Brezi Z, por dy shekuj më parë

Një brez i të rinjve me “zemra plot në një botë bosh” kërkoi shpresë përballë një sëmundjeje të pakapërcyeshme.
Nga: Emily Herring, shkrimtare / aeon.co
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në vitin 1833, dramaturgu dhe poeti francez Alfred de Musset, udhëtoi drejt Venecias me të dashurën e tij, romancieren e njohur më shumë me emrin e saj letrar, George Sand. Udhëtimi kishte për qëllim të zbuste tensionet e marrëdhënies së tyre të trazuar, por, pak pasi mbërritën, të dy u sëmurën. Teksa gjendja e Mussetit përkeqësohej, Sand u magjeps pas mjekut italian që i trajtonte. Pas një sërë grindjesh të dhunshme dhe xheloze, Musseti u kthye në Paris për të bërë atë që dinte më mirë: të shkruante.
Duke u mbështetur në fragmente të korrespondencës së tij me Sandin dhe në vite të një trazimi të brendshëm, ai shkroi romanin gjysmë-autobiografik, Rrëfimi i një fëmije të shekullit [La Confession d'un enfant du siècle, 1836]. Historia përqendrohet tek Oktavi i cili shtyhet drejt shthurjes dhe gati çmendurisë nga një e dashur dyfytyrëshe. Megjithatë, pakënaqësia e tij buronte më pak nga tradhtia e së dashurës sesa nga fryma zhgënjyese e epokës në të cilën ai lindi. Ndjenjat e melankolisë dhe të mërzisë ishin aq të përhapura mes brezit të Mussetit, saqë u përmblodhën në një diagnozë të vetme: le mal du siècle (përkthyer fjalë për fjalë, “sëmundja e shekullit”).
Sot, shumë prej nesh ndiejnë se po jetojmë në kohë të paqëndrueshme, të shënuar - ndër të tjera realitete thellësisht tronditëse - nga inteligjenca artificiale [IA], pabarazia në rritje, lufta dhe një katastrofë klimatike që po afrohet. Megjithatë, qëndrimet tona ndaj mungesës së lumturisë dhe ankthit shpesh e minimizojnë kontekstin më të gjerë sociopolitik, duke ia ngarkuar përgjegjësinë individit (të praktikojë ndërgjegjësimin e plotë, të kultivojë ekuilibrin mes punës dhe jetës e kështu me radhë). Në vend të kësaj, dyqind vjet më parë Musseti fajësonin kohët për gjendjen e përhapur të pakënaqësisë dhe trazimit që kishte mbërthyer brezin e tyre. Ata besonin se mal du siècle formësohej më pak nga temperamenti individual sesa nga forcat me shtrirje të gjerë historike, politike dhe kulturore. A mund të përfitonim duke e riformuluar sëmundjen tonë të tanishme në terma të ngjashëm?
Musseti nuk ishte i pari që artikuloi idenë për mal du siècle. Disa dekada më herët, François-René de Chateaubriand kishte shprehur sëmundjen e brezit të vet duke paralajmëruar për “gjendjen e paqëndrueshme të pasioneve”, “mërzinë e zemrës” dhe “shqetësimin e fshehtë” të të rinjve, mjedisi i të cilëve nuk ofronte asnjë shteg për ndjenjat e tyre të fuqishme. “Me zemër plot,” psherëtiu ai, “banojmë në një botë bosh.” Romancieri romantik Jean Paul ndihmoi t’i jepte formë konceptuale një ideje të ngjashme duke popullarizuar termin gjerman Weltschmerz, ose lodhje nga bota - ndjesinë se vuajtja buron nga vetë rendi i botës. Teksa shpaloseshin dekadat e para të shekullit XIX, një numër shkrimtarësh të tjerë, jo më pak se e dashura dhe bashkëbiseduesja kryesore e Mussetit, Sand, teorizuan dhe dramatizuan sëmundjen morale të epokës së tyre. Megjithatë, nga të gjitha shprehjet e mal du siècle, ajo që Musseti paraqiti në historinë e alter egos së tij, Oktavit, rezultoi më emblematikja dhe më jetëgjata.
