Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës, ku drejtori i një shkolle dyshohet për ngacmim seksual ndaj një 17-vjeçareje, nxënëse e shkollës.

Në reagimin e tij, KOMF u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet dhe që fëmija të marrë mbështetje të menjëhershme.


“KOMF i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke garantuar trajtim me prioritet të rastit, mbështetjen e menjëhershme të fëmijës dhe vendosje të drejtësisë”, thuhet në reagim.

Koalicioni ka kërkuar llogaridhënie të plotë dhe transparencë në trajtimin e rastit, me qëllim që raste të tilla të mos mbeten pa ndëshkim.

“KOMF kërkon llogaridhënie të plotë dhe transparencë në trajtimin e rastit, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten pa ndëshkim”, thuhet më tej.

KOMF ka kërkuar gjithashtu forcimin e mekanizmave për verifikimin e personelit arsimor, përmes vlerësimit të integritetit profesional dhe respektimit të standardeve etike, si dhe zbatimin e trajnimeve të detyrueshme dhe të vazhdueshme për stafin mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e abuzimit.

“KOMF kërkon forcimin e mekanizmave për verifikim të personelit arsimor… si dhe zbatimin e trajnimeve të detyrueshme dhe të vazhdueshme për stafin mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e abuzimit”, thuhet në reagim.

Koalicioni rithekson nevojën për zbatim të plotë dhe efektiv të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet arsimore, duke kërkuar krijimin e një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës, si dhe mekanizma të besueshëm raportimi brenda shkollave.

“KOMF rithekson nevojën për zbatim të plotë dhe efektiv të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucione arsimore… duke garantuar gjithashtu mekanizma të sigurt dhe të besueshëm raportimi për fëmijët brenda shkollave”, thuhet tutje.

Po ashtu, KOMF u ka bërë thirrje prindërve, profesionistëve dhe komunitetit që të tregojnë kujdes të shtuar për mbrojtjen e fëmijëve dhe të raportojnë çdo dyshim apo veprim që cenon sigurinë dhe mirëqenien e tyre, ndërsa ka inkurajuar edhe fëmijët dhe bashkëmoshatarët që të raportojnë çdo sjellje që cenon integritetin dhe dinjitetin e tyre.

Në reagim thuhet se raste të tilla krijojnë mjedis të pasigurt për fëmijët, duke dëmtuar mirëqenien e tyre fizike, emocionale dhe psikologjike, duke ulur motivimin për ndjekjen e shkollës dhe duke ndikuar në performancën dhe zhvillimin arsimor. /Telegrafi/