LAJMI I FUNDIT:

Shoqërorja dhe shtëtërorja

Vendi i quajtur Bllaca, në mënyrë simbolike mund të konsiderohet si një letër lakmuesi (testi), së paku për dy zhvillime shoqërore të shkaktuara nga politikat johumane dhe joparimore. Fjalën e kam për ngjarjet rrjedhojë e agresionit serb, por edhe e luftës së fundit tregtare Kosovë-IRJM, që ndërlidhen me këtë vend: Bllaca e refugjatëve dhe ajo e maunave të ngarkuara. Me gjithë faktin se në të dy rastet kemi të bëjmë me ngjarje reale me pasoja negative për njeriun konkret, kushtimisht le t’i konsiderojmë (apo le t’i mbyllim sytë) këto si eksperimente të imagjinuara sociale, për të vënë në pah së paku dy shtresime të cilat evidencohen.

Dihet se letra e lakmuesit përdoret në laboratorët e kimisë dhe kur ajo bëhet e kuqe tregon se mesi është acid (thartirë), ndërsa kur bëhet e kaltër tregon bazë (alkalin). Acidet janë komponime që dëmtojnë jetën, përderisa alkalinet neutralizojnë aciditetin. Zhvillimet e kësaj radhe apo lufta tregtare (Bllaca 2) për dallim nga Bllaca 1 (Bllaca e depërtimeve nga shteti serb), sikur tregon ambient me më pak aciditet (lexo: tragjizëm). Edhe përse ngjyrat nuk janë adekuate për të bërë analogji në këtë rast, megjithatë mundë të themi se e kuqja (aciditeti i lakmuesit) në rrafshin social është alkalinizuar ca në raport me trendët socialë dhe politikë të cilat i përjetuan shqiptarët në historinë e njëqind viteve të fundit të historisë së tyre, kryesisht acidike. Megjithatë kjo nuk është arsye as thirrje për të hequr dorë nga e kuqja shqiptare.


Themi se prirja drejt e eksperimentimit shoqëror, e bazuar në një moral të justifikueshëm humanist nuk është e lejueshme, por as preferuar në shkencat sociale, për dallim nga shkencat natyrore dhe teknologjike ku eksperimenti ka rol parësorë, por jo të pa diskutueshëm (në parim është e qartë se duhet hequr dorë p.sh nga eksperimentet bërthamore).

Por, përderisa nuk jetojmë në një botë më të mirë se kjo (Lajbnic), rrjedhimisht edhe në sferat ekonomike dhe politike ballafaqohemi me eksperimente të këtilla, sado të pa arsyeshme, sikurse Bllaca 1 dhe Bllaca 2.

Fatkeqësisht, së paku në këto njëqind vitet e fundit, shikuar nga aspekti statistikor, shqiptarët janë dëshmuar qeniet sociale më të lira (lehta) për eksperimente politike, në laboratorin tragjik të quajtur Ballkan.

Andaj, kufiri i Bllacës, dhe së paku këto dy ngjarjet që ndërlidhen me të, japin shkas për një reflektim lidhur me trendët e mundshëm sociopolitik, respektivisht për ndërrimin e trendëve zhvillimorë.
Të kuptuarit sociologjik sipas Max Weberit nënkupton edhe atë qasje njohëse metodologjike kualitative (Verhsand) e cila nënkupton se duhet inkluduar edhe të kuptuarit e kontekstit social. Kjo shpie në distinkcionin mes nocionit shtet dhe shoqëri, me gjithë faktin se efektet e ndryshimeve të shkaktuara në cilëndo nga këto nocione (shtet apo shoqëri), në mënyrë të menjëhershme reflektohen reciprokisht. Dhe pikërisht në Bllacë kjo u dëshmua të jetë reale andaj në që të dy rastet, mund të dallojmë së paku dy qasje kuptimore dhe analitike.

