LAJMI I FUNDIT:

“Zjarr dhe tërbim”: Pasaktësitë gjuhësore në përkthimin e veprës së Michael Wolffit

“Zjarr dhe tërbim”: Pasaktësitë gjuhësore në përkthimin e veprës së Michael Wolffit

Theodhor Cico


Qysh në fillim të përkthimit thuhet se krerët 1-9 të veprës i ka përkthyer Alfred Cako, kurse krerët 10-22 Nikolla Langore. Fjala kreu, pra secila nga pjesët kryesore, në të cilat ndahet lënda e një libri, nuk përdoret në numrin shumës. Krerët, që përdoret vetëm në shumës, ka kuptimin e bagëtisë, p.sh., Dhjetë krerë lopë. Në rastin tonë duhej thënë kapitujt.

Thuajse gjatë gjithë përkthimit është gabuar në përdorimin e foljes ndiej. Kështu në f. 20 thuhet: Kudo ndjehej (në vend të ndihej), në f.35…duke u bërë edhe të ndjehej ngushtë (në vend të ndihej)…etj., por çudia është se në f.289, p.sh., shkruhet si duhet… ai ndihej keq, ose në f.294…Trampi nuk ndihej asnjëherë mirë kur thoshte se dikush ishte “i zgjuar”.

Numërorët duhet të shkruhen veç, mirëpo këtu thuajse në gjithë përkthimin shkruhen bashkë, p.sh., në f.22…në gjashtëdhjetetetën (kur duhet gjashtëdhjetë e tetën), f.33…njëzetepesë milionë (duhet njëzet e pesë), f.93…dyqindepesëdhjetë mijë (duhet dyqind e pesëdhjetë), f.159…gjatë dyzetetetë orëve (duhet dyzet e tetë), f.163…zgjati njëzetegjashtë minuta (kur duhet njëzet e gjashtë) etj.

Gjuha ka ligjet e saj dhe nuk mund të veprojmë sipas qejfit. Kështu në f. 16 fjala shkruhet me vizë në mes bashkë-varësie, kur duhet shkruar bashkë bashkëvarësie, ose në f. 121 gjejmë gjysmë-zyrtarë, kur duhet bashkë gjysmëzyrtarë. Në f.24, 60, 142 gjejmë të shkruar bashkë ndërmend, kur duhet veç ndër mend, në f. 343…brenda për brenda (por duhet shkruar bashkë brendapërbrenda).

Thëniet latine herë shkruhen mirë, herë gabohet. Në f. 33, 42 shkruhet de fakto, pra si shqiptohet në shqip, çka nuk lejohet dhe duhet shkruar de facto, siç është në latinisht. Në f.204…u bë përfaqësuesi i status kuosë…(kur duhet status quo), kurse në f. 173, p.sh., shkruhet mirë ipso facto. Në f.215 jo serioz, kur duhet joserioz, në f. 296 gjejmë jo-fitimprurëse, kur duhet bashkë jofitimprurëse, kurse në f.151 sa mirë shkruhet bashkë joshfajësuese, ose f.312 jonormale. 

Në f. 82 thuhet ish president, kur duhet me vizë ndarëse ish-president, mirëpo çuditërisht në f.386 ish-gazetare, f.141 ish-punonjësin, f.253 ish-zyrtar dhe ish-aktor…shkruhen mirë, pra viza ndarëse vihet në disa raste kur nuk duhet vënë dhe lihet pa u vënë kur duhet vënë.

Bie në sy përdorimi i pasaktë i presjes, e cila shumë shpesh vihet kur nuk duhet dhe, nga ana tjetër, lihet pa u vënë kur duhet. Pra, kjo gjë bie në sy gjatë gjithë përkthimit, por po mjaftohemi me disa shembuj domethënës. Kështu ç’do presja në këto raste: Në f. 15, thuhet: Kurse tani, kanali Breitbart Njuz i Benonit, në f.142…Për këtë, duhet të punojë…, f.169…Që do të thoshte, një rrëfenjë obsesive (një Zot e di se ç’do presja këtu!), f.333…Por, ajo nuk shkoi…, kurse në f.340 nuk e vë presjen dhe bën mirë…Por Trampi…, mirëpo në f. 361 përsëri e vë presjen…Por, ky president ishte ngritur…etj.

