LAJMI I FUNDIT:

Trashëgimia më shqetësuese e Trumpit

Trashëgimia më shqetësuese e Trumpit

Joseph E. Stiglitz

Dorëheqja e detyruar e Kirstjen Nielsenit si sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, nuk është arsye për të festuar. Po, ajo kryesoi ndarjen me forcë të familjeve në kufirin amerikan, duke i strehuar fëmijët nëpër kafaze prej hekuri. Por, largimi i Nielsenit nuk ka të ngjarë të sjellë ndonjë përmirësim, pasi presidenti Donald Trump dëshiron ta zëvendësojë atë me dikë që do të zbatojë politikat e tij anti-emigracion në mënyrë akoma më të pamëshirshme.


Politikat e emigracionit të Trumpit janë të tmerrshme, pothuajse në çdo aspekt. Dhe, megjithatë ato nuk mund të jenë tipari më i keq i administratës së tij. Në të vërtetë, identifikimi i aspekteve të saj më të shëmtuara është bërë një lojë popullore amerikane. Po, ai i ka quajtur emigrantët kriminelë, përdhunues dhe kafshë. Por ç’mund të themi për mizogjininë e tij të thellë apo për vulgaritetin dhe mizorinë e tij të pakufishme? Ose mbështetjen e tij për supremacinë e të bardhëve? Ose tërheqjen e tij nga marrëveshja e klimës në Paris, marrëveshja bërthamore e Iranit dhe traktati i forcave bërthamore me rreze të mesme? Dhe, sigurisht, është edhe lufta e tij për mjedisin, kujdesin shëndetësor dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Natyrisht që kjo lojë patologjike nuk përfundon kurrë, sepse pretendentë të rinj për titullin dalin pothuajse çdo ditë. Trumpi është një personalitet shkatërrues dhe edhe shumë kohë pasi ai të jetë larguar, ne mund të reflektojmë thellë se si një person kaq i çmendur dhe moralisht i sfiduar mund të jetë zgjedhur president i vendit më të fuqishëm në botë.

Por, ajo që më shqetëson më shumë është përçarja e institucioneve që janë të nevojshme për funksionimin e shoqërisë. “MAGA” e Trumpit (Bëni Amerikën të madhe përsëri) nuk është aspak për rivendosjen e lidershipit moral të Shteteve të Bashkuara. Ajo mishëron dhe feston egoizmin e shfrenuar dhe vetëpërmbajtjen. MAGA ka të bëjë me ekonominë. Por, kjo na detyron të pyesim: Cila është baza e pasurisë së Amerikës?

Adam Smith u përpoq të jepte një përgjigje në librin e tij klasik të vitit 1776, “Pasuria e kombeve”. Për shekuj me radhë, vuri në dukje Smith, standardet e jetesës kishin qenë në amulli. Pastaj, drejt fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë, të ardhurat fillojnë të rriten. Përse?

Vetë Smith ishte një dritë udhëheqëse e lëvizjes së madhe intelektuale të njohur si Iluminizmi Skocez. Vënia në pikëpyetje e autoritetit të vendosur që pasoi Reformimin e mëparshëm në Evropë e detyroi shoqërinë të pyeste: Nga e dimë ne të vërtetën? Si mund të mësojmë për botën përreth nesh? Dhe, si mundet dhe duhet të organizojmë shoqërinë tonë?

Nga kërkimi i përgjigjeve për këto pyetje lindi një epistemologji e re, e bazuar në empirizmin dhe skepticizmin e shkencës, që erdhi të mbizotërojë mbi forcat e fesë, traditës dhe besëtytnisë. Me kalimin e kohës, u krijuan universitete dhe institucione të tjera kërkimore për të na ndihmuar të gjykojmë të vërtetën dhe të zbulojmë natyrën e botës sonë. Shumë nga ato që i marrim për të mirëqena sot – nga energjia elektrike, transistorët dhe kompjuterët deri te laserët, mjekësia moderne dhe telefonat e zgjuar – është rezultat i kësaj prirje të re, e siguruar nga kërkime shkencore bazë (shumica prej tyre të financuara nga qeveria).

Mungesa e autoritetit mbretëror ose kishtar që të diktojë se si duhet të organizohet shoqëria për të garantuar që gjërat të shkojnë mirë, pse sa më mirë që të munden, nënkuptonte se shoqëria duhet ta gjente vetë një zgjidhje për këtë. Por, krijimi i institucioneve që do të siguronin mirëqenien e shoqërisë ishte një çështje më e ndërlikuar sesa zbulimi i të vërtetave të natyrës. Në përgjithësi, nuk mund të kryhen eksperimente të kontrolluara.

Megjithatë, një studim i afërt i eksperiencës së kaluar mund të jetë informativ. Duhej të mbështeteshe në arsyetim dhe diskurs – duke pranuar se asnjë individ nuk kishte një monopol në kuptimet tona të organizimit shoqëror. Nga ky proces doli një vlerësim se institucionet qeverisëse të bazuara në sundimin e ligjit, proceset e duhura, kontrollet dhe balancat, dhe të mbështetura nga vlerat themelore si liria individuale dhe drejtësia për të gjithë, kanë më shumë gjasa të prodhojnë vendime të mira dhe të ndershme. Këto institucione mund të mos jenë të përsosura, por ato janë projektuar në mënyrë që të ketë më shumë gjasa që të metat të zbulohen dhe më pas të korrigjohen.

Ky proces eksperimentimi, të mësuari dhe përshtatjeje, megjithatë, kërkon një angazhim për të vërtetuar të vërtetën. Amerikanët i detyrohen një pjesë të madhe të suksesit të tyre ekonomik një grupi institucionesh që tregojnë të vërtetën, zbulojnë të vërtetën dhe vërtetojnë të vërtetën. Kryesore mes tyre janë liria e shprehjes dhe media e pavarura. Njësoj si të gjithë njerëzit, gazetarët mund të gabojnë, por, si pjesë e një sistemi të fuqishëm kontrollesh dhe ekuilibrash ndaj atyre në pushtet, ata tradicionalisht kanë siguruar një të mirë publike të domosdoshme.

Që nga koha e Smithi, është treguar se pasuria e një kombi varet nga kreativiteti dhe produktiviteti i popullit të tij, të cilat mund të avancohen vetëm duke përqafuar frymën e zbulimit shkencor dhe inovacionit teknologjik. Dhe kjo varet nga përmirësimet e vazhdueshme në organizimin social, politik dhe ekonomik, të zbuluar përmes diskutimeve publike të arsyetuara.

Sulmi i Trumpit dhe administratës së tij ndaj secilës nga shtyllat e shoqërisë amerikane – dhe poshtërimi i tij sidomos agresiv i institucioneve që kërkojnë të vërtetën – vë në rrezik prosperitetin e vazhdueshëm dhe aftësinë e tij për të funksionuar si një demokraci. As nuk duhet të ketë kontrolle për përpjekjet e gjigantëve të korporatave për të kapur institucionet – gjykatat, legjislaturat, agjencitë rregullatore dhe mediat kryesore – që supozohet t’i parandalojnë ata nga shfrytëzimi i punëtorëve dhe konsumatorëve. Para syve tanë shfaqet një dystopi e imagjinuar më parë vetëm nga shkrimtarë fantastiko-shkencorë. Duhet të na dridhet mishi kur mendojmë se kush “fiton” në këtë botë dhe kush dhe çfarë mund të bëhemi ne në luftën për të mbijetuar. /Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/