LAJMI I FUNDIT:

Shoqata shqiptare në Amerikë “Vatra” mbështet dialogun, kundërshton korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi

Shoqata shqiptare në Amerikë “Vatra” mbështet dialogun, kundërshton korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi

Kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, Dritan Mishto, vlerësoi se Kosova është një shtet i ri dhe sfidat janë të jashtëzakonshme, edhe pse mbi të gjitha anëtarësimi i Kosovës, në OKB, BE dhe NATO janë kryesfidat e shtetit më të ri në Evropë.

Kurse sa i përket zhvillimeve të fundit në Kosovë, sidomos procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe diskutimin për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve, kryetari Mishto, në një intervistë për Telegrafin, tha se Federata Panshqiptare “Vatra”, ashtu si të gjithë aleatët perëndimorë, mbështet dialogun Kosovë – Serbi, dhe shpreson që fundi i tij të kurorëzohet me njohjen reciproke dhe zgjidhjen sa më shteruese të temave të bisedimeve, duke hapur një epokë të re, jo vetëm për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.


“Sa i përket diskutimit të kufijve, anëtarësia jonë ka paraqitur kundërshtinë e saj. Federata “Vatra” shpreh publikisht besimin e lartë tek Shtetet e Bashkuara, dhe se është e bindur që Institucionet Amerikane, do të jenë, edhe si në të shkuarën, miq dhe mbështetës të shqiptarëve.”, tha mes tjerash në intervistë kryetari Mishto.

Ndërkaq, duke folur për institucionin që drejton ai, tha se “Vatra”, është vlerë dhe pasuri mbarëkombëtare, dhe se që prej themelimit të saj, “Vatra”, ka luajtur një rol qendror në të gjitha çështjet që kanë përbërë shqetësim për shqiptarët.

Duke përmendur dy themeluesit e saj Fan Noli dhe Faik Konica, ai theksoi se “këta janë kolosë të kombit tonë, që spikatën me pjesëmarrjen e tyre në pothuaj çdo lëmi të jetës shoqërore dhe qëndrojnë në piedestal të historisë sonë”.

Telegrafi: Z. Mishto, Federata PanShqiptare e Amerikës “Vatra”, është një organizim i shqiptarëve në Amerikë, krijuar në vitin 1912, e cila ka si mision promovimin e shqiptarëve në SHBA. Me ardhjen tuaj në krye të “Vatrës”, çfarë i premtoni komunitetit shqiptar?

Dritan Mishto: Së pari dua t’ju falënderoj shumë për intervistën dhe vizitën tuaj në Vatër, duke treguar kësisoj respektin që Ju si gazetare dhe Telegrafi keni për institucionin më të fortë moral të shqiptarëve në botë. Federata PanShqiptare e Amerikës “Vatra”, është vlerë dhe pasuri mbarëkombëtare. Që prej themelimit të saj, Federata jonë ka luajtur një rol qendror në të gjitha çështjet që kanë përbërë shqetësim për shqiptarët. Nuk ka periudhë të historisë së kombit tonë, që të mos gjendet prania dhe kontributi i Federatës Vatra. Ashtu siç nuk ka fushë të jetës sonë shoqërore, kulturore, artistike, politike, diplomatike, shkencore, letrare, etj, që nuk gjen pjesëmarrjen dhe kontributin thelbësor të Vatrës. “Vatra”, është kthyer kësisoj në një akademi të mendimit modern shqiptar. Dy themeluesit Fan Noli dhe Faik Konica, këta kolosë të kombit tonë spikatën me pjesëmarrjen e tyre në pothuaj çdo lëmi të jetës shoqërore dhe qëndrojnë në piedestal të historisë sonë. Ashtu, siç mund të gjenden edhe figura të tjera me një profil të lartë në shkencën dhe artin botëror, siç ishte Gjon Mili, ish financier i Vatrës dhe i njohur botërisht për aplikimin e metodës stroboskopike të fotografimit, fotograf i revistës prestigjioze “Time” dhe i një sërë artistësh të njohur hollivudianë. Apo, Nelo Drizari, ish redaktor i gazetës sonë “Dielli”, diplomuar për gazetari në Universitetin e Kolumbisë, një gazetar kalibri dhe themelues i seksionit shqip në “Zërin e Amerikës”. Ka edhe një plejadë të tërë intelektualësh, anëtarë dhe drejtues të “Vatrës”, të cilët janë njohur në fushën e jurisprudencës, katedrave universitare, biznesit, etj. Mënyra e themelimit të Federatës “Vatra” dhe roli i vazhdueshëm i Nolit e Konicës përgjatë disa dekadash, kanë bërë që ekzistenca e saj të jetë një mister, një magji, e cila vazhdon e do të vazhdojë sa të jetë kombi shqiptar. Janë jo vetëm parimet e platformat e saj, por edhe furnizimi i vazhdueshëm me energji pozitive, arsyet që sigurojnë vazhdimësinë e jetëgjatësinë e saj. Ka pasur me qindra shoqata e organizata tjera shqiptare, kudo në diasporën tonë, të cilat pavarësisht punës dhe rezultateve janë shuar me kalimin e kohës, por “Vatra” jo vetëm rezistoi, por mbetet shtyllë e shqiptarizmit, gjë e cila na rrit përgjegjësinë për të ndjekur me shumë vëmendje tematikat e kohës në të cilën jetojmë. “Vatra” nuk është organizatë politike dhe nuk merret me politikë. Federata Panshqiptare “Vatra” është MbiPolitike. Andaj, ardhja në krye të ‘Vatrës” të një brezi të ri është një energji e re për të shpënë përpara objektivat tona madhore kombëtare dhe ndjehem mirë që shumë të rinj me reputacion profesional dhe shoqëror janë pjesë e ekipit tonë drejtues. Jemi të ndërgjegjshëm për mençurinë dhe maturinë që kërkohet, por jemi të vendosur të jemi prezent atje ku kërkohet e do të na kërkohet, falë edhe mbështetjes së gjerë të vatranëve më të vjetër, dhe me eksperiencë.

