LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët në Luginë të Preshevës – ndërmjet veçimit dhe shtypjes

Të shkruash sot për Luginën e Preshevës nuk është gjithaq e lehtë, ngase ngjarjet me shpejtësinë e erës marrin trajta tjera, duke ndryshuar shumë shpejtë shumëçka përpos ndryshimit. Se kjo gjymtyrë e Shqipërisë vazhdon të jetojë ndërmjet veçimit dhe shtypjes shtetërore serbe, dëshmuan ngjarjet e rastit të vënies së lapidarit me krenari prej vergut politik shqiptar të Luginës së Preshevës dhe shkuljes së asaj krenarie prej forcave politike, policore dhe ushtarake serbe.

Lapidari nuk ishte gjë tjetër pos një “copë guri” në kuptimin material, por në kuptimin e pasqyrimit të panoramës së vërtetë në këtë vend ishte një kushtetutë e llojit të veçantë, brenda së cilës qartë lexohej se sa larg ishte ajo që thuhej e shkruhej për shtetin e Serbisë prej vetë krerëve të saj, me atë që vërtetë mbretëronte në atë truall, pjesërisht të pushtuar.


Në Luginën e Preshevës, apo në Kosovën Lindore që është gjithashtu emërim i pranuar për këtë truall shqiptar që realisht dhe fatkeqësisht sot gjendet në Jugë të Serbisë, në përputhje me regjistrimin e vitit 2002 bëhet fjalë për 61.647 shqiptarë. Në komunat e Preshevës dhe të Bujanocit shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë (89,1 për qind në Preshevë dhe 54,69 për qind në Bujanoc).

Rrëshira e zhgënjimit të kësaj gjymtyre shqiptare, erdhi më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene, ku rrethi i Preshevës iu caktua Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945. Por, edhe pas kësaj sterre, shqiptarëve të kësaj ane Lufta e Dytë Botërore nuk i solli ditë të mira, por i fundosi edhe më tej në gjendje të vështirë ekonomike e politike, për të vazhduar kështu deri më sot, herë duke vrarë, e herë duke i shpallur paqe shqiptarëve nën tytën e armës së xhandarmërisë serbe.

Gjendja e sotme ekonomike dhe sociale, padrejtësia që u bëhet qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga shteti ku jetojnë, është bërë e papërmbajtshme. Siç shihet, Serbia është duke e ditur se çfarë pune është duke bërë shteti amë, Shqipëria, aq më e dukshme shihej një dërdëllisje në prag të festës së pavarësisë së saj. Edhe pse shumicë në këtë komunë janë shqiptarët, ata vijojnë të trajtohen si punonjës pakicë. Mungon akusheria për lindje, gjykata, përpjesëtimi i policisë multietnike në rajonet shqiptare është dy serb dhe një shqiptar, ndërsa në rajonet me shumicë serbe tre serb dhe asnjë shqiptar.

Maqedonia, në njërën anë përmes vënies së sigurimit shumë të shtrenjtë për studentët e Luginës dhe në anën tjetër Kosova me vënien e sigurimit për makina me targa të Serbisë, shqiptarët e kësaj ane i kanë ngujuar keqas në kridhën e baltës së veçimit dhe të shtypjes shtetërore serbe.

Bisedimet jo gjithherë sjellin lajme të mira. Në suaza të bisedime që zhvilloheshin në Bruksel prej palës serbe dhe asaj kosovare, Serbisë si shenjë të parimit të reciprocitetit, Republika e Kosovës i vuri pagesë për sigurimin e makinave që udhëtojnë për në Kosovë. Këtu, mbi të gjitha, pësorja piketoi shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata menjëherë reaguan. Njashtu edhe krerët e saj politikë. Shkuan atje për t’u marrë vesh që kjo ngarkesë ekonomike t’u hiqet. Në vend të heqjes, ajo vetëm u zvogëlua!

