LAJMI I FUNDIT:

Status Quo alias … “Asociacioni”

Status Quo alias … “Asociacioni”

Më datën 27 qershor të vitit 2013, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë – të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë (Linku: Këtu). Në nenin e parë të kësaj marrëveshjeje, u përcaktua krijimi i një asociacioni – apo të një bashkësie të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të themelohet përmes një statuti (të themelimit). Ndërkaq, pikat tjera të dokumentit parashihnin integrimin e qeverisjes komunale – të komunave me shumicë serbe, si dhe të komunitetit serb në strukturat institucionale të Republikës së Kosovës.

Me datën 25 gusht 2015, ish-kryeministri i Kosovës (Isa Mustafa), ka nënshkruar këtë dokument: “Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, përkitazi me statutin e këtij asociacioni, i cili ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.


Më datën 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese ka konkluduar se krijimi i një asociacioni (si më sipër), është detyrues për Republikën e Kosovës, ndërsa ka dhënë vërejtje për disa pika të parimeve të përgjithshme që do të inkorporoheshin në statut (të këtij asociacioni eventual).

Si rrjedhojë, krijimi i një asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është çështje e vendosur nga vet Republika e Kosovës – dhe është detyruese. Për të negociuar, për këtë, mbetet vetëm përmbajtja e statutit të këtij asociacioni.

Është paksa e vështirë për komunitetin ndërkombëtar që të kuptojë, sot, një qëndrim të përfaqësuesve të Republikës sonë se asociacioni i krijuar mbi baza etnike është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës! Në fakt, ky qëndrim, ashtu sikurse shihet qartë (si më lartë), është i papranueshëm për komunitetin ndërkombëtar dhe i paarsyetushëm në relacione ndërkombëtare. Një shtet është subjekt juridik i të drejtës ndërkombëtare, dhe i nënshtrohet detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet që vet ka ratifikuar. Nëse dëshirojmë që shteti ynë të konsiderohet si subjekt juridik i se drejtës ndërkombëtare, atëherë duhet të veprojmë përgjegjshëm.

A është ky asociacion i krijuar mbi baza etnike, i dobishëm?

Natyrisht se çfarëdo asociacioni i krijuar nga një komunitet etnik në Kosovë, nuk është zhvillim i dobishëm drejt shtetformimit të Kosovës. Sipas Kushtetutës, Kosova është shtet shumetnik, pra shtet ku disa komunitete etnike janë shtetformuese. Prandaj, krijimi i një asociacioni të një komuniteti etnik, bie ndesh direkt me konceptin e shtetit shumetnik. Megjithatë, kjo çështje është dashur të studiohet dhe diskutohet me kohë. Fatkeqësisht, në Kosovë nuk ka diskutim të mirëfillte lidhur me çështjet politike. Shoqëria kosovare nuk shquhet për diskutime publike (të problemeve reale). Politika ikën nga diskutimi publik dhe nuk hap dokumente për diskutim – me ekspertë dhe për publikun. Mediat, në përgjithësi, gjithashtu nuk shquhen për debate përmbajtjesore. Si rrjedhojë, shoqëria kosovare bën zakonisht analiza ex post. Për më tepër, analizat nuk bazohen në kohën kur kjo marrëveshje është negociuar; por, analizat bëhen nga këndvështrimi i sotshëm. P. sh., sot integrimi i komunitetit serb, në struktura të Republikës së Kosovës, shihet si diçka e vetëkuptueshme.

Dikur, ky integrim ishte pjesë e marrëveshjes, si dhe arritje jo e “papartishme” e nënshkrimit të marrëveshjes.

Si, më tutje?

Komuniteti ndërkombëtar, i cili ka qenë ndërmjetësues në arritjen e kësaj marrëveshjeje, nuk pret qe një marrëveshje e ratifikuar të kontestohet nga një palë dhe, si rrjedhojë e këtij kontestimi, që e njëjta të rinegociohet.

Çfarë pritet të bisedohet tashti, kjo është përmbajtja e një statuti. Dhe, dhe kjo nuk është pak e rëndësishme!

Kjo është, sigurisht, më e rëndësishme se titulli i saj ose diskutimi se a duhet bëre një asociacion, apo jo!? Statuti është, në fakt, baza juridike e krijimit të një asociacioni dhe kjo përcakton natyrën juridike, kompetencat dhe detyrimet e një asociacioni. Për fat të keq, lidhur me përmbajtjen ka – pak diskutim. Diskutojmë për gjerat që kanë ndodhur dhe që janë vendosur në të kaluarën, por jo për gjerat qe kemi mbi tavolinë dhe që ende mund t’i vendosim.

Kosova nuk ka marrë, drejtimin, ende, lidhur me këtë çështje. Është ne udhëkryq dhe refuzon të marrë kah.

Sikur edhe në jetën e përditshme, nëse nuk merr kah në rrugë konvencionale, drejt cakut, është në rrezik të përfundojë në qorrsokak.