LAJMI I FUNDIT:

“Tirana ’14” shfaqet edhe në Kosovë (Video)

“Tirana ’14” shfaqet edhe në Kosovë (Video)

Premiera e Filmit “Tirana ‘14”, është sjellë edhe në Kosovë. Në pamundësi për t’u shfaqur në të njëjtën ditë kur është bërë premiera edhe në Tiranë, shfaqja ka ndodhur të hënën në Prishtinë dhe në Prizren në të njëjtën kohë.

Regjisori dhe skenaristi i këtij filmi, Edmond Mandro, thotë se ky film nuk e përshkruan realitetin e Tiranës ashtu siç është, pasi sipas tij, është një komedi dhe se zakonisht në komedi gjërat ekzagjerohen. Këtë ai e ka thënë në një konferencë për media, pas premierës të këtij filmi.

Ky film ka zgjuar kritika të shumta, pasi që ka për temë tradhtinë e femrës dhe arritjet e femrave në karrierë në baza jo-meritore.


Por, Mandro sqaron se qëllimi i këtij filmi nuk ka qenë aspak për të ofenduar askënd dhe se përmes tij, ai paraqet rolin e seksit në shoqërinë tonë dhe ndikimin që ai ka te familjet.

Regjisori ka shtuar se pikërisht ky përshkrim duke mos e përshkruar realitetin ashtu siç është, është pëlqyer edhe në festivalin e Selanikut, sepse sipas tij, ata panë një Shqipëri më evropiane, larg problemeve sociale, me të cilat janë mësuar të gjithë ta shohin.

Edhe aktori kryesor i këtij filmi, Genc Fuga, ka thënë se ky film nuk paraqet realitetin e saktë të Tiranës, pasi që është një komedi dhe sipas tij komedia gjithmonë shkon edhe përtej shakasë.

Që nga dita e sotme, ky film do të jetë në repertorin e Kinemasë ABC. /KP/Telegrafi/