Në kapitujt hyrës të Rrëfimit, Musseti ofron një pamje panoramike, pothuajse sociologjike, duke përvijuar diagnozën e tij për shkaqet dhe simptomat e mal du siècle. Të rinjtë që arritën moshën e pjekurisë në Francë rreth vitit 1830, gati për të zënë vendin e tyre në botë, zbuluan se historia tashmë e kishte përfunduar rrjedhën e saj. Në kohën e etërve të tyre, fati i Francës ishte i lidhur me ndjesinë e paepur të qëllimit të një njeriu të vetëm. Napoleon Bonaparte, duke përfituar nga vrulli dhe kaosi i revolucionit, ishte shfaqur njëkohësisht si udhëheqës guximtar dhe tiran egomaniak. Me fjalët e Mussetit: “Një njeri i vetëm ishte atëherë jeta e Evropës; të gjitha qeniet e tjera përpiqeshin t’i mbushnin mushkëritë me ajrin që ai kishte thithur.”
Vetëm në Francë, qindra mijëra burra humbën jetën në luftërat e Napoleonit, megjithatë, si në fitore ashtu edhe në humbje, perandori e ruajti aurën e tij legjendare. Musseti ka shkruar: “Kurrë nuk pati kaq shumë net pa gjumë sa në kohën e atij njeriu; kurrë nuk u pa një popull i tillë nënash të dëshpëruara të mbështetura mbi ledhet e qyteteve; kurrë nuk pati një heshtje të tillë rreth atyre që flisnin për vdekjen.” E, megjithatë, këmbëngulte ai, kishte edhe “kaq shumë gëzim, kaq shumë jetë, kaq shumë lulëzim të borive të luftës në çdo oborr. Kurrë nuk pati diej pa re sa ata që terën gjithë atë gjak.” Perandori ishte po aq strateg i shkëlqyer lufte sa edhe vetëmitizues. Me çdo akt të pamundur dhe çdo fushatë vdekjeprurëse, nga rërat e Aleksandrisë deri te brigjet e dëborës së Berezinës, Napoleoni zgjeroi horizontet e tij perandorake, duke i dhënë Francës një raison d’être pushtuese. Por, pasi perandoria u shemb në vitin 1815, të rinjtë “e ngjizur mes dy betejave” zbuluan se bota e tyre, që dikur ishte dukur e pakufishme, ishte bërë tepër e vogël për të strehuar ëndrrat e tyre.
Si shumë nga bashkëkohësit e tij, Musseti ndiente se kishte arritur moshën e pjekurisë në kohën e gabuar. Bota e vjetër ishte “ende duke u dridhur mbi rrënojat e saj, me të gjitha fosilet e epokave të absolutizmit,” duke vdekur ngadalë, ndërsa premtimi i një të ardhmeje më të ndritshme shtyhej pafundësisht. Ai besonte se mundësia për ekzistencë kuptimplotë kishte anashkaluar brezin e tij dhe se nuk do të kthehej në kohë që ata ta përjetonin: “Ç’natë e rëndë mbi tokë! Dhe, do të jemi të vdekur kur zbardhë dita.” Ose, siç e shprehu në poemën e tij Rolla: “Erdha tepër vonë në një botë tepër të vjetër.” Teksa brezi i Mussetit përballej me qorrsokakun historik, atyre u mbeti “një ndjenjë e trazimit të pashprehshëm” dhe “një mjerim i padurueshëm në palcën e shpirtit të tyre.”
Nocioni mal du siècle nuk mund të shkëputet nga fryma e Romantizmit që po përfshinte Evropën kur Musseti po shkruante. Kjo lëvizje shumëformëshe, transnacionale dhe me shtrirje të gjerë intelektuale, nuk i nënshtrohet lehtë një përkufizimi të përpiktë, por, në kuptim të gjerë, mund të kuptohet si një ndjenjë e përgjithshme pakënaqësie ndaj teprimeve të racionalizmit dhe materializmit në një botë, pas Iluminizmit, që po industrializohej me shpejtësi. Racionalizmi philosophie des Lumières i shekullit të mëparshëm e kishte ngritur arsyen në piedestal, duke i dhënë fuqinë për të zgjidhur të gjitha problemet e njerëzimit. Megjithatë, qëndrimi i ftohtë dhe i shkëputur i racionalizmit dhe empirizmit e la brezin e Mussetit të ndihej bosh, duke kërkuar diçka për të besuar që nuk mund të shpjegohej plotësisht. Te Rrëfimi i një fëmije të shekullit, Musseti shkroi: “Do të ndjeni se arsyeja njerëzore mund të shërojë iluzionet, por jo vuajtjet ... Do të zbuloni se zemra e njeriut, kur tha: ‘Nuk besoj në asgjë, sepse nuk shoh asgjë,’ nuk e kishte thënë ende fjalën e saj të fundit.”