Telegrafi:  “Vatra”, gëzon respekt në komunitet. Sa është e vështirë të ruhet ky respekt, pasi që thelbi i saj identifikohet me Nolin dhe Konicën dhe a synoni zgjerimin e saj me më shumë të rinj të komunitetit shqiptar? 

Dritan Mishto: Federata “Vatra”, nga pikëpamja organizative ka degë në pothuaj të gjitha ngulimet e diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, duke qenë të pranishëm sa më shumë tek bashkatdhetarët tanë. Tek Vatra mishërohet më së miri jo vetëm ana numerike e anëtarësisë, por edhe forca intelektuale, të cilat duke u gërshetuar së bashku e kthejnë Vatrën absolutisht në organizmin më të fuqishëm shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë. Ne punojmë çdo ditë të përmirësojmë mentalitetin dhe metodologjinë e punës sonë, nëpërmjet afrimit të sa më shumë të rinjve, që janë dhe mbeten shpresa e vetme, e theksoj e vetme e një të ardhmeje të sigurt të Federatës sonë. Kalimi i drejtimit tek gjeneratat e reja, ndonëse edhe drejtuesit aktualë janë relativisht të rinj, mbetet një moto dhe shtysë e projekteve tona dhe ne e mirëpresim presionin rinor në çdo aspekt të veprimtarisë sonë. Ashtu siç teknologjia dhe shkenca janë gjithmonë nën trysninë e zhvillimeve dhe zbulimeve, ashtu edhe çdo organizatë është nën trysninë e të rinjve, e nga kjo pikëpamje “Vatra”, ndonëse më shumë se njëqind vjeçare mbetet kampion në mbarë diasporën tonë. Në kabinetin e kryetarit, kryesi dhe më së shumti në këshill, ne kemi individë shumë të spikatur të komunitetit, me reputacion e karrierë të suksesshme. Si asnjëherë më parë, dy vitet e fundit, Federata “Vatra”, ka gjetur një mbështetje të gjerë në aktivitetet e saj, siç ishte 106 vjetori i themelimit të saj (vitin e shkuar) dhe këtë vit kemi 110 vjetorin e Gazetës “Dielli”. Federata “Vatra” dhe Gazeta “Dielli”, mbetën institucionet më të rëndësishme jashtë qeveritare shqiptare, dhe ndjehemi më të motivuar se kurrë të mbajmë me dinjitet nderin dhe prestigjin që këto dy institucione gëzojnë sot.

Telegrafi: Jeni zotuar se me ardhjen e juaj në krye të Vatrës , do ta rrisni prestigjin e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, si në kohën kur në krye të saj kanë qenë të mëdhenjtë Noli dhe Konica? 

