LAJMI I FUNDIT:

Ultimatumi

Revolta e serbëve lokalë në veri të vendit, e ndihmuar me mjete të ndryshme politike dhe jopolitike nga Republika e Serbisë, ka fituar konturat e një kryengritje të kontrolluar me kujdes, apo të një gjysmëkryengritje të izoluar. Të gjithë po e shohim që nuk kemi të bëjmë me protesta demorkatike që përshkohen nga dinjiteti dhe solidariteti politikë. Barrikadat, pamfletet, defilimet e grupeve me armë, kërcënimet, fyerjet dhe evenimentet e tjera nuk përkasin me atë që quhet “demokraci e hapur” dhe, mbrojtje institucionale e të drejtave politike dhe njerëzore. Prapa kaosit të stilit të “jogurt-revolucionit”, synohen të arrihen objektiva të caktuar që në fund të fundit, synim kryesorë kanë ndarjen e kësaj pjese veriore të vendit.

Atje, po mbretëron një gjendje “pat-pozicioni” për momentin. Tash për tash, të gjitha palët kanë arritur t’i shmangen më të keqes: përdorimit të dhunës së armatosur. Por kjo gjendje, nuk do të jetë afatgjate: dikush, duhet të lëshoj rrugën! Të parët që duhet ta lëshojnë rrugën, janë ata që e kanë zënë rrugën: serbët! Pas kësaj, mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë (KFOR-i, EULEX dhe PK), duhet të vendosin rregullin e sigurisë për të gjithë njerëzit, pa dallim. Duke u vendosur siguria, janë institucionet e Republikës së Kosovës që në bashkëpunim me serbët lokalë do ta vendosin rendin dhe ligjin në kondita të plota kushtetuese-institucionale, bazuar edhe në planin e Ahtisarit.


Paraprakisht, në thelb të kësaj gjendjeje absurde (në një vend që ka fituar njohje bukur të gjerë ndërkombëtare), do të duhej të jepej një ultimatum për Republikën e Serbisë që ajo, automatikisht (sipas një afati: kuptohet), t’i tërheqë të gjitha strukturat e veta shtetërore nga kjo pjesë e Kosovës dhe, t’i zbatojë pa hezitim marrëveshjet që arrihen në negociata me Prishtinën. Duke ndodhur një akt i këtillë nën mbikëqyrje ndërkombëtare, serbët lokal duhet të kthehen në shtëpitë e tyre për t’iu qasur jetës normale dhe, të fillojnë të inkorporohen në institucione. Sapo të shtendoset situata dhe të kthehet qetësia, do të krijohen edhe kushtet që realiteti të shihet si e ardhme, dhe “kryengritja” si kjo, si diçka e kaluar.

Pa shtrëngimin e rrethit atje, zor se do të pacifizohet gjendja. Uashingtoni, ka sinjalizuar qartë se qëndron pas të drejtës legjitime të Prishtinës që të angazhohet maksimalisht për vënien e rendit dhe të ligjit në gjithë territorin. Brukseli, ndonëse me plogështi, megjithatë po interferon në gjendjen e krijuar. Dhe, mendoj që “shtrëngimi i rrethit”, duhet të vijë pikërisht nga Brukseli: duke e bërë shumë të qartë të kundërtën e asaj që po e synon Serbia: se, nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Gjendja, s’duhet lejuar të dalë nga kontrolli. Por, mund të dalë nëse ajo neglizhohet dhe domino-efekti ndarës do ta prekë pak a shumë, edhe BE-në.

Prishtina, e cila ka fituar një trajtim me të vërtetë të dinjitetshëm politik ndërkombëtar lidhur me situatën e krijuar pas 25.07.2011, duhet ta menaxhojë situatën në koordinim të plotë me Uashingtonin dhe Brukselin. Prishtina, duhet të ketë durim të justifikueshëm dhe qetësi efikase: gjithsesi, duke qenë në vazhdimësi në krye të situatës. Serbia dhe demokracia serbe, e cila e dimë që funksion me petkun e anarkisë, s’do të mund të fshihet gjithmonë pas politikave makiaveliste, e të prodhojë interesa nacionale dhe shtetërore gjithnjë të padrejta e të dhunshme.