LAJMI I FUNDIT:

Të manipuluarit!

Të manipuluarit!

Para se të shkelte në “tokën e shqipeve”, Donald Lu kishte lexuar për historinë e shqiptarëve. Në literaturën që kishte shfletuar, kishte gjetur se shqiptarët janë njerëz që nuk u trembet syri dhe që e kanë ndjesinë e drejtësisë. Por, kur kishte nisur punën në vendin e tyre si diplomat i dërguar nga Amerika, ishte befasuar me dy gjëra: me verbërinë e vendësve ndaj të huajve dhe me ikjen e tyre nga të kërkuarit përgjegjësi kundrejt padrejtësive që u bëhen. Mirëpo, me kalimin e kohës, kishte arritur ta nxjerr përfundimin se ky popull sillej në atë mënyrë, pasi ata që e drejtojnë apo që merren me politikë janë më të pashpirt ndaj tyre se çdo i huaj dashakeq. Atë që s’kishte arritur ta kuptonte ishte se si një popull trim, e pranon manipulimin nga politikanët.

Lu, i kishte përshkruar vetëm shqiptarët në Shqipëri, ndonëse nga prizmi i një diplomateje tjetër, ngjashëm sillen edhe ata që jetojnë në Kosovë. Angelika Viets, e cila vjen nga shteti më i fuqishëm evropian- Gjermania, njëjtë si Lu, s’e fshehu zhgënjimin përkitazi me raportin që ka populli i shtetit më të ri në Evropë me të zgjedhurit e tij. Kuvendi i Kosovës, prej kohësh nuk po arrin ta kryejë siç duhet funksionin e vet kushtetues për shkak të krizave, bojkotit, mungesës së kuorumit, mungesës së debatit dhe kalimit të ligjeve pa ndonjë analizë të mirëfilltë. Bazuar në këtë gjendje, ajo erdhi në përfundim se: “Kosovës mund vetëm t’i dëshirohet që zgjedhësit ta kuptojnë kush është duke i përfaqësuar”. Lu e Viets, si diplomat që janë, mund t’u rastisë që një ditë të takohen diku në një shtet të huaj dhe atëherë do kenë çka të flasin për shqiptarët.


Në dy shtetet me shumicë shqiptare, qytetarët që dikur ngriheshin kundër regjimeve dhe pushtuesve, tash në demokraci nuk ngrihen në mbrojtje të interesave të përbashkëta. Politikanët ngrehin perandori mbi kurriz të tyre, e ata qëndrojnë duke u mbajtur regjistër se si dhe sa shpejt po pasurohen. Vetëm në një shtet ku qytetarët dorëzohen dhe s’ kërkojnë llogari për taksën e tyre, deputeti ndihet komod kur e merr rrogën pa punuar fare, e ministri s’ndjenë përgjegjësi për dështimet në resorin që e udhëheq. Vetëm në një shtet ku nuk ndihet zëri i qytetarit, fëmijët vdesin nën rrënoja të shtëpive që formalisht janë nën mbikëqyrje të dy pushteteve-lokale e qendrore dhe askush nuk jep llogari.

Histeria në rrjetet sociale në mbështetje të viktimës nuk është zgjidhje, ashtu siç nuk është zgjidhje të lihet një organizatë e vetme në betejë kundër autoriteteve që kanë lejuar degradimin e trashëgimisë kulturore në qytetin historik të Kosovës. Po të kishte qytetari aktive, nuk do të protestohej vetëm në Prizren, por për Xhenetën tri vjeçare, do të protestohej edhe në qendër të Prishtinës, derisa drejtësia të vihej në vendin e vet.

Një qytetari aktive, do t’i kërkonte llogari Qeverisë pse para syve të saj po lejohet që në Kosovë të ndërtohet një qytet nga një shtet tjetër. Kosova nuk është e Qeverisë, por pushtetarëve u janë besuar mekanizmat për ruajtjen e sovranitetit të shtetit. Më e pakta që ka mundur të bëhet, ditën kur është vënë gurthemeli i “Luginës së Diellit” në veri të vendit, ka qenë ndërprerja e dialogut me Serbinë dhe përjashtimi i ministrave që marrin rrogë në Kosovë e punojnë haptas për shtetin fqinj.

Një qytetari aktive nuk do të lejonte as në një qytet të vogël si Klina, të derdheshin rreth 1.5 milion euro për ta shtruar një shesh më kalldrëm, në një hapësirë që jo shumë moti është asfaltuar. Klina edhe ashtu nuk ka objekte të vjetra që kërkojnë të jenë në harmoni me kubëzat prej gurëve, ashtu siç nuk kishte Kaçaniku klimë bregdetare, kur u mbëltua me palma. Parat që derdhen nëpër projekte, nuk janë të kryetarëve, as të këshilltarëve komunal, por janë të taksapaguesve. Prandaj, për mënyrën e shpenzimeve të mjeteve buxhetore, në disharmoni me nevojat që i ka një qytet, do duhej të jepte llogari edhe niveli qendror i qeverisjes.

Një qytetari aktive, nuk do të lejonte që ndërmarrjet shoqërore e publike të “privatizohen” nga njerëzit e politikës dhe t’ua lënë atyre monopolin për përfitime e punësime, të cilin edhe ashtu e mbajnë nëpër institucionet shtetërore. Politikanët nuk do të jenë në shërbim të popullit, por do të vazhdojnë ta kenë popullin në shërbim të tyre, për aq kohë sa populli nuk do të kërkojë llogari prej tyre. Politikanët do të vazhdojnë të jenë të preokupuar vetëm se si të jenë mirë me aleatët e jashtëm, t’u lajthiten atyre, të kërkojnë “paqe” me ta… Kush mund ta besoj se rruga Ferizaj – Gjilan, afër kampit “Bondsteel”, do të emërtohej “Beau Biden”, sikur i ndjeri të mos ishte i biri i zëvendëspresidentit amerikan, Joe?. Shumë më e ndershme do të ishte sikur kjo rrugë të emërtohej “Rruga e paqeruajtësve”, sepse kështu do të nderohej edhe Beau, edhe të gjithë ushtarët e tjerë që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë me mision në Kosovë.

Por, kur e ke një klasë të tillë politike, barra bie mbi qytetarët që t’u tregojnë aleatëve që vijnë nga bota demokratike se vullneti i tyre nuk është gjithmonë në harmoni me vendimet që i marrin politikanët. Se atyre nuk u duhet një klasë politike që rri kokulur përballë kritikave që u bëjnë ambasadorët e huaj, gjë që nuk tolerohet askund në botë. Qytetarëve nuk u duhet një klasë politike, që me veprimet e tyre i shtynë ata që t’i shkojnë ndërkombëtarët në dritën e syve. Lu, do të thoshte se duhet reaguar ndaj qeverive dhe s’ka nevojë të merren për flori ato që thonë ambasadorët. E ne duhet të themi: S’kemi pse të pranojmë të jemi të manipuluar. “Detyra e një patrioti të vërtetë është ta mbrojë vendin nga qeveria e tij”, thoshte njëri nga etërit e kombit amerikan, Thomas Paine.