Qasja politike, e cila konsideroj se është sferë hulumtimi më konkrete, pasi që aktorë janë shtetet konkrete të cilat hyjnë në procese të caktuara (ushtarake apo tregtare) dhe në këtë apo atë mënyrë pastaj vjen deri te një marrëveshje, qoftë kjo edhe me ndërmjetësimin apo edhe arbitrimin e një shteti të tretë. Nuk mohohet fati se shteti është instrument i kompleks manovrimi, dhe se kjo sidomos vlen për shtetet në zanafillë. Përkundrazi. Por, themi se manifestimi i tij, megjithëse më intensiv, dhe më i drejtpërdrejtë, është më i kontrollueshëm, pra më i kapshëm dhe më i matshëm. Kjo ngase kemi një adresë të një shteti X dhe të një shteti Y, kemi liderët apo ministrat përkatës dhe në këtë relacion do të zgjidhen problemet me apo pa ndërmjetësim, në këtë apo në atë mënyrë gjë që edhe ndodhi kësaj radhe.

Qasja sociale, për Bllaca 1 dhe Bllaca 2, konsideroj është më e thellë, prandaj për t’u analizuar konsideroj edhe duhet përdorur metodologji shkencore të një spektri më të gjerë. Metodologjia kualitative (M. Weber) është e pashmangshme në këtë rast, pasi që vetëm interpretimi statistikor nuk bën punë. Ndikimi i parë në planin emocional tërësor u reflektua te popullata shqiptare. Kjo nga fakti se edhe te Bllaca 1 e edhe Bllaca 2 sigurisht se ka ardhur në pah dimensioni social, si substrat i vet shtetit. Kur jemi këtu themi se me gjithë ngecjet integrative (dhe organizative) që ka ky dimension te shoqëria shqiptare, ai funksionon ende.

Krijesa shoqërore, në këtë rast, vetëdija kombëtare shqiptare, që Emil Dyrkemi respektivisht Gustav Le Bon në aspektin teorik i identifikojnë si “Vetëdije kolektive” apo “Psikologji e masave”, evidencohet se e ka një vazhdimësi më të qëndrueshme se sa vet shteti. Për dallim nga dimensioni shtetëror i cili ka një strukturë dhe një adresë të caktuar, dimensioni social manifestohet më ligjshmëri të tjera “sui generis”. Bllaca tregoi se më shumë se cilit do shtet, probleme iu shkaktuan një shoqërie. Shoqërisë shqiptare. Problemi tregtar mes dy shteteve trajtohej mes dy ministrave shqiptarë. Mesazhi i kësaj është se nuk ekziston kongruenca mes kornizës politiko-shtetërore dhe asaj sociale, dhe shihet se de-balancimi shkon në dëm të kësaj të fundit. Hartat politike nuk përkojnë me hartat reale të shoqërive. Megjithëse këto të fundit (hartat e shoqërive reale) të paskicuara në letër, paraqiten më reale dhe më vepruese.

Është ky një mesazh posaçërisht për politikën dhe bërësit e politikës. Sepse, që të ketë stabilitet në këto situata, pra shmangie turbulencash shoqërore dhe politike, ose duhet shmangur deri në masë të kënaqshme dallimet mes hartave shtetërore dhe atyre shoqërore (etnive, kombeve), ose shtetet përkatëse duhet që në maksimum t’i akomodojnë interesat e tyre, por që u përkasin hartave të tjera.

Për shkak se bota është gjithnjë e më e vogël, ky mesazh nuk vlen vetëm për IRJM. Krijesat që i quajmë shtete shpeshherë, por posaçërisht në këso raste, nëse nuk e marrin parasysh këtë fakt, rrezikojnë të jenë vet viktimë e konfliktit të shkaktuar me substratin shoqëror e cila siç thamë e ka një vazhdueshmëri dhe qëndrueshmëri më të madhe se shteti, së paku te rasti i shqiptarëve.

Mesazhet e disahershme të ministres Kusari për kërkim falje lidhur me bllokadën tregtare, e cila nuk i sillte gjë të mirë askujt, përveç dimensionit universal human në raport me të gjithë njerëzit ,pa dyshim se ishin të ndikuara edhe nga fenomeni “sui generis” i asaj çka quhet vetëdije kolektive shqiptare. Dhe është e qartë se vetëdija kolektive ishte ajo e cila ishte cenuar më së shumti nga aspekti funksional dhe tërësor, ishte kjo vetëdije kolektive (shoqërorja) të cilës i përkiste vet ministrja Kusari.

Fakti se rezultati i Bllaca 2 nuk ishte acidik sa Bllaca një, tregon se eksperimenti social i imagjinuar në këtë rast tregon tendencë zvogëlimi të aciditetit për shoqëritë në përgjithësi, por edhe për shqiptarët në veçanti.