LAJMI I FUNDIT:

Studenti

Kryesisht, profilizimi i nxënësve fillon menjëherë pas mbarimit të shkollës së mesme. Paralelisht me këtë, fillojnë edhe brengat për të ardhmen.

Përgjatë festimit të përfundimit të shkollë, sikur një shkëndijë befasuese, fillon të gëlojë edhe shqetësimi kryesor i nxënësve në vitin e fundit. Ky shqetësim përkon me përcaktimin e profesionin e ardhshëm, aq më tepër kur në ditët e sotme, thuajse të gjithë shkojnë në fakultet dhe vështirë është të gjesh ndonjë drejtim deficitar për të siguruar kështu nesër një punë!


Bëhen shumë konsultime me njerëz të ndryshëm, rreth asaj se çka duhet të vazhdojnë më tutje. Ndokush që në fillim deklarohet se nuk do të vazhdoj më shkollimin, ndokush veten e sheh në mërgim apo dikush në tregti. Edhe pse kjo ndarje sot është shumë e mjegullt, duke rendur kështu studenti me këto tri dëshira në dyert e fakulteteve, i gjori nuk e ka të qartë se çka është në të vërtetë.

Ata që vendosin të vazhdojnë shkollimin nëpër universitete shtetërore, ende pa u regjistruar do të përballen me problemin e të regjistruarit. Këtu fillon mugullimi i padrejtësive. Me padurim priten rezultatet dhe me të marrë vesh se është regjistruar, fillon një gëzim i pa përshkruar dhe me vete mendon se e largoi një brengë nga koka, duke harruar i gjori pikërisht se tani e ka hapur derën e brengave të pambarimta.

Kur fillon viti i parë, studenti përballet me shumë të pa pritura, sepse ajo që e kishte menduar më parë tani nuk i del ashtu. Por, disi përshtatet tashmë si studentë. Fillon të bëjë ndryshime graduale, të mendojë ndryshe, të ketë një rreth ndryshe. Përgjithësisht, iu nënshtrohet ndryshimeve.

Synimi kryesor është që ta kryejë fakultetin, por brenda për brenda studimeve ai ka edhe shumë nën qëllime të tjera, si për shembull: të pasurohet me dituri, të ndjek kurse të gjuhëve të huaj, të ndjek trajnime të ndryshme, të jetë i rregullt në ligjërata, të jetë i sinqertë me kolegët dhe shumë veprimtari të tjera. Dhe, krejt në fund të këtij rrugëtimi, ta bëjë rrumbullakimin e tërë asaj që e ka studiuar.

Ai gjatë studimeve bën shpenzime të mëdha, prindërit e tij bëjnë çmos vetëm e vetëm që djali i tyre ta kryejë fakultetin dhe të punësohet në ndonjë vend të mirë të punës. Po ashtu edhe djali i ka parasysh shpenzimet e bëra dhe nuk dëshiron që prindërit e tyre më në fund të zhgënjehen, ndaj studenti bën të pamundurën që të dalë një student i ditur, i formuar, si dhe të ketë një rivalitet me diturin!

Tashmë, gjatë studimeve, brenga e tij fillon të evoluojë dhe shpresa të pasurohet. Me anë të përpjekjeve titanike dhe angazhimit të madh, studimeve u ofrohet fundi. Fillon ta bëjë përgatitjen e tezës së diplomës dhe kështu pas pak arrin të diplomojë. Ashtu i gëzuar, bëhet manifestimi, vijnë miq nga më të ndryshmit dhe prej viseve të ndryshme, duke e përgëzuar për diplomimin. Dhe, sikur në fillim të regjistrimit, me vete thotë: “Ehe, ja e largova edhe një brengë të madhe”, duke harruar i gjori se pikërisht tani fillon rrebeshi brengave me fund të tejzgjatur.

Pas mbarimit të fakultetit, familja dhe i diplomuari mendojnë tashmë për punë. Shkojnë në një institucion për t’u lajmëruar se e ka kryer fakultetin, por për çudi, prej këtu fillojnë problemet kryesore me përgjigje negative për punësim. Ajo çka më së shumti i brengos prindërit dhe të diplomuarin është se çdo natë në edicionin e lajmeve, ministra të ndryshëm pohojnë se kemi nevojë shumë për kuadro me fakultet!

