LAJMI I FUNDIT:

“Vëllezërit Karamazov” dhe pasaktësitë e një përkthimi

“Vëllezërit Karamazov” dhe pasaktësitë e një përkthimi

Nga: Theodhor Cico

“Vëllezërit Karamazov” është romani i fundit i shkrimtarit, i vlerësuar si një nga arritjet më të larta në letërsinë botërore; roman filozofik i pasionuar që hyn thellë në çështjet e Zotit dhe të moralitetit; një dramë teologjike ku trajtohen problemet e besimit, të dyshimit dhe të arsyes… Është vepra më përfaqësuese e Dostojevskit. Zigmund Frojdi ka thënë: “Është romani më i shkëlqyeshëm i shkruar ndonjëherë”.


Romani në fjalë është përkthyer në shqip nga Xhemile Zykaj, është redaktuar nga Rexhep Hida dhe është botim i vitit 2017 i shtëpisë botuese “Fan Noli”. Qysh në krye të herës duhet thënë se përkthimi është një përpjekje për të qenë sa më korrekt me tekstin origjinal të veprës, në dallim nga përkthimi i romanit “Krim dhe dënim”, ku, në shumë raste, fillimisht gjërat rrotulloheshin në mendjen e përkthyeses, merrej me mend se ç’donte të thoshte autori dhe pastaj hidheshin në letër (dhe aq më tepër në dallim nga përkthimi i “Doktor Zhivagos”, ku shtoheshin fjalë e fjali nga xhepi i përkthyesit).

Mirëpo, krahas vlerave pozitive të përkthimit të romanit “Vëllezërit Karamazov”, kanë kaluar edhe mjaft pasaktësi. Kështu, janë harruar pa u përkthyer fjalë (mbiemra që shoqërojnë emra, ndajfolje që shoqërojnë mbiemra të ndryshëm etj.), si dhe fjali të tëra. Kemi përkthim jo të saktë të disa fjalive dhe të shumë fjalëve të veçanta, në shumë raste nuk respektohen shenjat e pikësimit të origjinalit, si dhe kalohet në kryeradhë sipas dëshirës së përkthyeses. Le t’i shqyrtojmë disa nga këto pasaktësi.

F. 13-14 dhe 33-34: Thuhet “tridhjetë vjet më parë”, por në fakt është “trembëdhjetë vjet më parë (тринадцать)”; thuhet “ishte i martuar tri herë”, por në fakt është dy herë (два раза), “мозгляка” përkthehet “mendjelehtë”, se është nisur nga мозг-tru, por në fakt do të thotë i dobët, shëndetlig (тщедушный, слабосильный, хилый), “богородица” nuk është “shenjtore”, por “nëna e Krishtit” (мать Христа). Kalohet në kryeradhë kur nuk është kryeradhë, si në rastet “Tani do t’ju flas…”, “Kjo e gjitha…”, “Po kështu…”, “Ja kjo është tabloja!”. Këto raste janë vetëm të faqeve të mësipërme, sepse në kryeradhë, kur s’është kryeradhë në origjinal, përkthyesja ka kaluar me dhjetëra e shumë më shumë herë gjatë përkthimit të veprës. E ka bërë shpesh këtë me mendimin se e lehtëson kësisoj lexuesin në leximin e paragrafëve vërtet të gjatë të veprës, mirëpo se kur kalohet dhe kur nuk kalohet në kryeradhë, këtë e ka përcaktuar autori, sipas shtjellimit të mendimeve nga ana e tij në vepër dhe nuk ka aspak të drejtë as përkthyesi, as redaktori dhe as kurrkush tjetër ta ndryshojë këtë.

53-54: Kanë kaluar pa u përkthyer “о каких-то …deri в речке и проч.” që do të thotë “për disa të drejta të prerjes në pyll dhe të peshkimit në lumin e vogël e të tjera”, si dhe “и всë ещë…deri границе”, pra “dhe ende vazhdonte davaja për të përcaktuar kufirin ndërmjet tokave”. Në këto faqe dhe në shumicën e rasteve “отец игумен” përkthehet “kallogjer”, kur është “atë igumeni” dhe të jepej shpjegimi në fund të faqes që është “ati epror në një manastir të rëndësisë mesatare”, kurse “kallogjer” është thjesht murg ortodoks.

F. 73: “послушник” (siç rezulton edhe në f.353) nuk është “dhjak”, por “rishtar” – fillestar në manastir që përgatitet të bëhet kallogjer, kurse “dhjak” është thjesht ndihmës i priftit në kryerjen e shërbesës fetare, pra s’ka të bëjë me manastirin.

F. 153-154: Nuk është “krejtësisht i qetë”, por është e kundërta “me gjithë shqetësimin e tij” (при всем беспокойстве); lë pa përkthyer katër vargje të poezisë së Shilerit: “И куда…deri зрит!”, që do të thotë: “Dhe kudo ku Cerera// Hedh shikimin e trishtuar// Sheh kudo njeriun// Në poshtërim të thellë!”

F. 173-175: Është në titull “вверх пятами” që e përkthen “me këmbë përpjetë”, por nuk tingëllon mirë, prandaj duhej përkthyer “kryengulthi” (p.sh. hidhem kryengulthi në ujë), pra që thembrat (пятами) janë lart dhe koka poshtë.

