LAJMI I FUNDIT:

Ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Peci: Do të ndikojë në ikjen e të rinjve nga Lugina e Preshevës

Ushtria serbe propozon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Peci: Do të ndikojë në ikjen e të rinjve nga Lugina e Preshevës

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.

Në lidhje me këtë ish ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci vlerësoi se Serbia është duke e bërë edhe një hap tjetër në fuqizimin ushtarak.


Peci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka shkruar se kjo politikë e Serbisë përpos që ka për qëllim përgatitjen masive të popullatës për situata luftarake, do të ndikoj edhe në emigrimin e të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

“Pas armatimit me mjete ofensive gjatë viteve të fundit, Serbia është duke e bërë edhe hapin tjetër në fuqizimin ushtarak. Beogradi tani është duke e përgatitur edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak prej katër muajve.

Kjo politikë e Serbisë përpos që ka për qëllim përgatitjen masive të popullatës për situata luftarake, do të ndikoj edhe në emigrimin e të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, pasi edhe ata do të detyrohen të jenë pjesë e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Përmes saj padyshim se do të bëhet në mënyrë të heshtur edhe ndërrimi i mëtutjeshëm i strukturës etnike në këto territore”, ka shkruar Peci.

Tutje ai vlerësoi se perëndimi duhet të ketë vëmendje të plotë se çfarë është duke bërë Serbia në këtë aspekt.

“Përpos politikës në Prishtinë dhe Tiranë, perëndimi duhet ta ketë në vëmendje të plotë atë se çfarë është duke bë Serbia në këtë fushe. Armatimi dhe mobilizimi ushtarak i Serbisë nënkupton edhe më shumë trupa ushtarakë të NATO-s në rajon për të siguruar paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë ndër të tjera Peci.

Ndryshe, tema e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nuk është e re në deklaratat e zyrtarëve.

Në vitin 2022 për këtë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa një vit më parë edhe ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq.

Në deklaratat e tyre, zyrtarët serbë theksojnë se Serbia nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO.

Në rast se qeveria aktuale vendos të kthejë shërbimin ushtarak në kuadrin e rregullt, Serbia do të jetë ndër vendet e pakta në Evropë, si Suedia, Lituania apo Gjeorgjia, të cilat e hoqën këtë detyrim dhe më pas e rivendosen atë.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro. /Telegrafi/