Me industrializimin që po mekanizonte gjithnjë e më shumë aspekte të jetës së shekullit XIX, romantikët kërkuan t’i shpëtonin modernitetit të tyre zhgënjyes duke u zhytur në kultura dhe epoka të largëta. Për shembull, shkrimtari francez Théophile Gautier mahnitej nga pasuria dhe gjallëria e vizionit të tij të idealizuar për Egjiptin e lashtë: “Bota jonë e sotme është vërtet e imët përkrah botës antike ... Diejt rrezatues që dikur shkëlqenin mbi tokë janë shuar përgjithmonë në hiçin e njëtrajtshmërisë.” Shkrimtarë si Gautier dhe Musset dëshironin thellësi emocionale, imagjinatë, kuptim më të lartë, shprehje të vetvetes, për të pasur një pamje të Absolutit dhe të preknin të Pafundmen, por, sipas tyre, realiteti kryesisht zhgënjente.
Në vitet ’30 të shekullit XIX, romantikët francezë hasën një burim të mëtejshëm pakënaqësie në ngritjen e një mendësie borgjeze të drejtuar nga fitimi. Në kohën kur Musseti nisi të shkruante Rrëfimin e një fëmije të shekullit, Louis-Philippe I ishte mbreti i tretë që pasonte perandorin Napoleon. Monarkia e restauruar ruante një lustër përparimi, e vetëdijshme se populli i Francës kishte kujtesën muskulore revolucionare dhe nuk do të ngurronte ta përdorte atë në shenjën e parë të një rikthimi absolutist. Në përpjekje për të sinjalizuar ndryshimin, Louis-Philippe e quajti veten jo “Mbret i Francës”, por “Mbret i francezëve”. Megjithatë, në praktikë, reformat e tij ishin kryesisht sipërfaqësore dhe shoqëria franceze mbeti thellësisht e pabarabartë, me pasurinë dhe pushtetin ende të përqendruara në duart e një elite tashmë të dominuar prej tregtarëve dhe industrialistëve borgjezë. Faktorët e zymtë të përfitimit material kishin zëvendësuar madhështinë dhe lavdinë e së shkuarës, dhe të rinjtë ishin “të dënuar me prehje nga sovranët e botës, të dorëzuar ndaj pedanterisë vulgare të çdo lloji, ndaj përtacisë dhe ligështisë.” Kjo nuk ishte, siç vajtonte Musseti, një botë e përshtatshme për “shpirtra ekspansivë.”
Marrëdhënia e Mussetit me romantizmin ishte ambivalente. Në njërën anë, ai shpesh e tallte patosin romantik dhe refuzonte të etiketohej si autor romantik. Në anën tjetër, në personazhin e Oktavit ai kishte krijuar një nga heronjtë më ikonikë të lëvizjes, që mishëronte introspeksionin dhe tepricën emocionale, ndërkohë që pasqyronte një pakënaqësi të thellë me ekzistencën që i është dhënë dhe me botën përreth tij. Pasi dashuria e tij e parë pushtuese përfundon me tradhti, Oktavi humb atë që, në sytë e tij, kishte qenë synimi i vetëm kuptimplotë i ekzistencës së tij të re dhe zbulon se nuk ka “as zanat, as punë.” Asnjë nga rrugët e mundshme të karrierës nuk i pëlqen, idetë e tij enden duke ndryshuar me çdo ndikim të ri, madje edhe shijet e tij janë të shpërndara dhe eklektike duke pasqyruar si gjendjen e tij - ashtu edhe atë të brezit të tij - të çorientimit: “Epoka jonë nuk ka forma. Ne nuk e kemi vulosur shenjën e kohës sonë as mbi shtëpitë tona, as mbi kopshtet tona ... jetojmë vetëm mes rrënojash, sikur fundi i botës të ishte pranë.”
