LAJMI I FUNDIT:

“Tri dritare dhe një varje” merr çmimin e kritikës në Luksemburg

“Tri dritare dhe një varje” merr çmimin e kritikës në Luksemburg

Listës së çmimeve të filmit që flet për gratë e përdhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë i është shtuar edhe një tjetër çmim.

“Tri dritare dhe një varje” është kthyer me trofe nga festivali që sivjet ka mbajtur edicionin e pestë. Në “Association Luxembourgeoise de la Presse Cinématographique”, filmi nën regji të Isa Qosjes, i bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka marrë çmimin “Critics Award”, që është ndarë për herë të parë nga festivali që sivjet ka zhvilluar edicionin e pestë.

“Association Luxembourgeoise…” ka nisur rrugëtimin më 26 shkurt dhe është përmbyllur të dielën. Me 18 mijë vizitorë në edicionin e vitit 2014, ky festival është shndërruar në një prej ngjarjeve kryesore kinematografike që mbahen në Luksemburg. Vitin e kaluar mysafirë të festivalit ishin emra të njohur të filmit, duke përfshirë Luc Dardenne, Michel Gondry, Clemence Poesy e Jean-Marc Barr.

“Critics Award” është çmimi i dytë që “Tri dritare dhe një varje” ka marrë brenda muajit mars. Javën që shkoi, filmi i Qosjes mori çmimin e filmit më të mirë në Washington. “DC Independent Film Festival” e shpërbleu filmin nga Kosova me çmimin “Best of fest”.

Lajmin për vlerësimin me “Critics Award” e ka bërë publik producenti i filmit “Tri dritare dhe një varje”, Shkumbin Istrefi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Në filmin që shtjellon historinë e një mësueseje që trazon fshatin kur deklaron për mediat e huaja se ishte përdhunuar gjatë luftës, rolin kryesor e luan aktorja Irena Cahani. Përveç saj në “Tri dritare…”luajnë edhe Luan Jaha, Aurita Agushi, Donat Qosja. Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe skenarist ka Zymber Kelmendin. Premiera botërore e këtij filmi u dha më 19 gusht të vitit të kaluar në Festivalin e Sarajevës, ku mori çmimin “Cine Europa”. /koha.net/