LAJMI I FUNDIT:

Si duhet shkelur Kushtetuta?

Kriza institucionale në të cilën po riciklohet Kosova po vije si pasojë e shkeljeve kushtetuese me e pa qëllim, të bëra nga institucionalistët. Dihet se kushtetuta nuk vepron në të gjithë territorin e Republikës. Andaj, nga ata që janë përgjegjës për zbatimin e saj, realisht kushtetuta shkelet që prej futjes së saj në fuqi. Krizat ndoshta mund të arsyetoheshin sikur të vinin si pasojë e përpjekjes së saj për shtrirje në tërë territorin. Në ndërkohë që bisedimet mu për këtë pjesë të territorit tashmë kanë filluar, është krejtësisht e turpshme të futemi në krizë të tillë politike deri në kollapsim për shkak të shkeljeve, që krahasuar me ato të përmendura më lartë, janë shkelje krejtësisht minore.

Kandidati për të “përfaqësuar unitetin e popullit” është personi më “jopërfaqësues” i çfarëdo uniteti në këtë vend, dhe, sikur të ekzistonte një radhë moralo-politike, ai nuk do duhej t’i përkiste fare asaj. Unitetin i popullit që do duhej ta krijonte presidenti, tashmë ekziston në popull për presidentin, dëshmi janë numri i votave elektorale për të. Aq më tepër kur e dimë mirë sesa “unitet” presim t’i vije popullit nga lartë, pra politika. Andaj, përveç rëndësisë procedurale, sikur shumë rëndësi politike na paska fakti se, a zgjidhet një president i tillë, qoftë edhe me 120 vota, apo se a na qenkan ata që s’duan ta votojnë brenda apo jashtë sallës? Kjo s’është gjë tjetër pos improvizim kushtetues dhe “mbytje e përmbajtjes përmes procedurës” (H. Kisingjer).


Për të krijuar një përshtypje sesa të rënda janë shkeljet e tilla të kësaj kushtetutë, t’ia hedhim një vështrim prejardhjes dhe kontekstit politik të saj:

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk përfaqëson vullnetin e popullit, por vullnetin e atyre aleatëve tanë ndërkombëtarë që nga këndvështrimi ndërkombëtar vetëm ashtu e menduan “lindjen Cesariane” të shtetit tonë. Derisa ne e dimë që nuk mund t’i tregojmë Perëndimit sesi duket një kushtetutë demokratike, poashtu e dimë se përmbajtja e saj u projektua e tillë që të jetë e pranueshme për “vetoistët” e Këshillit të Sigurimit, njëherësh kundërshtarë të pavarësisë, e jo për interesat historike të popullin shqiptar, shumicë të Kosovës. Për këto arsye, kjo kushtetutë u projektua më shumë të duket sasa të jetë, së pari “ndër-etnikisht” funksionale (eventualisht t’i kënaqë “vetoistët” e KS-së), e mëpastaj aspekteve tjera funksionale shtetërore.

Ky fakt politiko-strategjik krejtësisht i përkohshëm i aleatëve tanë duhet të trajtohet i padeformuar, aq më pak për konsum të brendshëm në formë patriotizmi folklorik kundër aleatëve tanë, dhe duhet të shihet brenda kontekstit si kohor ashtu edhe, siç u tha, strategjik. Duke pasur parasysh interesat e veta, kaq vlerësuan ata të sakrifikojnë për ne. Të tjerat na mbeten neve. Dhe për këtë s’është as e ndershme as politikisht e dobishme t’i fajësojmë ata, por veten.

Si çdo proces tjetër, edhe ato politike, e kanë fazën e vet tranzitore dhe atë stacionare. Gabojmë nëse fazat tranzitore (kushtetuta aktuale dhe Plani Ahtisari i futur në të) t’i interpretojmë si stacionare. Por, edhe më rëndë gabojmë nëse lejojmë që fazat tranzitore të na zgjasin jashtë kohës së natyrshme të paraparë për to, duke ia marrë kohën fazës pasuese. Se fazat tranzitore na zgjasin panatyrshëm shumë neve shqiptarëve, duket se kemi mjaftë fakte (proceset mbi 20 vjeçare tranzitore në Shqipëri, vonesat e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni).

Por, a i ka arritur në tërësi objektivat strategjike të projektuesve të saj Kushtetuta e Republikës së Kosovës? Përveç rolit pozitiv që ka luajtur bashkë me planin Ahtisari në vendimet e GJND-së, vendime këto të pashfrytëzuara nga ne, mund të thuhet se, ajo edhe si e tillë ishte e papranuar për “vetoistët” e KS-së. Sa u përket njohjeve që i kemi, ato kanë ardhur si rezultat i lobimit dhe realitetit të krijuar tashmë, sesa rendit kushtetues të këtij realiteti, hiq faktin e konsideruar si kushtetutë demokratike.

Andaj, për arsyet e lartpërmendura, për shkak të pastrimit të domosdoshëm nga mbetjet anarkiste të sjelljes sonë politike, pasojë kjo e mungesës së shtetit tonë, si dhe për shkak të nevojës së krijimit të kulturës institucionale, më mirë do të ishte që kjo kushtetutë të ndryshohet sesa të shkelet. Asaj duhet t’i hiqen tashmë “penjtë Cesarian” të lindjes, pra “obligimet Ahtisari” sepse u ka skaduar afati. U ka skaduar afati, si numrit të madh të ulëseve minoritare të garantuara në parlament duke e dobësuar parlamentin (shumica elektorale në opozitë), njëherësh duke mos arritur objektivin kryesor, integrimin e serbëve, siç i ka skaduar afati edhe decentralizimit etnik duke dobësuar sovranitetin mbi integritetin territorial.

Ne nuk mund ta mbrojmë askënd duke e rrezikuar qenien tonë kombëtare. Ashtu siç edhe rritja dhe zhvillimi nuk mund të jenë tërë jetën peng të mënyrës së lindjes, edhe ne nuk mund të jemi peng të kësaj kushtetute.