LAJMI I FUNDIT:

Testi i parakohshëm

Më 29.6.2010 është mbajtur testi i arritshmërisë për klasat e IX-ta në gjithë Kosovën, me qëllim të përcaktimit të pikëve për nxënësit që kanë përfunduar shkollën e mesme të ulët, për t’i mundësuar të orientohen në shkollimin e mesëm. Një test i përbërë prej 100 pyetjeve nga lëndë të ndryshme dhe për çdo përgjigje të saktë një pikë të shënuar. Pas analizës së testit, shumica e pyetjeve kanë qenë të përshtatura me nivelin e shkollimit dhe me pyetje të logjikshme, me një fjalë test i përshtatshëm.

Por, brengosëse janë zhvillimet që po bëhen rreth këtij testi, duke filluar nga përgatitja për realizimin e tij, e deri tek shpallja e rezultateve. Ka shumë pika kyçe të cila po e ulin rëndësinë e këtij testi deri në atë shkallë që të len të kuptosh se nuk është më shumë se një takim i thjeshtë dhe i pavlerë i mësimdhënësve, nxënësve, udhëheqësve arsimor nga shkolla të ndryshme të rrethit, e jo si një test i rëndësisë së veçantë për të gjithë këta faktorë të lartpërmendur.


Duhet nisur nga klasifikimi i këtij testi, si vlerësim i jashtëm i njohurive të nxënësve për këtë nivel shkollimi, por nuk mund të themi që në praktikë po bëhet një gjë e tillë, duke pasur parasysh faktin, se vetëm testi po përpilohet nga jashtë dhe organizimi i testimit po ashtu, por gjithë procesi po ndikohet dhe po i ndërrohet kahja me pjesëmarrjen e mësimdhënësve në cilësinë e vëzhguesve dhe administratorëve nëpër klasës e testimit, e për fat të keq në këtë rast po vlerësohen njohuritë e tyre e jo të nxënësve, duke dhënë në fund një rezultat jo real. Në momentin që konsiderohet si vlerësim i jashtëm, atëherë nuk duhet të jenë pikë kyçe vet mësimdhënësit, e sidomos të shkollimit fillor dhe atij të mesëm të ulët, duke pamundësuar një vlerësim real të njohurive të nxënësve.

Nuk mjafton që të ketë angazhim të njëanshëm, në këtë rast të Drejtorive Komunale të Arsimit, që të ketë një mbarëvajtje të mirë dhe të shkoj procesi në rrugën e duhur, por një përgjegjësi shumë më e madhe e mësimdhënësve në cilësinë e mbikëqyrësve të klasave testuese. Të cilët realisht po janë në qendër të vëmendjes me veprimet e tyre nga më të ndryshmet për të bërë jo real këtë testim dhe pa vlerë.
Edhe përkundër angazhimit dhe zotimit për një mbarëvajtje më të mirë nga ana e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe MASHT-it, organizimi nuk po shkon në rrugën e duhur, duke lëshuar shumë mangësi dhe gjëra që ka mundësi të jenë pozitive, si informimi më i mirë i nxënësve dhe kujdestarëve të klasave që kanë për t’u testuar, për mënyrën e testimit dhe plotësimit të anës teknike të testit, për t’i përgatitur ata që së paku të mos kenë këtë ngarkesë gjatë kohës së nënshtrimit testit.

Mangësi tjetër kemi caktimin e mësimdhënësve mbikëqyrës nëpër klasë ku mbahet testimi, ku Drejtoritë Komunale duhet të kenë më shumë kujdes në këtë pikë, për t’i mos humbur vlera testit të arritshmërisë. Mësimdhënësit në këtë rast nuk duhet të jenë pjesë përbërëse e këtij testimi, me qëllim nxjerrjes reale të rezultatit, por të caktohen njerëz të fushave tjera, me të cilët paraprakisht do të punohet për të kuptuar ecurinë e testimit.

Një pikë tjetër e dobët e këtij testimi, është ambienti i papërshtatshëm për një lloj testimi të këtij niveli, pasi që klasat në të cilat duhet të jenë prezent nxënësit, janë të përmasave të vogla, duke pasur parasysh numrin e madh të tyre që posedojnë klasat tek ne me ngarkesa të shumta. Nuk duhet të pritet rezultat i mirë nga ky testim, pasi që ulja e nxënësve është shumë afër njëri-tjetrit (nga dy në një bankë dhe bankat shumë të ofruara njëra me tjetrën), duke i mundësuar komunikimin në mes vete. Për këtë problem, duhet të zvogëlohet numri i nxënësve brenda një klase të testimit dhe të ulen vetëm nga një nxënës dhe largësia e bankave në mes vete të jenë më të larguara, për të siguruar një rezultat me real.

Prapë po kthehemi tek papërgjegjësia e mësimdhënësve në kryerjen e detyrës së caktuar në këtë testim. Ndërhyrjet janë të një përmase të madhe, duke hyrë nëpër klasë tjera për t’i ndihmuar ndokujt prej nxënësve dhe pamundësia e mbikëqyrësve të atyre klasave për të intervenuar në një rast të tillë, sepse edhe ata duhet të shkojnë në klasat tjera, kështu që duke ia mundësuar njëri-tjetrit ndërhyrjet e shpeshta.

Vërtet gjatë kohës së testimit krijon bindje se nuk është duke u bërë ndonjë testim i njohurive të nxënësve, por ndonjë lojë se kush po mundet të kopjoj më së shumti prej të gjithëve, duke i mundësuar nxënësve më të dobët dhe më problematikë të arrijnë pikë më shumë se ata që janë me sukses të lartë. Këso raste kemi shumë nga vitet e kaluara, duke u shokuar të gjithë nga arritja e disa nxënësve në mesin e më të mirëve e në realitet janë më të dobëtit për nga njohurive shkollore. Ky fakt është për të na bindur se nuk ka test real dhe ende na mbetet të punojmë në këtë drejtim për të rritur cilësinë dhe sigurinë e tij.

Për të mos harruar edhe garën që po bëhet në mes mësimdhënësve, në mes klasave, në mes fshatrave e Komunave, se kush po arrin rezultat më të lartë dhe për t’u lavdëruar para të tjerëve, por duhet të jemi të vetëdijshëm që po luajmë me fatin e nxënësve për shkak tekeve tona.

Ka edhe shumë pika tjera që duhet të përmenden në këtë shkrim si koha e gjatë e mbajtjes së testit pas përfundimit të vitit shkollor (përfundimi i vitit shkollor më 03. 06. 2010, ndërsa testi është mbajt më 29. 06. 2010), duke shtuar stresin te nxënësit, si dhe zgjatja e shpalljes së rezultateve për t’i shtuar edhe më shumë stresin e tyre, që kanë të bëjnë me testin në fjalë, por qëllimi ynë është që këto mangësi të mos merren si kritikë me qëllim të keq, por që të mos përsëriten në vitet e ardhshme, duke i eliminuar ato për të nxjerrë realisht një test të arritshmërisë dhe ngritjes së cilësisë së arsimit në përgjithësi.

Se testi i arritshmërisë për klasat e IX-ta, është i parakohshëm për arsimin tonë, nga pikat që kemi shënuar më lart na lë të kuptojmë se ende nuk jemi të gatshëm për të zbatuar një test të mirëfilltë. Si rrjedhim maltretohen nxënësit, diskriminohen dhe jo për fajin e tyre nuk ata nuk kanë mundësi të zgjedhin profesionin e duhur.

(Autori studion master, menaxhimi në arsim)