Shqiptarët e kësaj ana u organizuan dhe me vrik reaguan, duke bërë një peticion që sa më parë të hiqen tarifat e sigurimit për Luginën e Preshevës. Këtë e organizoi qendra shqiptare për punësim. Ky peticion iu dërgua qeverisë së Prishtinës. Krerët e këtij organizmi pohuan se ndien të fyer dhe të nënçmuar me këtë përqasje të vëllezërve të tyre shqiptare. Zemërata nuk përkonte vetëm me gjendjen e vështirë ekonomike që mbretëron në Luginën e Preshevës.

Njëzetë euro në jave dhe njëmijë euro në vit ishte shpenzimi i kësaj rrëmuje. Transporti privat e kishte bërë zgjidhjen e këtij problemi, duke e ngritur çmimin e biletës dhe barra si zakonisht kishte rënë mbi qytetarët shqiptar, të cilët sikur mish e asht janë të lidhur andej dhe këndej me Kosovën. Organizatorët e këtij peticioni kishin qenë të bindur se pas 28 nëntorit, kjo tarifë do të shporrej në koshin e plehrave. Ndërsa, edhe pas shkurtit të vitit 2013, qytetarët shqiptar të luginës vijojnë të jenë të ngujuar brenda asaj avllie të tkurrur.

Në prag të festimit të njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të gjithë shqiptarët gjithandej ku gjendeshin u mbërthyen me një gëzof shqiptarie të paparë ndonjëherë. Madje një galdim i tillë mungonte edhe në luftërat që rrodhën në këto hapësira të murrme. Sikur në çdo drejtim që kemi humbje dhe fitore, njashtu edhe kjo garë nuk shpëtoi pa të atillë që me ngazëllim të lartë ngritën medaljet përpjetë dhe pa të atillë që në pamundësi të prekjes së atyre dhuratave, pësuan shtrëngata nëpër gjokse, pasojë kjo që do t’i vërshonte edhe luginat më të gjëra. Ai që fitoi ishte kryeministri i Shqipërisë, deri diku ai i Kosovës dhe disa udhëheqës shqiptarë të gjymtyrëve të Shqipërisë së Ismail Qemal Bej Vlorës. Ndërsa, humbës të asaj zallahie ishin qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë së Sali Berishës.

Më datën 29 nëntor të këtij vitit, ndërmarrjet që udhëhiqen prej shqiptarëve të Kumanovës, nuk mbajnë mend të ketë pasur ndonjëherë një harlisje kontrolli prej inspektorëve financiarë, thuajse pikërisht atë ditë kishin vendosur t’i qaseshin sinqerisht luftimit të krimit ekonomik. Fjalët e atyre që shushatën këta qytetarë, diku nëpër skaje të errëta u fashitën, ashtu siç fashitet zjarri në orët e vona të natës. Rrëshira e tërbimeve nuk mbaroi vetëm me dënimin e ndërmarrësve shqiptarë për parregullsi financiare, por ajo vijoi të lëshojë shtat edhe në Luginën e Preshevës. Lapidari që mbante të shënuara me skërmitje të gjithë emrat e të rënëve shqiptar në luftën e vitit 2000/01, filloi t’ia thumbonte sytë vrasësve serbë apo atyre që përkrahën vrasësit dhe shkeljet çnjerëzore.

