LAJMI I FUNDIT:

#VAJZATNËTIK22 – Java që po kontribuon fuqizimin e vajzave në teknologji

#VAJZATNËTIK22 – Java që po kontribuon fuqizimin e vajzave në teknologji

Nga sot, për tre ditë më radhë në Kosovë do të festohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave të cilat janë të inkuadruara dhe kontribuojnë në sektorin e Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Me rastin e kësaj dite, me iniciativën e nënkryetares së Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, po organizohet kampanja “#VAJZATNËTIK22”, ku ka mbledhur rreth 16 organizata që merren me këtë sektor.


Sahatçiu për Telegrafin tha se kjo kampanjë kjo që për qëllim promovimin dhe fuqizimin e vajzave dhe grave në TIK që ato të gjejnë vetën në tregun e punës.

“Kampanja #VAJZATNËTIK22 që këtë herë po shënohet ndryshe, për hirë të Ditës Ndërkombëtare të vajzave në TIK. Kjo ditë që është shumë e rëndësishme për ne, është festuar gjithmonë me 28 prill dhe janë bërë shumë aktivitete, rreth kësaj ngjarje. E këtë vit komuna me misionin tonë për me i bashku organizatat i ka ndërmarrë këta hapa jam shumë e gëzuar që arritëm me i bë bashkë 16 organizata nën kulmin e komunës së Prishtinës, që ta dërgojmë një zëri mesazhin që duam sa më shumë vajza në TIK, në qytetet dhe në fashat e kudo si zgjedhje e tyre për karrierë”, u shpreh Sahatçiu.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu / FOTO: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ajo shton se edhe vetë rrugëtimi i saj ishte interesant dhe po ky rrugëtim do të jetë  frymëzim që gjatë mandatit të saj të kërkojë barazi dhe hapësirë për gratë, që të avancohen.

“Unë vetë mendoj se të qënurit grua dhe kyçja në Komunën e Prishtinës për herë të parë në rolin e nënkryetares, pra si nënkryetare e parë grua dhe bashkë me ekipin që i mblodhëm si komunë këto organizata. Mendoj që është vetëm një fillim i këtij rrugëtimi që me e hap komunën që të jetë një katalizator, i të gjithë atyre organizatave dhe fuqizimit që duhet bërë për vajzat e reja. Unë si Donjet e kam një rrugëtim i interesant dhe mendoj se me ekipin po i ndaj në mënyrë të mirë. Të gjithë se çfarë po kërkojmë është mundësi, hapësirë dhe barazi”, shtoi ajo.

Jora Zeneli, nxënësja që përfaqësoi Kosovën në fushën e TIK-ut në garat e Red Bull Basement / Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ndërsa nxënësja Jora Zeneli, 18 vjeçarja që nëpërmjet fushës së teknologjisë ka arritur ta përfaqësojë Kosovën ne garat e Red Bull Basement, thotë se së fundmi edhe Ballkanin do ta përfaqësojnë në garat Evropiane të TIK-ut.

“Sa i përket rrugëtimit tim në teknologji, e tregoj gjithmonë që motra kur ka filluar të studioj shkenca kompjuterike, studimet i ka përfunduar në Amerikë por që aso kohe ka qenë e vetmja femër që ka qenë duke studiuar shkenca kompjuterike dhe që ka qenë shumë e çuditshme për mua. Gjatë pandemisë kam filluar të hulumtoj dhe kam parë që nuk kemi resurse të mjaftueshme me e luftuar pandeminë. Unë studimet kam vendos t’i vazhdoj në bioinxhinieri dhe jam pranuar tash në një universitet në Amerikë. Së fundmi bashkë me Elta Bajramin kemi përfaqësuar Kosovën në garën botërore të Red Bull Basemnet me idenë “Nuhate” tash do të vazhdojmë me një grup tjetër ku do të zhvillojmë gara evropiane ku do ta përfaqësojmë Ballkanin me një produkt tjetër”, tha Zeneli.

Drejtoresha ekzekutive e STIKK, Vjollca Çavolli | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ndërkaq, Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Kosovo ICT Association (STIKK), kujton kohën kur kishte filluar të inkuadrohet në sektorin e teknologjisë duke shtuar se luksin e të rinjve dhe të rejave të sodit nuk e kishin gjeneratat e atëhershme.

“Për të rejat dhe të rinjtë këtu kjo që po flas do të jetë e çuditshme, po flasim për vitin 1998. Kur në shkollë të mesme unë isha gjenerata e parë e programerëve në atë shkollë dhe ka qenë pa kompujterë pa desktop e lëre më llaptop. Mirëpo ne e kemi pas një vizion se çfarë është e ardhme dhe çfarë quhet programim. Ne kemi mësuar me një gjuhë programuese të asaj kohe që askush në botë më nuk i përdorë atë. Ne nuk e kemi pasur këtë luksin që sot kanë të rinjtë dhe të rejat për të studiuar online, kemi pasur edhe demonstratat dhe probleme të tilla. Unë pas 30 vitesh jam kyç në fushën e TIK-ut dhe jam kthyer aty ku kam dashur gjithmonë në vendin të cilit i takoj”, tregoi Çavolli.

Këto aktivitete janë mbështetur nga Komuna e Prishtinës, EYE & ACCESS, ku aktivitetet janë filluar në më 26 prill dhe do të mbarojnë në Kino Armata më 28 prill. /Telegrafi/