Dritan Mishto: “Vatra”, ka emrin dhe autoritetin e saj kudo ndër shqiptarë. Siç e shpreha edhe më lart “Vatra”, është e pranishme në çdo kapitull të historisë moderne shqiptare, duke i paraprirë madje edhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Pesha e Vatrës në periudha të vështira për Shqipërinë është ndjerë më shumë, sidomos në kushtet e mungesës së autoritetit të shtetit shqiptar, ku përmendim kontributin e saj deri me emërimin e ambasadorëve për pjesëmarrje dhe përfaqësim në konferencat ndërkombëtare që diskutonin fatet e Shqipërisë. Apo mbështetjen financiare për arkën e boshatisur të shtetit të sapoformuar. Duke ardhur në dekadat e fundit, Vatra bëri ç’është e mundur për demokratizimin e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, ne kemi dy shtete shqiptare dhe prezencë të evidentuar të grupimeve politiko e shoqërore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë në Ballkan. Pra, tabloja e problematikës shqiptare ka aktorë dhe elementë të tjerë, por që sërish nuk mund të shmangin praninë e Vatrës. Shembull; nisur nga rëndësia jetike e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, Federata “Vatra” ka shpalosur strategjinë e saj për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve, e cila konsiston në faktin që pavarësisht qëndrimeve të qeverive shqiptare kundrejt SHBA, Federata “Vatra”, do të jetë gjithnjë burim dhe ushqim për fuqizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe SHBA. Ne kemi konstatuar se pavarësisht pro-amerikanizmit që ka ndër shqiptarë, qeveritë tona, për interesa të tyre të brendshme në raste të veçanta, nuk ngurrojnë të cenojnë sadopak këto marrëdhënieve. Ndaj Federata “Vatra:, do të jetë gardian i paprekshmërisë së tyre, duke mos lejuar dhe duke u distancuar qartësisht nga çdo akt që prek ato. Rasti i fundit është votimi kundër SHBA nga ana e Qeverisë Shqiptare në OKB gjatë shqyrtimit të rezolutës kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit (njohje e deklaruar nga Presidenti Trump), votim i cili përveçse ngjalli kudo zemëratën e shqiptarëve, tregoi se edhe në nivelet më të larta qeverisëse ndodhin luhatje të tilla të rrezikshme. Kjo votë kundër e Qeverisë Rama ndaj SHBA-ce, është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, apo edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë.

Pra, në forma të ndryshme skena diplomatike kërkon sërish prezencën e Federatës “Vatra”, dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim me seriozitet nga afër çdo situatë. Rrjedhimisht serioziteti me të cilin ne ndjekim situatat rrit edhe prestigjin dhe autoritetin e Federatës “Vatra{, kudo në botën shqiptare e më gjerë.

Telegrafi: Shqetësim i madh i komunitetit shqiptaro-amerikan, ka qenë dhe është frika nga asimilimi i gjeneratave të reja. Çka do të ndërmerrni në këtë drejtim, në mënyrë që të rinjtë ta ruajnë dhe duan gjuhën dhe kulturën shqipe? 

Dritan Mishto: Ne jemi të ndërgjegjshëm se shtimi i gjeneratave në diasporë përballet në mënyrë të pandërprerë me tendencat për ndërthurjen e traditës kombëtare me ato të vendit ku jeton, duke filluar që nga elementë gjuhësorë dhe shfaqje të tjera të ngjashme në jetën kulturore dhe shoqërore. Përballë këtij fenomeni Federata “Vatra”, ka qëndruar gjithmonë fort me Gazetën e saj “Dielli”, e cila si gazeta shqiptare më jetëgjatë në histori ka shërbyer edhe si urë lidhëse me gjuhën dhe kulturën amtare. Më pas, me kalimin e dekadave dhe ardhjen e grupimeve të tjera të emigrantëve ka pasur një shtim të potencës dhe mundësive për mësimin e gjuhës shqipe, kulturës, historisë dhe zakoneve të mira. Sot, në diasporë ka një sërë shkollash shqipe, të cilat funksionojnë falë pasionit dhe vullnetit të mësuesve, nxënësve dhe padyshim prindërve. Edhe Federata “Vatra”, bashkëpunon me një shkollë të tillë dhe mësimi zhvillohet në ambientet tona.  Por, vërejmë se ndihma e institucioneve shqiptare nuk ka qenë në nivelet që kërkon ky proces, si me pajisjen me tekstet mësimore, ashtu edhe me trupën pedagogjike. Kohët e fundit, është për t’u përshëndetur fakti që ka një sensibilizim më të lartë për mësimin e gjuhës tek fëmijët dhe kjo na mbush me besim se diaspora shqiptare në SHBA ,do të jetë e fortë dhe e gjallë.  

Telegrafi: Pra, hapja e të gjitha shkollave shqipe në Amerikë bëhet me vullnetin e komunitetit, pa ndihmën e institucioneve relevante të dy shteteve, të Kosovës dhe Shqipërisë?

