LAJMI I FUNDIT:

Si u bë Tucker Carlsoni, një idiot i dobishëm i Putinit

Si u bë Tucker Carlsoni, një idiot i dobishëm i Putinit

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Kaloi një shekull që nga vdekja e Leninit në janar 1924. Por ,”idiotët e dobishëm” – termi që zakonisht i atribuohet Leninit – ende po marrin rrugë drejt Kremlinit për të transmetuar mesazhin e Rusisë në Perëndim. I fundit në këtë varg të gjatë të të huajve naivë është Tucker Carlson, një gazetar i vetëquajtur, intervista e të cilit me Vladimir Putinin u transmetua në fillim të kësaj jave.


Karakteristikë kryesore e idiotit të dobishëm është mendjelehtësia. Zakonisht janë të fiksuar me hakmarrjet e brendshme politike. Ata i drejtohen një lideri të huaj si Putini (ose përpara tij Castros apo Maos) për të vërtetuar obsesionet e tyre të fshehta. Carlsoni e përdori audiencën te Putini për të shtruar një sërë pyetjesh të rëndësishme, duke shpresuar se përmes deklaratave lideri rus do të ndihmonte turmën e MAGA-s [Make America Great Again] në ShBA. A mendon Putini se Amerika është sistem “që nuk udhëhiqet nga njerëzit që zgjidhen”? A e konsideron Putini veten si udhëheqës të krishterë? A po e minon dollarin administrata e Joe Bidenit? A u përpoq nënpresidentja amerikane Kamala Harris të shtynte Rusinë në luftë? A është presidenti Volodymyr Zelenskyy thjesht një kukull e administratës Biden?

Putini shpeshherë refuzoi të kapte karremin. Jo nga kujdesi për Bidenin ose nga respekti për të vërtetën. Thjesht, presidenti rus përpiqej të ndalej te obsesionet e tij – në veçanti në historinë e Rusisë dhe të Ukrainës. Dikush mund të ndiejë panikun e shtuar të Carlsonit gjatë monologut hapës e të gjatë të Putinit, teksa udhëheqësi rus e shtjelloi Amerikën e Mesme përmes leksionit të rëndësisë vendimtare të Jaroslav Urtakut, të Princit të Madh të Kievit në vitin 1019. I gjithë takimi do të ishte qesharak, nëse sfondi i kësaj biseda të çuditshme nuk ishte kaq tragjik.

Megjithatë, është gjithashtu gabim të besohet se Carlsoni dhe Putini thjesht flisnin me njëri-tjetrit. Në aspekte të rëndësishme, të dy burrat kanë qëllim të përbashkët dhe armiq të përbashkët. Në ditët e tij në Fox TV, Carlsoni i tha audiencës të pyeste veten: “A më ka quajtur ndonjëherë Putini racist? A ka kërcënuar se do të më pushojë nga puna për shkak të mosmarrëveshjes me të”? Udhëheqësi rus, sugjeroi Carlsoni, nuk ishte kërcënim për Amerikën e Mesme. Armiku i vërtetë janë liberalët e “zgjuar” [woke] që synojnë të vërshojnë ShBA-në me emigrantë, të minojnë demokracinë amerikane dhe të promovojnë të drejtat transgjinore.

Carlsoni gjithashtu e ka cilësuar Zelenskyyn me terma të bujshëm, duke e quajtur udhëheqësin ukrainas “diktator, autoritar të rrezikshëm”. Nuk është çudi që ky personazh i famshëm amerikan ishte kaq i mirëpritur në Kremlin. Në mënyrë të parashikueshme, Carlsoni i kërkoi Putinit të binte dakord se Zelenskyy ndjek urdhrat nga qeveria amerikane. Por, Putini nuk e miratoi këtë ide. Madje, dukej se e kishte të hapur mundësinë që Zelenskyy mund të jetë partner në negociatat e paqes.

Megjithatë, në rastet e tjera Putini është treguar shumë i vetëdijshëm për insektet ideologjike të ekstremit të djathtë të ShBA-së – dhe më shumë se i gatshëm të plotësojë nevojat e tyre. Siç thekson analisti rus Mikhail Zygar, në një artikull të fundit për Foreign Affairs, Putini dhe rrethi i tij qëllimisht janë futur në “luftën pas zgjimit”, në përpjekjen për të gjetur aleatë në të djathtën ekstreme në Amerikë dhe në Evropë.

Në një fjalim të vitit 2013, lideri rus sugjeroi se “shumë vende euroatlantike kanë ndjekur rrugën e braktisjes së rrënjëve të veta, përfshirë vlerat e krishtera”, dhe se nuk kanë qenë në gjendje të integrojnë “elemente e huaja kulturore” në shoqëri. Kohët e fundit, Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë dhe një nga njerëzit më të besuar të Putinit, ka denoncuar lëvizjen Jetët e të Zinjve kanë Rëndësi [Black Lives Matter] në ShBA dhe ka sugjeruar se ka pjesë të Amerikës “ku të bardhëve u ndalohet të hyjnë”. Siç shkruan Zygar: “Vërejtjet e tilla mund të ishin shkruar lehtësisht nga … Tucker Carlson”.

Putini dhe aleatët e tij kanë goditur gjithashtu tema e tjera kyçe që pëlqehen tek e djathta trumpiste në ShBA – si, kundërshtimi ndaj abortit dhe armiqësia ndaj “propagandës” LGBTQ. Putini dhe Carlsoni kanë disa nga të njëjtët aleatë: Carlsoni udhëtoi për në Budapest për të bërë intervistë me Viktor Orbánin, me udhëheqësin hungarez i cili gjithashtu ka vepruar si zë i dhimbsur i Putinit brenda BE-së. Elon Musk, shefi i Tesla-s dhe X-it, u falënderua pa masë nga Carlsoni për ofrimin e platformës për intervistën e tij me Putinin dhe më pas ai e merr një përmendje të favorshme nga vetë lideri rus i cili i tha Carlsonit se “Nuk ka asgjë që ndalon Elon Muskun”.

Carlson ka promovuar teorinë e konspiracionit të “zëvendësimit të madh” – idenë se elita amerikane qëllimisht po e promovon emigracionin masiv për të krijuar një bllok të votuesve të bindur. Musku kohët e fundit flirtoi me të njëjtën ide, duke e akuzuar administratën Biden për “lehtësimin aktiv të imigracionit të paligjshëm” dhe sugjeroi se ata i shohin migrantët si “votuesit e ardhshëm demokratë”.

Intervista me Putinin erdhi në një moment vendimtar në politikën amerikane – garën e intensifikuar presidenciale dhe ndihmën për Ukrainën që po bllokohet nga republikanët në Kongres. Me goxha kënaqësi Putini i tha Carlsonit se nëse Amerika ndalon furnizimin me armë për Ukrainën, lufta do të përfundojë “për disa javë”.

Udhëheqësi e rus shfrytëzoi shansin për ta çuar më tej debatin në Uashington, sipas drejtimit të Rusisë. Por, leksionet e tij të çuditshme të historisë nuk ka gjasa të kenë lëkundur shumë vota në Kapitol Hill. Jaroslavi Urtaku mund të kishte bërë këtë më mirë. /Telegrafi/