LAJMI I FUNDIT:

“Triumfi” në debat

“Triumfi” në debat

Besnik Jaha

Megjithëse kohët e fundit është fjala më shpesh e përdorur, prapëseprapë, debati i kënaqshëm dhe produktiv në vendin tonë po mungon, qoftë nga debatuesit, e fatkeqësisht edhe nga organizatorët.


Para se të hyjmë më thellë në trajtimin e kësaj teme, do të paraqesim ca nga përkufizimet e debatit.
Debati nënkupton diskutimin mes dy e më shumë personave që sjellin argumentet e tyre për të mbisunduar ideja që ata proklamojnë.

Pra, debati është një diskutim informal dhe i gjallë, por që në përgjithësi paraqet qëndrimet e debatuesit, qofshin ato qëndrime civile apo të kundërta, subjektive apo sociale- shoqërore.
Thënë shkurt, debati është diskutimi i qëndrime të kundërta.

Për fat të mirë, shoqëria kosovare sot e di se ç’është debati. Për fat të keq, shoqëria kosovare ende nuk ka parë një debat të mirëfilltë në Kosovë, debat të organizuar nga po shoqëria kosovare.

Nderi për mësimin e popullit se ç’është debati, pa asnjë dyshim se i takon procesit të zgjedhjeve, kur populli sheh pa asnjë maskë gjithë cilësitë e debatuesve (kandidatëve); kur populli e sheh edhe figurativisht se ç’është debati.

Po ashtu edhe turpi për mësimin negativ të asaj se ç’nënkupton debati i takon po zgjedhjeve, kur populli sheh nivelin më degradues, çoroditës, antidemagogial që kanë debatuesit (kandidatët); kur populli sheh edhe nivelin më të ulët të njeriut.

Në kohë zgjedhjesh, nëpër debate thirren kandidatët e secilës prej partive politike që synojnë të marrin pushtetin. Aty, paçka se asnjëri nga debatuesit nuk e ka idenë, por fatkeqësisht as organizatorët, populli edukohet se si duhet të debatohet. Prandaj, edhe në rrugë, kafene, restorant, fushë sporti, me një fjalë gjithkund, edhe populli çirret e bërtet po sikur debatuesit (kandidatët, “intelektualë të vërtetë”).

Koncepti i intelektualizmit është kur një person pa thënë kurrë asgjë, sjellja e tij bëhet kanun, moral, mësim për shoqërinë. Tek ne, sipas kësaj, nuk e di se a ekzistuaka ndonjë intelektual, megjithëse nga fjalët që më së shpeshti dëgjojmë është edhe kjo: fjala intelektual. Pastaj, ne ngatërrojmë njeriun me kollare me intelektualin. Kollare mund të mbajë çdokush, por jo çdokush mund të jetë intelektual.

Janë shumë debatues që mendojnë se e kanë fituar debatin. Debati është një thikë që ka dy tehe. Po ashtu, ajo që është më e mira, juria apo vlerësuesi në debate nuk është kurrë i njëanshëm. Ajo di të vlerësojë tepër drejt. Juria se kush ka fituar debatin është populli. Kini mendjen, popullit jo gjithmonë i duhet argumentuar, nëse bashkë me ofrimin e argumentit nuk prezantohet edhe kultura, morali dhe aftësia e prezantimit! Prandaj kujdes, populli ndëshkon!

Diskutuesit, debatuesit apo kandidatët për kryetar nëpër komuna të ndryshme që thirren nëpër debate televizive, në vendin tonë, për fat të keq, po proklamojnë nivelin më të ulët intelektual, me përjashtime të vogla.

Ajo që sheh në një debat televiziv qytetari i Kosovës është një shpërthim emocional i papërmbajtur, një egocentrizëm ekstrem, një arrogancë dhe papjekuri profesionale, morale e kulturore, një retorikë boshe dhe të dështuar, pa pikë dyshimi. Në fakt, ajo që po tregojnë shumica e kandidatëve është paaftësia e tyre retorike, papjekuria dhe mos profesionalizmi, si dhe egoja e tyre e paskajshme.