Në të gjithë përkthimin hasen mënyra të shprehuri që janë të pasakta në raport me normat e gjuhës. Kështu përdoret ndaj në vend të prandaj, çka fatkeqësisht është përhapur jashtë mase në gjuhën e sotme të folur shqipe. Në f. 43…të hutuar, ndaj ai takim kaloi…, f.62…Ndaj Kristi mori përsipër…,f.191…për një raportim mbi politikat, ndaj duhet…etj., pra kemi përdorimin pa vend të parafjalës ndaj në vend të lidhëzës prandaj.Vërtet parafjala ndaj ka vetëm një rast që përdoret si lidhëz (pra në kuptimin prandaj, p.sh., ishte i plagosur, ndaj s’ecte dot), mirëpo në të gjitha rastet e tjera kuptimet dhe përdorimet e kësaj parafjale janë të kësaj natyre: dashuria ndaj prindërve, ndaj të gdhirë, u afrua ndaj zjarrit etj. Rrjedhimisht ndaj nuk duhet përdorur kurrë në vend të prandaj, që është një lidhëz dhe jo një parafjalë. Mjaft domethënës është rasti i f.151, ku e gjejmë dy herë parafjalën ndaj në të njëjtën fjali: Ndaj mbrojtja e tij ndaj skandalit po shihej si një lloj borxhi. Pra e para duhet Prandaj dhe e dyta është në vendin e vet.

Shpesh hasim përdorimin e gabuar të ndajfoljes pavarësisht, çka është përhapur shumë edhe në të folurën e përditshme. Kështu në f. 46 …thuhet …pavarësisht përshtypjeve…, f.137…pavarësisht politikës…, f.157…pavarësisht shpjegimit…, f.426… pavarësisht zbulimit...etj. Ndajfolja pavarësisht, që do të thotë pa marrë parasysh dikë a diçka, jo në varësi nga dikush a nga diçka, nuk mund të shoqërohet me dhanoren, por detyrimisht duhet thënë pavarësisht nga, pra pavarësisht nga shpjegimi, nga pershtypjet, nga zbulimi etj. Sa mire në f.357 thuhet: Në të vërtetë, pavarësisht nga akuza…Në f. 75 thuhet:…u thashë të gjithëve të bënin kujdes… Si të bënin kujdes? Kujdesi nuk bëhet. Është marrë nga italishtja fare attenzione ose nga frëngjishtja faire attention, por shqipja s’e pranon. Në këtë rast duhej thënë të tregonin kujdes ose të kishin kujdes që… Në 386 gjejmë: …presidenti dukej se donte të bënte me dije si do të shkojë… Si të bënte me dije? Ҫ’do të thotë kjo? Kujt i mungonin dijet që po e bënte me dije? Pra absurditet, në vend që të përdoreshin t’i njoftonte se…,t’i vinte në dijeni se…

Në f.133 gjejmë…kërkonte të mbulohej nga mediat, f.134…ishte nga ata tipa të cilët mbulonte më parë…(pra që të mos “ftoheshin” i mbulonte ?!), f.158…në përpjekje të mbulonte një presidencë…Pra në të gjitha këto raste mund të thuhej fare mirë… kërkonte të mbrohej nga mediat, në përpjekje për të mbrojtur apo për të marrë në mbrojtje një presidencë etj. Por kulmi është në f.133, ku thuhet: Nju Jork (kjo duhet me vizë ndarëse Nju-Jork) Observer mbulonte procesin e mbulimit të tij. Po ku e ka pasur mendjen ai që e ka përkthyer këtë fjali?

