Rotacioni i ambasadorëve në Shkup e Prishtinë, MEPJ: Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri ka reaguar pas raportimeve dhe komenteve mediatike lidhur me lëvizjet diplomatike në Shërbimin e Jashtëm, veçanërisht për lëvizjen e mundshme të Denion Meidanit, Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.
Disa media raportuan largimin e mundshëm të Meidanit, ndërsa të tjera paralajmëruan rotacion në diplomaci, konkretisht emërimin e Meidani për ambasador në Prishtinë, ndërsa të Petrit Malajt në Shkup, përcjell "TV21".
Përmes një reagimi zyrtar, Ministria e Jashtme thekson se lëvizjet diplomatike realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin rregullator të Shërbimit të Jashtëm dhe praktikat diplomatike.
Sipas ministrisë, këto procese bazohen në analiza profesionale dhe institucionale, me synim përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore dhe në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë.
Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.
Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.
Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.
Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme", thuhet në reagimin e zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi.

















