Kryeministri i Serbisë i dërgoi të fala të akullta përfaqësuesve politikë shqiptarë për një veprim të ngutshëm, madje edhe provokues. Pa humbur kohë, zëdhënësi i dikurshëm i kasapit të Ballkanit, tha që ai lapidar ku përurohen kriminelët menjëherë të hiqet, ose përndryshe ai me shpurën e tij do ta hiqte, duke e bërë kështu atë epitaf neveritës për sytë e tyre copë e gri. Kundërpërgjigja e politikanëve shqiptarë të asaj ane qe e shpejtë. Ata i thanë këtij satrapi të vogël: hiqe po ta mbajti! Deklaratë e guximshme, apo jo? Sigurisht që po! Po ku e morën atë guxim kaq të trimëruar se? Ende nuk dihet, por mos marrja e ndonjë rruge të dhunshme nga ana e mendësisë sllave, tregoi se kjo çështje nuk ishte pika e nxehtë e atij vargmali të kapur prej flakës gjithandej. Në rend dite ishte çështja e bisedimeve dhe ajo e Mitrovicës, ndaj dikush e shfrytëzoi rastin që të thotë edhe fjalë për të cilat dikur të shkonte koka, ndërsa sot, lëre që koka mbeti ajo që ishte, por edhe kolltuku fare nuk e ndërrojë butësinë dhe ngrohtësinë e tij.

Në këtë mejdan burrash e grash, kryeministri i “gjithë” shqiptarëve nuk bëzajti fare. Ndërsa, ai i Kosovës i dërgoi selame të ashpra këtij matufi, me të cilin njëkohësisht shtrëngonte duart në Bruksel. Përmes mediave sikur mburravecë ziheshin dhe posa takoheshin sy më sy, ledhatoheshin e zgërdhiheshin. Për ta arsyetuar pamundësinë e shtrirjes së mbretërisë së tij në pjesën veriore të Kosovës, ai gjente vullnet dhe forcë të bëhej edhe gardian i atyre shqiptarëve që ende gjenden jashtë kangjellave të Shqipërisë dhe të Kosovës, edhe pse fjala gardian t’i kujton rojet me trupa muskulor të burgjeve.

Sërish në Dobrosin z. Musliu e vendosi flamurin. Kjo i bie kështu: meqë nuk kemi mundësi ta mbrojmë flamurin kombëtar prej bishave që si të përdalë e heqin atë, atëherë atë kemi mundësi ta rivendosim. Vepër e guximshme kjo padyshim, por ky mishmash nuk është shenjë e mirë. Ky rravgim është edhe një spërndritje e llumit juridik të fjetur në këtë rajon.

Nuk e di pse të gjitha këto veprime më ngjajnë me ujin e lëshuar gjithandej, pa një shtrat të caktuar, ku rrjedha e ujit po vijon të privohej prej mundësisë së shndërrimit në një lum të bukur. Përse kaq pluhur nuk u ngritë asnjëherë për shumë çështje, që po të ishin zgjidhur dhe zbërthyer me kohë, tanimë flamurin apo emrat e skërmitur të të rënëve në një lapidar të vetëm, do të kishin mbrojtje ligjore dhe për çdo heqje apo thyerje të mundshme të atij lapidari, vepruesit do të viheshin nën tehun e mprehtë të përgjegjësisë penale.

Ditë e diel me pak diell, në mëngjesin e hershëm, teksa dikush sikur ariu polar flinte thellë, të hershmit në keqbërje i vranë për së dyti ata që amanetin ia kishin lënë atyre, që të fortë ishin vetëm kur flisnin dhe kur premtonin dhe në fazën e jetësimit të gjërave avulloheshin në errësira të thella.

Lapidari u hoq. Unë në vijim pyesja, vallë ç’të duhej makina e bukur pa rrota, ç’të duhej asfalti i bukur pa sistemin e kanalizimit poshtë, ç’të duhet gurra e ujit pa një shtrat të lumit, ç’të duhet lapidari pa përkujdesjen e të gjallëve dhe vdekjen e mistershme të Komandant Lleshit, me këtë edhe të Marrëveshjes së Konçulit.

Xhandarmëria nuk e di pse ruheshin aq shumë, vallë kush t’i sulmojë? Mirë edhe bën që dikush prej popullit nuk mori hapa të tillë, ngase kjo ishte një tejfryerje e panevojshme e krijuar prej vargut të përgjithshëm politikë.

