta për jetë) i KEDNJ-së renditet si një nga provizionet më të rëndësishme në Konventë” (Oselav v. Turkey). Për më tepër, Gjykata ka konstatuar që Konventa e ngarkon Shtetin jo vetëm që të përmbahet nga marrja e qëllimshme e jetës, por po ashtu edhe që të ndërmarr hapa për të mbrojtur jetën e atyre që gjenden nën juridiksionin e tij (L.C.B v. United Kingdom).

Por, e drejta për jetën dhe mbrojtja apo cenimi i saj bëhet shumë me rëndësi në vendet e ndalimit (burgje, stacione policie etj.). Kjo sepse në këto raste personat e ndaluar janë tërësisht në kontroll të shtetit. Gjykata ka thënë në disa raste që sa i përket personave të ndaluar (arrestuar), ata gjenden në një pozitë më të cenueshme dhe se autoritetet kanë për detyrë t’i mbrojnë ata (Oselav v. Turkey). Rrjedhimisht, në këto raste presumimi i pafajësisë zëvendësohet me presumimin e fajësisë. Kjo nënkupton që, ashtu siç ka thënë Gjykata, “kur një person merret në ndalim policor me shëndet të mirë dhe del nga ndalimi me lëndime, barra bie mbi shtetin që të ofrojë shpjegime të besueshme se si janë shkaktuar ato lëndime” (Selmouni v. France). Në një tjetër rast, Gjykata ka theksuar që “çdo lëndim që ndodh në burgje mund t’i atribuohet shtetit, kjo vlen në veçanti në rastet kur individi vdes” (Salman v. Turkey).

Megjithatë, duke pasur parasysh tërësinë e rrethanave (në burgje) jo çdo rrezikim i pretenduar i jetës mund të ngreh përgjegjësinë e autoriteteve. Në mënyrë që obligimi për të vepruar të vjen në shprehje në rastet e të burgosurve, duhet të vërtetohet që autoritetet e kanë ditur, apo është dashur ta dinë ekzistencën e një rreziku ndaj jetës, dhe kanë dështuar të marrin masat për të parandaluar këtë rrezik (Keenan v. United Kingdom).

Por, edhe nëse shteti nuk është fajtor i drejtpërdrejtë për veprimin që ka cenuar të drejtat e njeriut, shteti mbahet përgjegjës, sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky lloj përgjegjësie ka të bëjë me obligimin për të hetuar rastin/rastet. Në këto raste Gjykata ka thënë që “kur ka pasur humbje të jetës në situata që potencialisht e mbajnë shtetin përgjegjës, Neni 2 i Konventës i vendosh shtetit një përgjegjësi për të ndërmarrë të gjitha veprimet adekuate -gjyqësore apo të tjera – në mënyrë që të vendoset korniza e nevojshme ligjore dhe administrative për të mbrojtur të drejtën për jetë (Paul and Audrey Edwards v. The United Kingdom apo Shumkova v. Russia ).

Për ta përmbledhur këtë diskutim:

• E drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e vendos shtetin tonë në përgjegjësi për veprimet në të cilat shteti direkt është palë apo në veprimet në të cilat edhe personat privatë janë kryes.

• Në secilin rast, shteti mbahet në përgjegjësi si për veprimet, ashtu edhe për dështimin për të vepruar dhe i cili dështim cenon të drejtat e njeriut.

• Kur është në pyetje e drejta për jetën (neni 2 i Konventës), kriteret e vlerësimit janë më të ashpra dhe shteti parimisht kërkohet të dëshmojë pafajësinë e tij në kritere dhe standarde më të larta,

• Në secilin rast përgjegjësia e shtetit për të hetuar efektivisht – çdo situatë që ka cenuar të drejtën për jetën – është një përgjegjësi e patjetërsueshme.