Krejtësisht pa drejtim, Oktavi detyrohet të përballet me mospërputhjen e padurueshme midis aspiratave të tij madhështore, idealiste dhe sublime për dashuri dhe liri, dhe asaj që shoqëria krejtësisht materialiste dhe pa magjepsje, ku ai jeton, mund të ofrojë realisht. Kur u drejtohet miqve të tij, ai nuk gjen ngushëllim, por vetëm cinizëm dhe apati, qëndrime të atyre që kërkojnë strehë në një botë të zhveshur nga magjepsja: “Të përqeshësh lavdinë, fenë, dashurinë, gjithçka në botë, është ngushëllim i madh për ata që nuk dinë ç’të bëjnë.” Duke reflektuar më vonë mbi këtë kohë në kujtimet e saj, Sand i bëri jehonë kësaj ndjenje:
Ishte një kohë tmerri dhe ironie, tronditjeje dhe paturpësie. Disa vajtonin rrënimin e iluzioneve të tyre bujare; të tjerët qeshnin mbi hapat e parë të një triumfi të papastër. Askush nuk besonte më në asgjë, disa nga dekurajimi, të tjerët nga ateizmi.
Për njëfarë kohe, Oktavi i dorëzohet joshjes së shkëputjes cinike, duke shpresuar ta mpijë trazimin e tij përmes shpërqendrimeve shqisore të shthurjes. Por, ai del prej saj edhe më i trazuar dhe edhe më bosh: “Prisja diçka si harresa, në mos si gëzimi; gjeta aty atë që është më e keqja në botë, mërzinë e përpjekjes për të jetuar.”
Është e vështirë të mos tërheqësh paralele midis vuajtjes së brezit të Mussetit dy shekuj më parë dhe sëmundjes sonë të tashme. Sigurisht, shkaqet dhe kontekstet ndryshojnë shumë. Ndërsa pak njerëz sot dëshirojnë lavdinë e luftërave napoleonike, një ndjesi e ngjashme e një të ardhmeje të rrëmbyer vazhdon të ekzistojë. Qoftë për shkak të klimës, ndikimit të zgjatur psikologjik të pandemisë së Kovidit-19, ngritjes së autoritarizmit, IA-së apo kërcënimit të luftës bërthamore, shumë besojnë se e ardhmja do të jetë më e keqe se e tashmja. Ndërsa enfants du siècle të Mussetit ndiheshin të frustruar se një e ardhme më e ndritur ishte përgjithmonë përtej mundësive të tyre, shumë njerëz sot as nuk guxojnë të imagjinojnë se një botë më e mirë është madje e mundur. A është kjo, atëherë, një mal du siècle i ri?
Ashtu si në kohën e Mussetit, të rinjtë mbajnë barrën më të rëndë. Studimet e fundit tregojnë një rritje të qartë të ankthit dhe depresionit mes adoleshentëve dhe të rinjve gjatë dekadave të fundit. Atëherë, le të shqyrtojmë gjendjen e një anëtari të Brezit Z (lindur afërsisht mes viteve 1997 dhe 2012) përmes këndvështrimit të mal du siècle, si një sëmundje e përgjithshme brezash, dhe jo thjesht si një grumbullim vuajtjesh individuale. Të lindur pasi premtimet e fundit të shekullit XX për përparim, stabilitet dhe prosperitet ishin zbehur, ata u rritën në një klimë pasigurie, të rrethuar me paralajmërime për kolaps ekologjik, pasiguri ekonomike dhe brishtësi qytetëruese. Ashtu si bashkëkohësit e Mussetit, Brezi Z ndien peshën e të qenit mes dy epokave historike dhe lodhet nga sistemet e trashëguara që nuk evoluojnë mjaftueshëm shpejt për të garantuar mbijetesën e tyre në të ardhmen. Prandaj, ndoshta nuk është për t’u habitur që një numër i madh prej tyre tërhiqen në eskapizëm nostalgjik, duke romantizuar të kaluarën para-digjitale në të cilën marrëdhëniet dukeshin më autentike dhe e ardhmja dukej e hapur. Ndërkohë, ata mbeten robër të dritës së ftohtë të ekraneve, me faqet e rrjeteve të tyre sociale të mbushura me fatalizëm ironik. Për shumë njerëz, jo vetëm për të rinjtë, pesimizmi dhe cinizmi, ose në terminologjinë bashkëkohore “dumerizmi” [doomerism], duken si e vetmja përgjigje ndaj një bote që ka dalë jashtë kontrollit.
