LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë të lumtur në Milano

Të gjithë të lumtur në Milano

Interi dhe Milani janë ndarë baras, 1-1, në derbin më të madh lokal në botë - Derby della Madonnina, që u zhvillua të dielën mbrëma në Milano.

Nerazzurrët luajtën më mirë në minutat e para të ndeshjes, mirëpo nuk arritën të organizoheshin për të rrezikuar portën kundërshtare. Ndërkohë, me kalimin e minutave, Rossonerët filluan ta dominojnë takimin dhe të shfaqeshin të rrezikshëm.


Pas një rasti të pashfrytëzuar të Balotellit, erdhi goli i epërsisë. Boateng dërgoi një top në zonë, të cilin e priti Stephan El Shaarawy dhe me stil e kaloi Milanin në epërsi (21’) duke shënuar golin e 16-të në Serie A këtë edicion.

Në vazhdim të fraksionit të parë, kuqezinjtë patën disa raste, ndërsa Handanovic ia mohoi dy herë radhazi golin Mario Balotellit, i cili nuk arriti ta mposhtë portierin zikaltër edhe nga gjuajtja e lirë.

Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë, Abbiati bëri një superpritje për t’ia mohuar golin Guarinit.

Pas një periudhe të dominimit të Rossonerëve, Nerazzurrët reaguan për ta barazuar rezultatin. Yuto Nagatomo dërgoi një harkim të mirë në zonë, ndërsa lojtari i porsainkuadruar në lojë, Ezequiel Schelotto, shënoi me kokë (71’).

Pas barazimit të rezultatit, u ngadalësua tempi i lojës, duke qenë se asnjëra nga skuadrat nuk e dëshironte humbjen. Megjithatë, rastet nuk munguan deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.

Milani mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 45 pikë, ndërsa Interi gjendet një pozitë më poshtë me një pikë më pak. /Telegrafi/