Nuk ka debat në të cilin fillon të flasë një person, e të mund ta mbarojë atë që ka nisur ta thotë. Kjo flet për një nivel poshtërues të kulturës së debatit. Rikujtojmë se debati nuk nënkupton të mos lësh tjetrin të flasë dhe paraqesë argumentet, por e kundërta. Ai është ballafaqimi i argumenteve nga njëra anë dhe kundërargumenteve nga ana tjetër, si dhe votimi (pranimi apo refuzimi) nga ana e masës, popullit.

Këta diskutuesit tanë lëre që nuk na lënë të dëgjojmë argumentet e asnjërit prej tyre, pastaj tregojnë ambiciet e tyre egocentrike e morbide, por ajo që është katastrofale dhe për t’u diskutuar seriozisht mes sociologësh e psikologësh, mendoj se është vlerësimi i tyre. “E kam mundur në debat. Gojën s’e kam lan me çel”, thonë ndër shoqëri pas debatit.

Të tillët lëre që s’e dinë se ç’është debati, ç’nënkupton ai, por, edhe më keq, nuk ia kanë haber e dro për kulturën dhe mësimin që ia japin popullit. Dhe pastaj vjen paradoksalja: ky popull i edukuar kësisoj, voton po këta “edukues të shkëlqyeshëm”, duke arsyetuar se kandidati është i mirë dhe triumfues në debate; “s’e len kanë gojën me çel”!

Është vlerë e padiskutueshme e debatit kur debatuesit lënë njëri tjetrin të shpalosë argumentet, të flasë ngadalë dhe të prezantojë ashtu siç ai ndihet më mirë. Një sjellje e tillë e debatuesve do të vlerësohej lartë edhe nga masa. Ata edhe mund të befasojnë (megjithëse tanët nuk dinë të befasojnë apo nuk duan, s’e di)!?

Për shembull, nëse në një debat sillen argumente të njëpasnjëshme kundër njërit prej debatuesve, dhe kjo bëhet jo vetëm nga një debatues po nga të gjithë, heshtja e tij është triumf në debat, pa dyshim, edhe pse kundërkandidatët mund të mendojnë se e kanë fituar debatin pasi e kanë “bombarduar” dhe s’e kanë lënë të flasë asnjë fjalë. Duke menduar se ke fituar debatin, vetëm se e ke humbur atë.

Ajo që do t’u kthehet si bumerang kundërkandidatëve është urrejtja që masa do të fitojnë ndaj tyre, megjithëse ata mund të kenë prezantuar diçka më me vlerë se ajo që mund ta ketë ofruar kandidati që s’e lanë ta flasë. Ndërsa, në anën tjetër, kandidati që mund të ketë sjellë diçka jo më të mirë sesa kundërkandidatët, do të triumfojë në këtë debat, pasi populli do ta mëshirojë për sjelljen e tij të lartë morale, kulturore dhe profesionale.

Populli e di se çfarë pati thënë Mark Twain (sot të gjithë dinë anglishten): “Never argue with stupid people, they will drag you down to their level and then beat you with experience” (Kurrë mos diskuto me njerëzit budallenj, se ata do të të tërheqin në nivelin e tyre dhe pastaj do të të mundin me përvojën e tyre).

Megjithëse nuk mbeten anash për nga kritika edhe organizuesit e debateve, këtë herë nuk do të flasim për ta vetëm për shkak të zgjatjes. E para punë që duhet të bëjnë organizatorët e debateve është heqja e minutazhit kur kandidatët marrin fjalën. Presioni kohor për të arritur që brenda dy minutave të prezantojë shumicën e programit është destabilizues i koncentrimit të kandidatëve. Kur i sheh ashtu, të duket sikur janë në garë për të moderuar lajmet në CNN apo në ndonjë televizion tjetër, ku për aq minuta zgjat testi i prezantimit të bllokut të lajmeve për kandidatët që duan të bëhen moderatorë.

Prandaj, për një edukim shoqëror më të mirë, për një paraqitje më të denjë të karakterit dhe personalitetit, pastaj për një aftësi të ofrimit të argumenteve në mënyrë kronologjike, po ashtu për një kulturë morale të debatit, do të ishte e udhës që secili nga kandidatët, debatuesit, të kthehej në leximin e veprave që bota i ka tash e 2000 vjet, respektivisht në veprat e antikës së lashtë greke.