Sot, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish ndihen të zhgënjyer nga një ekzistencë e copëzuar nga “mallkimi i shfletimit” [doom scrolling] dhe “kalbja në shtrat” [bed rotting], pra nga kalimi i orëve të gjata në shtrat përballë një ekrani, ndërsa një rrjedhë e pafund përmbajtjesh të shkëputura i lë të zbrazët dhe të rraskapitur. Shumë kohë përpara shfaqjes së rrjeteve sociale, në një pasazh që pothuajse mund të merrej si reflektim mbi jetën tonë digjitale, Chateaubriand shkroi për shqetësimin që sjell qasja në tepër informacion pa përvojën përkatëse jetësore:
“Sa më shumë që kombet përparojnë në qytetërim, aq më shumë mbizotëron kjo gjendje e trazuar e pasioneve; sepse, atëherë shembujt e shumtë që kemi përpara dhe moria e librave që zotërojmë na japin njohuri pa përvojë; zhgënjehemi përpara se të kemi shijuar; dëshirat mbesin, por jo iluzionet. Imagjinata jonë është e pasur, e bollshme dhe plot mrekulli; por, ekzistenca jonë është e varfër, e zbehtë dhe pa hijeshi.”
Ndërsa të rinjtë e kohës së Chateaubriandit të paktën e ushqenin imagjinatën e tyre përmes leximeve, të rinjtë e sotëm përballen me pamje në kohë reale nga zonat e luftës, përditësime mbi jetën e kujtdo që kanë njohur ndonjëherë, përmbajtje shqetësuese të gjeneruar nga IA-ja dhe reklama të pandjeshme që u shesin vazhdimisht arsye të reja për t’u ndier të pamjaftueshëm - të gjitha këto para mëngjesit, e lëre më përpara ndonjë përvoje të vërtetë jetësore.
Ata që teorizuan mbi mal du siècle dhe vuajtën prej tij vunë re se ai transmetohej dhe përforcohej përmes jetës shoqërore dhe shprehjes artistike. Në një recension të Obermanit [Obermann, 1804] të Étienne de Senancourit, një roman i përqendruar te një tjetër hero imagjinar i mal du siècle, Sand shkroi: “Epoka jonë dallohet nga një mori e madhe sëmundjesh morale, të pavërejtura deri më tani, por që tashmë janë ngjitëse dhe fatale.” Kjo të sjell pashmangshëm ndër mend rastin e romanit proto-romantik të Johann Wolfgang Goethes, Vuajtjet e djaloshit Verter [Die Leiden des jungen Werthers, 1774], dhe valën pasuese të vetëvrasjeve imituese që çuan në ndalimin e librit në disa rajone. Sot, ankthet tona janë po aq ngjitëse, madje virale, të shpërndara pafundësisht në internet vetëm që të merren, zmadhohen dhe të na rikthehen prej algoritmeve të errëta. Kjo na lë me ndjesinë shqetësuese se ankthi ynë kolektiv ushqehet nga vetvetja brenda asaj që kemi ardhur ta quajmë “dhomë jehone” [echo chambers]. Dikur çështja ishte se si arti pasqyronte dhe formësonte botën, por tani bëhet fjalë për mënyrën se si bota jonë digjitale, përmes mekanizmave të padukshëm, formëson dhe intensifikon shqetësimin tonë.