Vendosi që të mos dorëzohet së kërkuari punë dhe shkoi në një institucion tjetër. Aty u prit shumë mirë. Tregoi se për çka ka ardhur, por pyetja fillestare në atë institucion ishte se cilës parti i takon? Ai nga kjo pyetje u trondit më keq se frutat e pemës përgjatë dridhjes së tokës. Nuk gjeti dot përgjigje. Ata i thanë bëje një biografi dhe të thërrasim pastaj (ishte një mënyrë për ta larguar nga të kërkuarit punë).

Ashtu i mallëngjyer, sheh një shok të tij, shok i shkollës së mesme. Buzë shitores së tij, gjegjësisht në trotuarin e grisur, u ndalën për të biseduar tema të rastit, ngase edhe rastësisht ishin takuar. Ky, i posa diplomuari i tregon rastin, duke shprehur keqardhje për gjendjen e rënduar. Shoku i tij, sikur të mos ketë kohë për biseda më të gjata, nxitimthi i thotë: “Nëse nuk gjen dot punë, eja tek unë, mund të punosh si shitës dhe të marrish rrogë me vlerë prej 120 eurove”!

Këto fjalë ishin një goditje e rëndë për të diplomuarin! Ashtu heshtazi u largua dhe shkoi për në shtëpi. Duke qenë i vetmuar në dhomë, filloi të mendojë mbi atë se çka po i ndodhë dhe ia parashtroi një varg pyetje vetës: “Ku qëndron problemi që unë nuk mund të futem në rrjedhat e punës”? “Ndonëse potenciali im intelektual është i paralizuar, ndoshta kam imituar e nuk kam studiuar, ndoshta kam kopjuar e nuk kamë logjikuar, apo ndoshta notat e mia nuk përputhen me realitetin dhe një vragë pyetjesh dhe dyshimesh rreth problemeve të sapo shfaqura”.

Ajo e cila më shumë e shqetësonte, ishte se pse nuk po mundet dot t’i përgjigjet pyetjeve që i vinin vërdallë kokës, përkundër që shumë pyetjeve gjatë studimeve u ishte përgjigjur! Shqetësimet sa vinin e rriteshin. Asgjë nuk ndryshonte përpos brengave që tashmë lindën dhe demoralizimi. Nuk i kishte mbetur skutë pa kërkuar për punë, nuk i kishte mbetur njeri që nuk ia kishte qarë hallin dhe në anën tjetër, universitetet private sa vinin e shumoheshin. Mbase nuk përtonin të thoshin në fillim të hapjeve solemne, rektorët, se kemi nevojë për kuadër, andaj është bërë hapja e këtij universiteti privat. Kryeministri del me premtime për vende të reja pune, ndërsa në praktikë nuk bëhet asgjë përpos disa punësime sporadike, dhe atë me lidhje shumë të forta partiake. Sidoqoftë, kur të luaj universiteti dhe shteti me kokat intelektuale, atëherë dëmi do të jetë në vet universitet dhe në vet shtetin. Kjo është vrasje me “efekt domino”!

Ky fakt është fat i shumë studentëve, të cilët kanë diplomuar nëpër drejtime të ndryshme. Është fakt real! Por, rasti në fjalë është veç një nxitje për mos dorëzim, për nxitje përballë kësaj amullie. Sepse, timoni i ndryshimeve vitale në një shtet është në duart e studentëve. Kësodore, studentët janë ata të cilët bëjnë ndryshime radikale në formë paqësore. Ata të cilët e ngritin zërin për të vërtetën, ata të cilët politikbërësit i lënë pa fjalë. Studentët janë e tashmja e popullit. Mjaft më me gënjeshtrat e politikanëve gjoja se "studentët na qenkan e ardhmja e popullit". Ky pohim i tyre nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër që ata në mënyrë perfide duan ta shfrytëzojnë të tashmen, duke i mashtruar studentët dhe të diplomuarit se "ju nuk duhet të brengoseni për të tashmen (ne jemi ata të cilët brengosemi), sepse ju jeni e ardhmja e popullit”! Studentët janë truri i shoqërisë, lokomotiva e njerëzimit, sepse ata në vete ngërthejnë dy çështje kryesore: rininë dhe formimin intelektual.

Kështu që, të nderuar studentë, ta shfrytëzojmë kohën maksimalisht gjatë studimeve dhe në fund mos ta festojmë mbarimin e studimeve me alkool dhe nëpër restorante të ndryshme, duke iu nënshtruar këngëtarëve injorantë, por ta falënderojmë Zotin i cili na bëri të mundur të dalim prej një oaze të diturisë në një mundësi për t’i praktikuar dhe shumëzuar këtë tufë diturish!