Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se Shqipe Mjekiqi i është bashkuar ekipit të tij për të kontribuar në fushën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në një postim publik, Kurti tha se me Mjekiqin ka diskutuar për prioritetet e Kosovës në proceset euroatlantike dhe zhvillimet politike e të sigurisë.


“Në ekipin tim si Kryeministër, nga sot u bashkua Shqipe Mjekiqi, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se me të kanë biseduar për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimet në vend e rajon.

“Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë mbi nevojat e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, të arriturat tona socio-ekonomike dhe vlerat demokratike, zhvillimet politike në vendin tonë e në rajon dhe situatën e sigurisë”, thuhet në postimin e tij.

Shqipe Mjekiqi ka qenë nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa në mars të vitit 2023 kishte dhënë dorëheqje nga pozita dhe strukturat drejtuese të partisë. /Telegrafi/