Romantikët ishin të aftë në ngritjen e pakënaqësisë së tyre në një përvojë estetike, madje ndonjëherë gjenin në të një lloj ngushëllimi apo familjariteti të çuditshëm, ndjenjë e shprehur gjallërisht nga Victor Hugo në romanin Punëtorët e detit [Les Travailleurs de la mer, 1866]: “Melankolia është muzg. Vuajtja tretet në të me një gëzim të ngrysur. Melankolia është lumturia e të qenit i trishtuar.” Për ata që kalojnë orë të tëra duke lëvizur pafund në rrjetet sociale mes lajmeve të zymta [doom-scrollers], të cilët shpërndajnë meme për jetesën në “fundin e kohërave” në kohështrirjen më të keqe, mund të ketë gjithashtu një lloj ngushëllimi të shtrembëruar, sepse, në bindjen se gjithçka ka humbur, përgjegjësia bie poshtë. Teksa Hugo përshkruante një përvojë të thellë emocionale, trutë tanë të mbingarkuar dhe të ushqyer nga dopamina rrallëherë gjejnë mundësinë të eksplorojnë thellësitë e tilla. Por, në të dy rastet, përqendrimi obsesiv te pakënaqësia personale rrezikon të rrëshqasë në vetëkënaqësi të sëmurë. Figura të tjera të Romantizmit (pavarësisht nëse e pranonin apo jo këtë etiketë) paralajmëruan kundër kësaj. Në kujtimet e tij, Chateaubriandi u pendua për rolin që kishte luajtur romani i tij René (1802) në nxitjen e asaj që ai e shihte si një kulturë pozimi dhe mëshire ndaj vetes: “Po të mos ekzistonte tashmë René, nuk do të zgjidhja më ta shkruaja ... Nuk ka asnjë djalosh që del nga kolegji e të mos e ketë imagjinuar veten si njeriun më fatkeq.” Edhe Musseti, te Rrëfimi, paralajmëron kundër qëndrimit tepër komod brenda trishtimit vetjak, kundër introspeksionit të tepruar deri në paralizë, dhe në fund kundër dorëzimit ndaj cinizmit dhe apatisë.
Por, do të ishte gabim të shpërfillej ndjeshmëria romantike si thjesht një rrotullim rreth vetes. Në kohën e Mussetit, shumë njerëz e përdorën pakënaqësinë e tyre me modernitetin jo thjesht si justifikim për t’u tërhequr brenda vetes, por si thirrje për veprim. Hugo, i cili gjente kënaqësi të çuditshme në trishtim, kaloi gjithashtu një pjesë të madhe të jetës së tij duke luftuar kundër dënimit me vdekje, kundër varfërisë dhe në mbështetje të të drejtave të grave. Edhe Sand zgjodhi vazhdimisht të përballej me vuajtjet e epokës së saj, në vend që të tërhiqej prej tyre. Romanet e saj sfiduan normat kufizuese shoqërore dhe ajo luajti rol aktiv në politikë, duke themeluar gazeta dhe duke mbështetur punëtorët dhe gratë. Në shkrimet e tjera të tij, Musseti përdorte shpeshherë humorin dhe satirën për të kritikuar falimentimin moral dhe sipërfaqësinë e qeverive të kohës së tij. Përtej aktivitetit politik, sublimimi letrar i melankolisë ishte përgjigje romantike ndaj aspekteve më të ftohta dhe më të mekanizuara të modernitetit. Pavarësisht introspeksionit dhe eskapizmit, enfants du siècle ishin të aftë të shikonin përtej vetes dhe të dallonin shenjat e një gjendjeje të përgjithshme brezash, duke artikuluar atë që ishte e gabuar ose që mungonte në botën e tyre. Idetë dhe qëndrimet e tyre ishin kaq kumbuese, madje ngjitëse, sepse prekën diçka të përhapur që priste të pranohej.
Ndoshta mund të mësojmë prej tyre. Në një botë që na nxit të mpijmë veten ndaj tmerreve të saj përmes lëvizjes së pafund në ekran, konsumit, mbingarkesës me punë dhe shpërqendrimeve të tjera, ka shumë fuqi në pranimin e frikës, zemërimit, trishtimit dhe pikëllimit tonë si reagime normale ndaj një sistemi të padrejtë, dhe jo si dështime personale. Kjo nuk duhet të na lirojë nga çdo përgjegjësi dhe as të na burgosë në introspeksion, por të na mbajë të vetëdijshëm për faktin se ankthi dhe trishtimi kaq të përhapur janë rezultat i mënyrës se si është organizuar bota jonë. Apatia dhe vetëkënaqësia janë strehë joshëse për ata që janë tepër të vetëdijshëm se gjërat munden dhe duhet të jenë më mirë seç janë, por nëse historia e Oktavit mund të na mësojë diçka, është se nuk ka shpëtim në arratisje. Në vend të kësaj, duhet të synojmë të jemi më shumë si George Sand dhe të veprojmë sipas emocioneve tona. /Telegrafi/
















































