LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria dhe Kosova, çfarë roli në Maqedoni?

Shqipëria dhe Kosova, çfarë roli në Maqedoni?

Zgjedhjet në Maqedoni krijuan një sallatë të re partiake. Qeveria e re, e cila pritet të krijohet pas shterimit të afatit të ankesave dhe 20 ditëve për krijimin e ekzekutivit nga partia apo koalicioni fitues, nuk dihet sa e qëndrueshme do të jetë. Ajo çfarë ngjan e sigurt është se shqiptarët, nëse do të veprojnë së bashku, janë faktor përcaktues në këtë qeveri dhe zhvillimet e ardhshme.

Por jo për të gjithë subjektet shqiptare, kjo perspektivë ngjan njëlloj e ndritshme dhe duket njëlloj. Me këtë në mendje, Shqipëria politike u investua nëpërmjet kryeministrit për të harmonizuar pozicionin shqiptar, por mungesa e ndonjë shenje pajtuese mes partive shqiptare, përveç uljes së toneve, tregoi sa i vështirë është ky mision. Misioni është i vështirë për shkak të njohjes së kufizuar të faktorëve politikë maqedonas, veprimit të faktorëve rajonalë atje, por dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe lëvizshmërisë në aleanca të këtyre faktorëve, megjithëse Maqedonia është afër.


Për shembull, VMRO-DPMNE historikisht ka qenë parti probullgare dhe më afër Perëndimit, por kjo nuk vlen sot, sepse ajo i është afruar shumë Rusisë, duke u distancuar madje fort dhe nga shqiptarët. Ndërkohë LSDM konsiderohej si parti proserbe, dhe sot ajo fiton vota me teza në favor të shqiptarëve, duke siguruar madje dhe dy deputetë shqiptarë. Zaev kapërceu ylberin duke kritikuar traditën antishqiptare të partisë së vet, sjelljen e shtetit në vrasjet në Kumanovë, duke ndjekur prirjet ndëretnike të protestave qytetare, dhe kjo e nxori nga impasi i mëhershëm.

Të dyja këto parti kanë krijuar fuqi të madhe ekonomike, por raportet kanë ndryshuar për shkak të riorientimit të bizneseve: LSDM si parti e parë qeverisëse e Maqedonisë së pavarur, udhëhoqi procesin e privatizimeve, por qëndrimi i VMRO-së së Gruevskit në pushtet për afro 10 vjet, proceset e reja ekonomike, forcimi i kontrollit të tij mbi ekonominë dhe shtetin në përgjithësi, e ka ndryshuar me siguri raportin e forcave. Kështu shpjegohet se VMRO e tij me gjithë tkurrjen e imponuar për shkak të skandaleve të mëdha, mbeti ende në këmbë si partia më e madhe.

Në frontin shqiptar, BDI po paguan koncesionet e mëdha partisë së Gruevskit dhe stilin e saj kufizues të të përfshirit në politikën qeverisëse. Ali Ahmeti nuk ka marrë asnjëherë role ekzekutive, duke u kufizuar me emërime individësh pa kapacitete reale qeverisëse, dhe ndarje burimesh financiare e njerëzore për komunat apo dikasteret e shqiptarëve të fiksuara në takime periodike me Gruevskin. Ngjan madje sikur BDI është e lidhur pazgjidhshëm me këtë figurë politike sllave dhe Ahmeti duket se e kupton fare pak qeverisjen.

Përkundër kësaj, partia e tij ka toleruar gjallërimin e radikalizmit islamik, mungesën e mbështetjes për shqiptarët bektashinj apo ortodoksë si pjesë e esencës kombëtare atje, dobësimin e qendrave urbane shqiptare, si p.sh., Shkupi në favor të Tetovës, bjerrjen e cilësisë së universiteteve e si pasojë dhe të kuadrove qeverisës, nuk ka lejuar qarkullim elitash brenda BDI-së etj., etj. Duke nënvleftësuar dinamikat shoqërore të brendshme, por jo vetëm kaq, kjo parti ka konsideruar se do të qëndronte gjithmonë në fuqi përballë PDSH-së së Menduh Thaçit që thuajse u zhduk.