Për sa u përket titujve, kemi edhe disa raste të tjera me përkthime të pasakta. Kështu, në f.383, titulli “Hë për hë, jo shumë e qartë” (se ç’do presja këtu një zot e di) në origjinal është “Пока ещë очень неясная”, domethënë “Hë për hë ende shumë e paqartë”.

F.213-235: “Смеясь над ним” nuk do të thotë “qeshte me të aq çiltërisht”, por kuptimi është “насмехаться, подвергать кого-нибудь насмешкам”, pra “tallej, e përqeshte atë”.

  1. 333-336: Përkthehet “Forca centrifugale”, por është forca centripete ose qendërsynuese (центростремительная) dhe jo centrifugale që në rusisht është “центробежная”.

Dhe vijmë te kapitulli “Inkuizitori i madh”, ku do të ishte mirë të mos kishte asnjë pasaktësi, sepse kemi të bëjmë me “majat e letërsisë universale”, siç është shprehur Frojdi, i cili ka thënë se “Episodi i Inkuizitorit të madh është një nga majat e letërsisë universale, një kapitull i bukurisë së paçmueshme…” Por fatkeqësisht edhe këtu hasim mjaft pasaktësi. Në f.359 thuhet “…kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjet”, jo “vjet”, por shekuj (веков); “но дьявол не дремлет…” në përkthim është “Por djalli nuk flet…” Do të këtë qenë “fle” dhe do të jetë shtuar gabimisht një “t” gjatë punës me përkthimin. Më e saktë do të ishte këtu “nuk dremit” (не дремлет).

Në f. 362, “восста девица” nuk duhej ta linte “vosta devica”, por ta përkthente “ngrihu vajzë”. Po në këtë faqe gjejmë “Në dorë ajo mban buqetën me lule”, jo, është “Në dorë ajo mban një buqetë me trëndafila të bardhë” (букет белых роз), që është detaj i vogël, por i bukur.

Në f. 364, “…dhe t’ua marrësh njerëzve lirinë, për të cilën ti ke këmbëngulur aq fort…”, jo, është e kundërta “dhe për të mos ua hequr njerëzve lirinë” (и чтобы не отнять у людей свободы), se për këtë kishte këmbëngulur Zoti, jo për të kundërtën.

Në f. 366, nuk përkthen saktë “и до того угадано и предсказано и до того оправдалось, что…”, e ka përkthyer “ishte aq e goditur, aq e saktë, aq e qartë, saqë…”, pra nuk është përkthyer asnjë nga përcaktimet e autorit, i cili thotë “dhe deri në atë pikë është parashikuar dhe parathënë, dhe deri në atë pikë është provuar se është e drejtë, saqë…”

Këtë ka thënë autori dhe jo fjalë të përgjithshme, si “aq e goditur, aq e saktë, aq e qartë, saqë…” Në f.371 harron “Жаждал”… deri “ужаснувшим”, që do të thotë “Lakmoje dashurinë e lirë dhe jo entuziazmet servile të skllavit përpara fuqisë që e kishte terrorizuar atë njëherë e përgjithmonë”. Në f.374, pas “një fushe tjetër” lë pa përthyer “и кончат…deri знамя”, që do të thotë “dhe do të përfundojnë duke ngritur kundër Teje flamurin e tyre të lirë. Por Ti e ngrite vetë këtë flamur”. Po kështu, në f. 376 “ Dixi” nuk duhej lënë pa shpjegim në fund të faqes “Kështu thashë unë” (nga latinishtja), pastaj pas “se do të rebelohen sërish të dobëtit” ka harruar “что разорвут порфиру еë…deri греха”, që do të thotë “se do ta shqyejnë pëlhurën e saj të purpurt dhe do ta zhveshin lakuriq trupin e saj të fëlliqur. Por, atëherë unë do të ngrihem dhe do të të tregoj mijëra milionë fëmijë të lumtur që nuk e kanë njohur mëkatin”.

Në f.380 duhej të ishte përkthyer përherë “Gjithçka është e lejueshme”, siç e ka edhe autori “всë позволено” kudo, nuk lëviz kjo, sepse ka të bëjë me botëkuptimin e Ivanit (njërit prej personazheve kryesorë të veprës), është kuintesenca e botëkuptimit të tij, dhe jo të përkthehej herë “t’i lejosh vetes gjithçka”, herë “gjithçka të lejohet” dhe herë “gjithçka lejohet”.

Këtu përfundojnë vërejtjet për kapitullin “Inkuizitori i madh”, kapitull, i cili, për madhështinë që ka dhe për pasaktësitë që konstatuam, më detyron t’i them tani dy fjalë për përkthimet e tri kryeveprave të letërsisë ruse të analizuara prej meje gjer më sot: “Krim dhe dënim”, “Doktor Zhivago” dhe “Vëllezërit Karamazov”. Pra, përfundimi është se shtëpitë botuese përkatëse nuk janë në ato lartësi, sa të arrijnë të përkthejnë siç duhet veprat e “gjeneralëve” të letërsisë botërore. Tjetër është dëshira dhe tjetër aftësia.

“Zjarr dhe tërbim”: Pasaktësitë gjuhësore në përkthimin e veprës së Michael Wolffit
Lexo po ashtu “Zjarr dhe tërbim”: Pasaktësitë gjuhësore në përkthimin e veprës së Michael Wolffit