LAJMI I FUNDIT:

Tarifat e rrymës, ZRRE takime të përbashkëta me akterët kyç të sektorit të energjisë

Tarifat e rrymës, ZRRE takime të përbashkëta me akterët kyç të sektorit të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji, në vazhdën e takimeve të zhvilluara gjatë kësaj jave, ka pritur në takime të ndara përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE) me seli në Vjenë, si edhe përfaqësuesit e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe përfaqësuesit e Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Në këto takime, ZRrE i informoi të pranishmit lidhur me gjendjen aktuale në sektorin e energjisë, respektivisht sfidat dhe problemet në të cilat është duke kaluar sektori.


Në veçanti, u diskutua rreth situatës së krijuar si pasojë e pezullimit të vendimit të ZRrE-së për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, e në të njëjtën kohë, u informuan me hollësi rreth veprimeve procedurale që ZRrE i ka ndërmarrë pranë gjykatave kompetente, në harmoni me legjislacionin në fuqi.

“Përfaqësuesit e ndërmarrjeve u shprehen të shqetësuar rreth paqartësisë së krijuar nga ky proces gjyqësor, si dhe vështirësitë dhe problemet eventuale me të cilat do të ballafaqohen në një të ardhme të afërt. Po ashtu, në këto diskutime, u shtrua edhe çështja e mosmbulimit të kostove të sistemit të energjisë dhe rrjedhimisht, vënia në rrezik e gjithë procesit të marrëveshjes së kyçjes në organizatën ndërkombëtare ENTSO-E, pasi që, ky proces, nuk është proces i ndarë e që do zbatohet vetëm ndaj një entiteti publik në këtë rast, por që, është duke u rrezikuar i gjithë stabiliteti i operimit të ndërmarrjeve të energjisë”, thuhet në njoftim.

Më tej, palët u dakorduan që të vazhdojnë takimet dhe bashkëpunimin, për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të pranueshme dhe me më pak pasoja për të gjitha palët, gjithnjë duke e pasur në konsideratë sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e ndërmarrjeve në sektorin e energjisë, si edhe mbrojtjen e konsumatorëve. /Telegrafi/