Lapidarit ia kishin vërë një thes, thuajse bëheshin gati për ta varur me litar ndonjë të rrezikshëm për sistemin e pushtetit.

Meqë bota ishte në gjumë dhe gjoja nuk e paska parë dramën tragjike me rastin e heqjes së lapidarit, tani shqiptarët përmes protestës së harlisur do t’i tregojnë botës dhe gjithë atyre me ndërgjegje të fjetur, se në oborrin tonë kanibalët na kanë grabitur epitafin e ngjeshur me emra të ndritur.

Meqë dorëheqja e kryetarit qenka kundërfrytdhënëse, atëherë në vend të kësaj duhej krakëllitur për veprimet e tyre zuzare përmes protestës. Kjo do të jetë një hiç gjë! Ndonëse mund të jetë një pandehje për ta arsyetuar gëlltitjen e fjalëve të para disa ditëve, se lapidarin nuk e heqim dhe nuk guxon të hiqet prej askujt.

Protesta kishte edhe në vitin 2003 kur u arrestuan disa ish-ushtarë shqiptarë të lirisë dhe si rrjedhojë e kësaj kishte sërish në vitin 2005 burgosje dhe sërish protesta dhe fjalime të nxehta patriotike, duke e përvijuar çështjen e burgosjes në vitin 2008 dhe nënvetëdijshëm kuptohet sërish mugulluan protestat dhe ja tani lapidari hiqet para “hundës” së kreckatorëve dhe prapë thirrën qytetarët në protesta, edhe atë në protesta gjithëpopullore.

Prologun e këtyre protestave tanimë të gjithë e kemi të qartë, porse cili do të jetë epilogu pas fashitjes së kësaj gurre të njerëzve, ende jehon si e paqartë prej dikujt? Asgjë, përpos që edhe njëherë për të satën me radhë do të mbingarkohet timpani i veshit me fraza të zjarrta për ndarje të shapit prej sheqerit dhe me gjasë e gjithë kjo amalgamë sfilitjesh do të merrte fund me ikjen e njerëzve nëpër shtëpitë e tyre.

Shqiptarët më nuk kanë nevojë për protesta dhe fashitje të kërkesave të tyre me shuarjen e turmës së protestuesve. Ata kanë nevojë për kërkesa të qartë, ngase praktikisht Beogradi zyrtar është duke kërkuar prej të gjorëve një gjë të tillë. Të kërkojnë bashkimin me Kosovën, e me këtë bashkimin e saj me një gjymtyrë të Shqipërisë, duke ia hapur pastaj një dritare edhe atyre që ende gjenden këndej gardhit për të tilla kërkesa.

Ndjekja e shembullit për një dukuri të caktuar është normale, ashtu siç ishte e natyrshme për mendësinë e mediave maqedonase kërkesa e kryetarit të partisë maqedonase “Dinjiteti”, Stojançe Angelo, që edhe Gruevski të veprojë sikurse Ivica Daçiç. Pra, t’i heqë gjitha përmendoret e UÇK-ës në Maqedoni! Nëse ende këta të drobitur e të syrgjynosur kërkojnë të drejta në kuadër të Serbisë, ata vetëm sa nuk janë duke thënë drejtpërdrejtë se kërkojmë që në vazhdimësi të gjymtohemi, të rrihemi, të burgosemi e të vritemi, njëkohësisht me shoqërim të emërtimeve si kriminel e si terroristë.

Shumë gjëra në shikim të parë duken të pamundura, por për hir të një mirëqenie të dinjitetshme, përmes përpjekjeve njerëzore të njëjtat gjëra mund të trajtësohen si të lehta në jetësim. Ndaj, në këtë pluhur të ngritur gjithandej, le të kërkojmë oaza me ujë të shëndetshëm dhe të përthekuara me gardhe të gjelbra, ose përndryshe të bëhemi gati të vdesim prej ndotjes së mushkërive, edhe atë si rrjedhojë e mjedisit të tejndotur.