LAJMI I FUNDIT:

Situata në veri, Barani e Peci: Tensionimi është shkaktuar në mënyrë institucionale nga Serbia

Situata në veri, Barani e Peci: Tensionimi është shkaktuar në mënyrë institucionale nga Serbia

Janë bërë disa javë që situata në veri të Kosovës është e tensionuar, ndërsa raportet Kosovë-Serbi u rënduan edhe më shumë pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) në Mitrovicë, Halit Barani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata në veri të vendit është tejet e tensionuar.


Barani theksoi se këto ditë nga bandat kriminale janë plagosur dhe sulmuar me mjete të forta ushtarë të KFOR-it, si dhe janë sulmuar dhe janë keqtrajtuar fizikisht shumë gazetarë të mediave të ndryshme në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, por siç u shpreh ai “kapaku i gjithë kësaj është kidnapimi i tre policëve”.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) në Mitrovicë, Halit Barani

Ai tha se në veri të Kosovës veprojnë të gjitha nivelet e institucioneve të Serbisë, duke filluar prej pastruesit e deri te shtëpiakët e shkollave.

Barani potencoi se Qeveria e Kosovës duhet ta kthej raportin siç e ka pasur me aleatët ndërkombëtarë, përkatësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Qeveria e Kosovës siç po e shohin të gjithë, se i prishi marrëdhëniet me të gjithë të cilat janë krijuar për vite të tëra. E këta i prishën marrëdhëniet. Kur po ju vjen ngushtë po thonë ‘na ndihmoni’. Qeveria në plan të parë duhet t’i kthej marrëdhëniet nëse është e mundshme me i kthy marrëdhëniet, nëse është e mundur qysh ka qenë me ndërkombëtarët, përkatësisht me ShBA-të..”, u shpreh Barani.

Edhe analisti politik nga Mitrovica, Besart Peci për Telegrafin tha se pas veprimeve të Qeverisë së Kosovës që t’i dërgoj kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës në objektet e komunave përkatëse ka bërë që situata të tensionohet dhe të eskalojë nga grupe të organizuara kriminale serbe.

“Problemi i parë është tek shkalla e lartë e kriminalitetit në veri të Mitrovicës dhe tek shkalla e kriminalitetit që tash veçse është bërë në mënyrë institucionale, për shkak se veprimet e këtyre bandave që kanë qenë prej vitit 2000 që kanë qenë kaq hapur kundër KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe kundër objekteve në kohën e zgjedhjeve që i kanë djeg zyrat e KQZ-së, ose tentimet tash për me i shkatërru objektet komunale në veri janë shpërfaqje e hapur e gjesteve të tyre, pasi me ta nuk po merret thuajse askush”, tha ai.

Besart Peci, analist politik nga Mitrovica

Sipas tij këto banda kriminale janë nën hije të veprimeve të akterëve ndërkombëtarë, për të cilët ndërkombëtarët siç tha Peci nuk po merren me kapjen e këtyre bandave.

“Në fakt kemi pas një deklaratë nga ambasada e ShBA-së e cila i ka kërcënuar në një farë forme që kushdo që i prek organet komunale në veri do të ketë pasoja. Mirëpo, pastaj ka pasuar një veprim i Qeverisë së Kosovës duke e dërgu Policinë në veri dhe duke i ruajt ato objekte dhe kryetarët atje të cilat veprime e kanë përshkallëzuar situatën politike në veri. Tash bandat janë nën hije të veprimeve të akterëve ndërkombëtarë, ata nuk janë duke u marr me to. Kundër tyre, Qeveria e Kosovës po luan një rol më të përshpejtuar, e që tentim shtrirja e sovranitet të Kosovës në veri po kundërshtohet nga faktori ndërkombëtarë. Kjo për mendimin tim ka krijuar një situatë ‘sui generis’ pak me të veçantë pasi nuk kemi pasur asnjëherë një situatë të tillë në veriun e Kosovës”, ka thënë Peci.

Ai u shpreh se parimisht Qeveria e Kosovës ka të drejtë, pasi siç theksoi Peci “pikënisja e tyre janë zgjedhjet lokale të cilat kanë qenë të legjitimuara”.

“Kanë pasur dhe përkrahje ndërkombëtare…Mirëpo, mënyra do duhej të ishte me koordinim, që të kenë një pajtueshmëri me partnerët ndërkombëtarë për veprimet”, ka thënë Peci.

E sa i përket raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së, Peci tha “Mendoj që mes Qeverisë dhe ShBA-së ka ndodh një ftohje e raporteve, e cila është tek mos pajtueshmëria që kanë pas për largimin e kryetarëve në një objekt tjetër, e cila assesi nuk e kishte shpërbë një de-legjitimim të kryetarëve, pasi ata kishin vepru politikisht jashtë tyre objekteve, gjë që bandat kriminale po bëjnë dhunë…”, ka thënë Peci.

Ndryshe, tensionet në veri u rritën, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale, për shkaqe sigurie.

Kurse më 26 maj, ata u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat në ndërtesat komunale që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar fuqishëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri.

Më pas më 29 maj u zhvilluan protesta të mëdha në këto komuna duke eskaluar situata, ku si pasojë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

Ditë më pas, 13 qershor (e martë), Policia e Kosovës ndërmori një aksion në veri të Mitrovicës duke arrestuar Milun Milenkoviq, i njohur si Llune, e që është njëri nga organizatorët kryesorë të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it gjatë tensionimit të situatës në komunat në veri të vendit.

Pas këtij veprimi i menjëhershëm ishte reagimi i Serbisë. Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës më 14 qershor (e mërkurë) u kidnapuan-arrestuan në territorin e Kosovës nga forcat speciale të Serbisë, ndërkaq më 16 qershor (e premte) Gjykata në Kralevë iu dha masën e paraburgimit për 30 ditë.

Mirëpo, sulmet e bandave kriminale nuk ndaluan pasi më 16 qershor në Komunën e Leposaviqit pas një vizite që ministri i MAPL-së ia bëri kryetarit të kësaj komuna, Lulzim Hetemi disa persona të maskuar sulmuan veturën e ministrit e më pas cak i këtyre sulmeve ishin edhe ekipet e mediumeve vendore që raportonin nga atje.

Nga këto sulmeve gazetarë e kameramanë morën lëndime trupore, pasi u shkelmuan e u gjuajtën me gjësende të forta persona të maskuar të bandave kriminale që veprojnë ilegalisht në veri të Kosovës. /Telegrafi/