LAJMI I FUNDIT:

Shpresa për Tribunalin

Shpresa për Tribunalin

Javën e ardhshme, shtetet kontribuuese të EULEX-it mund të na mëshirojnë edhe një herë, siç ka ndodhur në pakufi raste deri tash. Ato mund ta zbusin formën se si do të funksionojë gjykata që do të trajtojë aktakuzat që dalin nga një hetim trevjeçar për dyshimet që qenë ngritur në raportin e Dick Martyt. Kësisoj Tribunali, ndoshta nuk do të realizohet në formën çfarë është përshkruar në një draft të statutit të tij, që Tribuna arriti ta publikojë.

Nuk e di nëse është arritur plotësisht qëllimi që shtetet mike të binden, por kur sheh spektaklin e “mbajtjes së shpresave” që e kultivon ende Qeveria jonë, mbetet pak vend për shpresë. Sidoqoftë, për spektaklin e “mbajtjes së shpresave”, flasim pak më vonë.


Do të jetë mrekulli nëse Tribunali kosovarizohet deri në masën sa nuk do ta dëmtonte besimin e gjykimeve të tij. Nuk është me rëndësi nëse kjo do të bëhet duke e vendosur njërën dhomë të tij në Kosovë, duke e bërë të mundshme që gjykatësit e tij të jenë ekskluzivisht edhe pjesë e EULEX-it, apo në ndonjë formë tjetër. E rëndësishme është që kjo të bëhet për shkak të disa rrethanave që nuk janë juridike, por që duhet të çojnë peshë:

1. Duke e krijuar Tribunalin në formën e prezantuar tani, BE-ja shfaq pabesueshmëri të madhe edhe ndaj vetë misionit të vetë EULEX-it.

2. Krijohet mundësi e madhe e tregimit keq të së vërtetës për luftën e Kosovës. Krijohet potencial që gjithandej botës, për shkak të raportimit të mediave për krijimin e Tribunalit, të krijohet përshtypja e gabueshme për palën agresor dhe palën viktimë.

Këto janë dy argumentet e vetme që duket se do të na shpëtojnë pa u bërë “rezil” i botës.

Fatkeqësisht, shteti ynë nuk ka krijuar kurrfarë argumenti tjetër. Nuk mund të përdoret argumenti i cenimit të sovranitetit sepse Task Forca tashmë funksionon. Kur themelohet një prokurori (siç është Task Forca), në të njëjtën bazë krijohet edhe Gjykata. Nuk kemi krijuar argument tjetër, sepse e kemi sharë dhe e kemi pështyrë EULEX-in sa herë që është marrë me krimet tona të luftës, derisa asnjë prokuror e hetues vendës nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël që të ndjekë qoftë edhe rastin më banal kur dikush mund t`ia ketë dhënë dikujt “një shpullë gabimisht”.

Ne e mohuam luftën dhe zinxhirin komandues të UÇK-së në secilin rast kur u përballëm me gjykatat e huaja. Nuk e mbrojtëm luftën, por e mohuam atë me qëllim të mbrojtjes së individëve. E vendosëm rëndësinë e individit para rëndësisë së veprimit tonë kolektiv. Por, duket se harruam se duke e mohuar luftën nuk mund të mohojmë veprimet kur ndonjë civil është dëmtuar. Me një fjalë, krejt kot shpresuam.

Para një viti e gjysmë qeveritarët tanë e kanë ditur se në fund të hetimit mund të krijohet një Tribunal. Por në vend të veprimeve që do ta parandalonin, ata zgjodhën të shpresojnë se nuk do të ndodhë. Edhe disa veprime që i bënë, patën efekt krejtësisht të kundërt.

Në kohën kur ne duhej që të kërkonim nga secili ndërkombëtar që t`i besonte EULEX-it dhe misionit të tij, në mënyrë që të mos ketë nevojë për mekanizma më ndërkombëtarë sesa vetë EULEX-i, qeveritarët tanë morën fushatë kundër misionit. Edhe ky veprim i pakalkuluar u morë duke shpresuar se hetimi nuk do të ketë aktakuzë, dhe që do të hiqet qafe edhe EULEX-i dhe kështu të gjithë të “jetojmë të lumtur”.

Diçka i ngjashëm me skenarët e tjerë të “mbajtjes së shpresave”, është ajo që u pasqyrua nga Qeveria të martën, kur në Prishtinë qëndroi prokurori Williamson.

Duke e pasur të pamundur që të shprehin opinionet kundër Tribunalit aty ku duhet për shkak të mungesës së argumenteve, qeveritarët shfrytëzuan vizitën përmbyllëse të hetimeve për ta paraqitur atë si rasti kur këta do të shprehin “të vërtetën e luftës sonë martire”.

Nuk dyshoj në vlerësimet që kanë për luftën, por ato më së paku mund t`i shprehin para një prokurori që po e heton atë luftë. Williamson nuk vendos e as që i intereson se çfarë karakteri do të ketë gjykata që do të trajtojë hetimin e tij. Ai heton.

E me skenarin e shpresës “hajt se nuk merret vesh”, u fsheh pa kurrfarë nevoje një takim që me Williamsonin e zhvilloi edhe vetë kreu i Qeverisë Hashim Thaçi. Që tri vjet hetime, jo vetëm Thaçi por të gjithë të përmendurit në raportin e Dick Martyt janë marrë në pyetje. Pretendimi i të kundërtës është mohim i hetimit. Është shpresë e kotë.

Mbajtja e “shpresave për hava” nuk ndodh vetëm me Tribunalin dhe luftën. Diçka njëjtë ne shpresojmë edhe se dialogu më Serbinë do ta funksionalizojë shtetin e Kosovës të cilin e shkatërrojmë çdo ditë me vetë veprimet tona. Njëjtë shpresojmë se një ditë do të na liberalizohen vizat, ose se do të hyjmë në BE, pa bërë hiq asgjë sepse “qashtu i vjen puna”. Nuk ka rëndësi që çdo ditë na dëshmohet ngecja, dështimi dhe pamundësia jonë. Me rëndësi që “ymydin nuk na e hjek kush”.

(Autori është Redaktor Përgjegjës në gazetën Tribuna)