LAJMI I FUNDIT:

Sindromi i mosbesimit

Duke e respektuar fjalën e lirë, mendimet (që rrallë janë qëndrime!) e lira dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me lirinë, e pse jo edhe të drejtën për të mos besuar dhe të drejtën për t’u zhgënjyer, sidomos kohët e fundit në hapësirat shqiptare është përhapur dhe po përhapet tinëzisht, gjithnjë e më tepër sindromi i mosbesimit dhe zhgënjimit ndër-shqiptar. Kur them ndërshqiptar kam parasysh çoftë nivelet ndërpersonale, çoftë ndërgrupore (cilado grupe të shoqërisë çofshin ato) e ku personazhe jemi ne shqiptarët.

Thënë troç, ky farë sindromi në vete bart dhe pastaj përhap mesazhin e gabuar sikur ne shqiptarët, përveç sukseseve të veçuara individuale, s’mund të bëkam gjë të hairit, përveç gatishmërisë, të vërtetuar tashmë, “me derdh gjak” (me raste edhe kjo vihet në dyshim nga disa). Prapëseprapë, se me apo pa të drejtë, nuk mund të na ndihmojë thënia “ku ka tym, ka edhe zjarr”, andaj le të mbetet në vlerësimet e secilit shqiptar. Po e përmend me qëllim fjalën “shqiptar”, jo për qëllim krijimi të ndonjë efekti, ndjenje të zjarrtë patriotike, por me qëllim konstatimi se në përmasa të tilla duket se po na ndodh vetëm neve. Pa lëre që, në fund të fundit, duke mos uruar që kjo t’iu ndodhë kombeve të tjera, brenda kontekstit s’po më intereson për të tjerët.


Dihet se, sa i përket zhvillimit dhe përparimit tonë si komb “bukur gat na ka marrë shneta ligë” (shekulli XXI armiku ende na “sillet kah hunda” duke na kërcënuar), sikurse dihet se s’ka terapi pa sadopak efekte anësore (sipas mjekëve). Me këtë rast do të na ndihmonte thënia popullore, “lisin e qan veç pyka e vet”. Dua të them, burim i këtij mosbesimi dhe zhgënjimi jemi vetë ne.

Kur ne në Kosovë ende jemi në fazën e shtet-ndërtimit, kur në Republikën e Shqipërisë ende s’po kthjellen nga traumat e ish-sistemit, kur në Maqedoni shqiptarët ende s’po “kollen” në tokat e veta (të gjithë i dini hallet e shqiptarëve të Çamërisë, Luginës dhe Malit të Zi), jo gjendja e rëndë ekonomike, sa mos krijimi i mundësive të pabarabarta për njerëzit, përmes abuzimit me pushtetin (përjashto Çamërinë), çfarëdo niveli çoftë ai, ua mbyll mundësitë atyre, mbyt shpresën, krijon mosbesim dhe zhgënjim për të ardhmen.

Shembulli më i thjeshtë i kësaj dhe më i shpeshtë në të njëjtën kohë, do të ishte konkurrimi për një vend pune, le të themi për një rrogë mesatare 200 euro, ku më zhgënjyese është pamundësia për të konkurruar denjësisht dhe barabartë (njerëzit merren në punë para shpalljes së konkursit), sesa fakti se 200 euro janë pak.

Duke mos dashur të merrem me zhargonin e tipit “duhet të jetë shteti, ligji, se n’Zvicërr me gjuajt letrën n’tokë t’lajmërojnë plakat n’polici”, të gjithë e dimë se është pikërisht mungesa funksionimit të tyre të mirëfilltë që mundëson abuzimin me të. Prandaj, deri në ngritjen e këtyre kapaciteteve, sado që duket naive, nuk duhet të na lëshojë kondicioni patriotik (kjo vlen sidomos për ata që kanë sadopak dhe çfarëdo lloj pushteti në duart e tyre).

Përveç (pa)mundësive të barabarta konkurruese, faktor tjetër në përhapjen e këtij sindromi, duket të jetë një lloj snobizmi i paraqitur sidomos në hapësirat publike. Megjithëse ka raste kur është i domosdoshëm , jo rrallë dëgjojmë pallavra të tipit “ne”, pra ne shqiptarët dhe “ata”, të gjithë të tjerët që s’janë shqiptarë.

Natyrisht, që shfrytëzimi “si n’bashqe t’babës” i identifikatorit “ne” përdoret për të diskualifikuar gati gjithçka me vlerë që ka prejardhje shqiptare. Bile, me raste, edhe publikisht aq shumë theksohet kjo, që po i thonë këta me shkollë, stereotip, saqë të krijohet përshtypja së përveç dy këmbëve dhe ecjes drejtë, gjë tjetër të përbashkët s’kemi “ne” me “ata”.

Nuk duket të ketë gjë më të rëndë sesa humbja e shpresës për të ardhmen e vendit tënd. Në kohërat shumë më të vështira, kjo shpresë është kthyer në forcë dhe na ka sjellë këtu ku jemi. Në anën tjetër, po aq i rëndë është modeli i keq, po aq të rëndë janë shembujt e këqij që ua lëmë trashëgim gjeneratave, që po rriten duke na vëzhguar përditë!