Kjo inerci ka favorizuar lindjen e një subjekti të ri, mjaft energjik, me fytyra të reja intelektuale si Lëvizja Besa, e cila përkundër besimit se gëzon mbështetje financiare nga Turqia dhe ka orientim të fortë islamik, propagandon një islam tradicional properëndimor, të paktën nëse lexon programin e tyre të shkruar bukur dhe dëgjon deklarimet publike kryesore të drejtuesve të saj.

Një koalicion tjetër që ka si pikë referimi kryetarin e Strugës, ishte surprizë gjithashtu, dhe bie në sy për orientimin kah Shqipëria, por dhe për pragmatizmin ndaj dy faktorëve politikë sllavë. Sikur të mos mjaftonte kjo paqartësi e brendshme, dhe faktori perëndimor nuk ka marrë qëndrime totalisht të prera në favor të njërës apo tjetrës palë politike sllave. Për shembull, në favor të Gruevskit janë shfaqur liderë perëndimorë, si ministri i Jashtëm Kurz, apo dhe të tjerë.

Nuk ka pozicionime kategorike të Perëndimit kundër Gruevskit, me gjasë për të mos lejuar rrëshkitjen e tij përfundimtare kah Rusia në rast se votuesi sllav do ta ruante primatin e tij.

Shqipëria veproi drejt, por me siguri vonë në përpjekjen për të orientuar faktorin shqiptar kah uniteti, një ndërmarrje e vështirë. Sesa e vështirë është kjo ndërmarrje, u duk nga sjellja e Ali Ahmetit. Për të theksuar rolin e tij qendror si parti më e madhe e shqiptarëve, por dhe për t’i mohuar Ramës rol protagonisti në negociata, Ali Ahmeti u vonua dy ditë përkundrejt partive të tjera dhe preferoi të takonte gjithë krerët institucionalë të Shqipërisë, jo vetëm Ramën.

Shqipëria, përkatësisht kryeministri ngjan se nuk e kapitalizoi që më herët njëlloj ndikimi në rritje që ka krijuar në Kosovë, i cili rrezatohet dhe në Maqedoni. Rezultatet zgjedhore në Maqedoni ishin pak a shumë të imagjinueshme dhe Shqipëria do duhej të ishte gati për situatën që pritej, qoftë duke e njohur atë më mirë, faktorët në skakierë, por dhe ata që e lëvizin skakierën, qoftë dhe duke investuar në autoritet, madje dhe te faktori maqedonas.

Kjo gjë nuk mund të bëhet me kanale informale, apo me burimet diplomatike të kufizuara të shtetit shqiptar. Në ndihmë të Shqipërisë mund të vinin e të përdoreshin dhe figura publike, apo ndërmarrës të fuqishëm shqiptarë të Maqedonisë, të cilët kanë marrëdhënie të mira me kryeministrin Rama apo liderët e Kosovës dhe që kanë aftësi ndikuese reale ndaj liderëve politikë shqiptarë.

Ata mund të përfshiheshin madje dhe në negociatat që po zhvillohen për ta rritur ndikimin dhe siguruar një rezultat në përputhje me interesin kombëtar. Shqipëria duhet të jetë kreative dhe të dalë nga skemat tradicionale të ndikimit të saj në Maqedoni, duke u orientuar sipas interesit kombëtar, i cili është në harmoni me atë perëndimor.

Por për këtë, përballë maqedonasve, shqiptarët ndoshta duhet të paraqiten si komb dhe jo domosdoshmërisht me parti veç e veç si deri më sot, apo si koalicion i partive, që edhe ai ngjan i vështirë për t’u arritur. Kjo ide, megjithatë, meriton trajtim më të hollësishëm, jashtë këtij shkrimi. /Panorama/