Në f. 328 gjejmë: …e kishte bërë Trampin shënjestër të talljeve… Si u bëka shënjestër njeriu? Ndoshta duhej thënë…e kishte bërë Trampin objekt talljesh. Në f. 412 thuhet: …cilësinë e të qenit politikan, f.327…Vlera e madhe e të qenit president etj. Në të gjitha këto raste duhet të qenët, sepse kemi të bëjmë me gjendjen sipas kuptimeve të foljes jam, pra  qenët politikan, të qenët president etj. dhe jo me qenin. 

Pasaktësi ka edhe në përdorimin e emrit. Në f.104 thuhet: …disa lloje dëshpërimi janë më të mirë , kur duhet më të mira, ose f.206 …tre burrat e pranonin se konfliktet ishin të pazgjidhshëm, kur duhej të pazgjidhshme, sepse kemi të bëjmë me rastin e ndërrimit të gjinisë të disa emrave mashkullorë në numrin shumës, pra këta emra kërkojnë që mbiemrat përcaktues të tyre në numrin shumës të vihen në trajtën e gjinisë femërore, si grupe të veçanta, drejtimet kryesore etj. Ne f.110 gjejmë:…ky ishte një nga elementët kyç për Benonin…, f.217…pastaj shtoi elementë të luftës kulturore…etj. Në këto raste duhet elementet, elemente, sepse kemi të bëjmë me emra jofrymorë. Pra element, elementi ka dy shumësa: elementet, kur bëhet fjalë për sendet, si në rastin tonë, dhe elementët, kur bëhet fjalë për njerëzit, p.sh., elementët armiq.

Pasaktësi vërehen edhe në përdorimin e foljes. E përmendem më sipër foljen ndiej dhe përdorimin e pasaktë të saj. Në f.20 gjejmë:.. çka mjaftonin, kur duhet mjaftonte, ose në f. 153…por media nuk u jepte vendin qe u takonin, kur duhet qe u takonte. Në f.57 thuhet:…e paluajtshme në gjithë botën, përfshi edhe një ndihmë…, f.86…njerëzve të afërt, përfshi edhe Benonin…,f.97…shoqërinë e Kullës Tramp, përfshi dëshirën…Kjo trajtë përdoret në mënyrë të gabuar gjatë gjithë përkthimit. Përfshi-përfshini është mënyra urdhërore e foljes, kur në këtë rast kemi të bëjmë me përcjelloren, pra duke përfshirë dhe s’na lejon askush që të përdorim një mënyrë të foljes në vend të një mënyre tjetër. Një pasaktësi e përkthimit është edhe struktura e fjalisë. Në f.133…Kurse mediat besonin se dinin gjithçka…, f.169… do të thoshte…,f.144…Që, sipas Skarborout, donte të thoshte se…dhe pak më poshtë kemi fjalinë…Sepse jeni amatorë dhe ju duhen profesionistë. Pra nuk mund të fillojë fjalia as me Kurse, as me Që, as me Sepse. Në të gjitha këto raste fare mirë mund të bëhej lidhja me fjalinë pararendëse duke u vënë një presje.

Në disa raste është gabuar në përdorimin e trajtës së shkurtër të përemrave vetorë. Kështu në f.126…këta ia kthenin, kur duhet ua kthenin, pra Pribusit dhe Benonit, atyre, ose f.247…i cili trëmbej vazhdimisht dobësive…, duhej trëmbej…, f.380… Trampi do t’i thoshte miqve…duhet do t’u thoshte…, f.400…Kur mbaroi dëshmia, presidenti tha të gjithëve…duhet tha të gjithëve etj. Si përfundim, mund të thuhet se duhet një kujdes i jashtëzakonshëm në përkthimin e çdo vepre, por sidomos të veprave të tilla si “Zjarr dhe tërbim” që lexohen, thuajse “përpihen”, nga qindra e mijra lexues. Mund edhe të ndodhë që normalisht të shpëtojë ndonjë gabim në ndonjë faqe të librit dhe për këtë mund të ketë ndreqje gabimesh në fund, por kurrsesi nuk lejohet të shpëtojnë aq pasaktësi gjuhësore, drejtshkrimore e stilistikore sa ato që përmendëm më lart.