LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria e mbyllur

Shoqëria e mbyllur nuk është e aftë për ndryshim, ajo nuk pranon risitë dhe novacionet, e me këtë edhe progresin, edhe pse çdo ndryshim që ngjan nuk është edhe zhvillim apo progres. Shoqëria e mbyllur paraqet rast të frenimit apo mungesës së dinamikës shoqërore. Realisht, çdo sistem shoqëror ballafaqohet me ndryshime, dhe pikërisht përvetësimi i ndryshimeve progresive e rrit mundësinë për të vazhduar superioritetin, përderisa jo përvetësimi bën të kundërtën.

Sisteme shoqëroro-politike, në periudha të ndryshme, sa herë që nuk mundën ta vazhdonin superioritetin e tyre, kjo u ngjau mu nga fakti se nuk u adaptuan me forma më funksionale të organizimit dhe (ri )strukturimit shoqëror… Dihet se Civilizimi kinez i moçëm, në shumë aspekte teknologjike, si p.sh. letra dhe shtypshkronja, të cilat në Evropë shpien deri te ndryshime radikale shoqërore, edhe pse i kishin para evropianëve nuk patën efekte sikurse në Evropë sepse ishin shoqëri e mbyllur, rast ilustrativ përmendet një urdhër i një perandori kinez për ndaljen e lundrimit jashtë detit kinez, gjë që i shpuri në konservimin e shoqërisë kineze. Sikur të e mos jepej ky urdhër, bota e sotme mund të ishte krejt me zhvillime të tjera shoqërore (Anthony Giddens). Edhe historia e Ballkanit po dhe Evropës do të ishte ndryshe sikur perandori bizantin të e kishte kuptuar faktin se muret e Konstantinopojës do të shembeshin nga ideja e njeriut të cilit ia refuzoi patentën e tij që iu ofrua (është fjala për topin me barut) e që pastaj osmanët e përvetësuan mençurisht.


Shembuj ilustrues mund të gjinden mjaft edhe në raste të tjera, ata ndryshojnë në formë dhe përmbajtje, por emërues të përbashkët që të gjithë kanë faktin se shumë shtete, bile duke qenë edhe superfuqitë më të mëdha të botës, humbën, u zhdukën, mu nga fakti se nuk ishin në gjendje të e pranojnë një formë tjetër më funksionale të organizimit të tyre, pra nuk mundën të adaptohen me ndryshimet shoqërore dhe nuk e pranuan risinë.

Posaçërisht kjo ka konsekuenca të drastike në manifestime sociale në shoqëritë të cilat kanë vonesa në shtetformim. Shoqëritë e këtilla përshtaten për mbijetesë individuale ngase kanë pësuar dezintegrim në funksionalitetin tërësor të tyre, posaçërisht në sferën e vetëdijes kolektive, si pasojë e fragmentimit të sistemit dhe funksionalitetit të tyre tërësor shoqëroro-politik. Nevoja për udhëheqës, për prijës, por dhe mundësia e keqpërdorimit në emër të kësaj, është posaçërisht e madhe. Udhëheqja e prijësit nuk kundërshtohet, ngase ekziston një strukture (partiake) rreth tij e cila është në pozicion kontrollues, dhe e njëjta ka mundësi të krijojë privilegje për vete dhe zakonisht paraqitet si mbrojtëse e vetme e sistemit shoqëror në emër të cilit vepron.

Zgjatja e ‘status quo-s’, reflektohet me rritje të fuqisë së ndikimit të udhëheqësit dhe strukturës rreth tij, e me ketë bëhet tabuizimi i liderit, d.m.th. masës synohet t’i mbyllet goja, gjë e cila funksionalisht manifestohet me humbje të vizionit, guximit dhe alternatives. Emocionalisht figura e udhëheqësit manifestohet edhe si proces i profetizimit të tij. Dhënia e atributeve të veçanta për liderin, si vizionar i pazëvendësueshëm, paraqet kulmin e konservimit të asaj shoqërie, në aspektin e organizimit politik. Kundërpesha e mossuksesit të prijësit, manifestohet me fajësimin e të tjerëve, nga struktura rreth liderit. Heshtja dhe izolimi i liderit paraqet një distancim social, përmes së cilit synohet dëshmimi i atributeve të veçanta, mundësisht edhe profetike, nga lideri.

Rastet e këtilla nuk janë të largëta e as të paketa, sidomos në Ballkan. Krijimi i kultit të personalitetit në shoqëritë është ana më e rrezikshme, e cila një shoqëri e bën të konservuar, dhe të ngathët për ndryshim. Stërtheksimi i rolit të pazëvendësueshëm të liderit, krijimi i ndjenjës te masa dhe opinioni publik se ai është unikat, bile edhe identifikimi i gjithë shoqërisë, por edhe i historisë me emrin e liderit, prijësit të tabuizuar, dhe mosbesimi i mundësisë në vazhdimin e proceseve nga të tjerët, është ndjenjë e pjesëtarëve të shoqërive të cilat nuk janë në gjendje të ndryshohen, pra shoqërive të mbyllura.

Shoqëritë ballkanike, përgjithësisht janë në një situatë të këtillë mentaliteti fisnor, ku miti ende është i gjallë, ku qasja emocionale e identifikimit me prijësin dominon, dhe këto i bëjnë të këtillë ballkanasit. Shoqëritë e Ballkanit, shikuar realisht janë vetëm në fillim të përjetimit të “dhembjeve të lindjes” (Karl Marks) në rrugëtim drejt normalitetit, kjo d.m.th. kalimit në racionalitet dhe shoqëri të hapur.

Dhe arritja e këtij stadi, së paku sa i përket sferës politike, si duket nuk mund të bëhet duke i mbajtur në pozita udhëheqëse njerëzit e njëjtë me dekada të tëra. Aq më pak, kalimi në shoqëri demokratike dhe liberale mund të bëhet me projektim në “periudhën e artë” kur ishte lideri dhe gjërat ishin kështu apo ashtu, pra duke e glorifikuar atë kohë gjë e cila vjen nga tifo-aktrimet e zbehta politike në luftën se kush është më afër gjedhes për nga ortodoksia në pikëpamjet politike me liderin si dhe turbo-vokabulari afirmativ, kur flasin për të njëjtin.

Shoqëria e mbyllur duke qenë se nuk mund të e pranojë racionalitetin dhe kriticizmin, ajo nuk mund t’i shmanget manifestimit krahinor dhe fisnor, nepotizmit, realizimit mafiozo-militar të veprimtarisë ekonomike dhe mosmundësisë së krijimit të parimeve funksionale, formalo-ligjore apo edhe më keq, moszbatimi praktik i tyre kur aspekti ligjor ekziston, që në fakt janë manifestim i përmbajtjes së shoqërive të mbyllura.