Dritan Mishto: Absolutisht, të gjitha shkollat e hapura janë me iniciativën dhe vullnetin e komunitetit, këmbënguljen dhe vetëmohimin e mësuesve, prindërve e fëmijëve. Institucionet relevante duhet të jenë të pranishme jo vetëm me ndihmën me libra mësimorë (e cila është e kufizuar), por duhet të kenë rol parësor në dhënien e kornizës institucionale këtyre shkollave duke ofruar ndihmë si në aspektin e kurikulave, ashtu edhe në ndihmën me personel të kualifikuar dhe mirëfillti profesional, atje ku kjo ndihmë kërkohet. Nuk ka gjë më të shenjtë se mësimi i gjuhës së nënës, dhe ky është një investim ndër më të rëndësishmit që institucionet e shteteve tona, mund të bëjnë tek shqiptarët në botë, shumë herë më i rëndësishëm se takimet e vizitat bosh a pa brumë që përveçse blicit fotografik nuk kanë asnjë vlerë.

Është për të ardhur keq, që shtete tona nuk kanë hapur akoma të paktën një Institut Kulture në Amerikë, një praktikë e ndjekur nga një sërë shtetesh, për të treguar tërë atë thesar kulturor që ne kemi, e për ta kthyer këtë institut kulture (imagjinar) në një qendër të debatit dhe pjellorisë së alternativave të çështjeve që na shqetësojnë të gjithëve.

Telegrafi: Cili është bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare në Amerikë?

Dritan Mishto: Federata Panshqiptare “Vatra”, është një shembull shumë i mirë i respektimit dhe bashkëpunimit me komunitet fetare, të cilat mbeten një pasuri e madhe e jona në Amerikë, por jo vetëm. Në të gjitha aktivitetet dhe festimet tona, klerikët janë gjithmonë ata, që në mënyrë të alternuar kryejnë bekimet e rastit.  Ne vazhdojmë ta ushqejmë këtë respekt, dhe do të vazhdojmë më tej, sepse e konsiderojmë një pasuri të madhe që mban gjallë dhe ndihmon qenien tonë të bashkuar. Ky është një shembull me të cilin shqiptarët krenohen përpara kombeve të tjerë.

Telegrafi: Federata Pan Shqiptare “Vatra”, është konsideruar si djep i bashkimit të shqiptarëve, por si keni arritur të distancoheni nga ndasitë politike shqiptare, si në Kosovë, e po ashtu edhe në Shqipëri?

Dritan Mishto: Federata “Vatra”, siç e thashë më lart nuk është organizatë politike. “Vatra”, është MbiPolitike. Si një organizim i madh dhe i vjetër ka pjesëmarrje individësh me mendime dhe pikëpamje të ndryshme, por, kryesorja është se secilën nga këto pikëpamje dhe bindje gjithkush i mban brenda vetes. Natyrisht, ne shkëmbejmë mendime dhe konsulta mes nesh, por kur dilet me qëndrime zyrtare, ne jemi bashkë. Për ne si “Vatër”, nuk kanë rëndësi partitë politike, grupet e interesave të ndryshme shoqërore, por vetëm mbarëvajtja e demokracive në vendet tona, sepse sa më të forta dhe më të konsoliduara të jenë demokracitë në vendet tona, aq më prestigj dhe respekt do të kemi në botë.

Telegrafi: Z. Mishto, me 17 shkurt Republika e Kosovës ka festuar 11 vjetorin e pavarësisë së saj. Është Kosova aty ku duhet apo e keni menduar më ndryshe?

Dritan Mishto: Kosova është një shtet i ri dhe sfidat janë të jashtëzakonshme. Me ndihmën e madhe të SHBA-ve, Republika e Kosovës u bë së fundi me ushtrinë e saj, tregues i mirëfilltë i një shteti të organizuar, dhe i gatshëm për pjesëmarrje në sfidat e përbashkëta të paqes krahas koalicioneve perëndimore. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Ka një sërë sfidash të tjera, ndër të cilat prioritet mbetet heqja e vizave për shtetasit e saj, e cila lidhet edhe me përmirësimin e standardeve të jetës së brendshme demokratike. Por, mbi të gjitha anëtarësimi i Kosovës, në OKB, BE dhe NATO janë kryesfidat e Kosovës, të cilat nuk mund të realizohen jo vetëm pa një vëmendje të madhe dhe mbështetje nga SHBA-ve, por edhe pa rezultate të prekshme në konsolidimin e demokracisë dhe rritjen ekonomike.

Më e rëndësishmja mbetet zotësia e klasës politike, për të bindur partnerët perëndimorë në kapacitetin dhe aftësinë e saj të plotë, për t’i dhënë vendit një qeverisje efikase, profesionale dhe të ndershme.

Telegrafi: Si i shihni zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe diskutimin për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve?

Dritan Mishto: Parimisht dialogu mes Republikës  së Kosovës dhe cilitdo shteti tjetër duhet mbështetur, sepse Kosova është një shtet i pavarur dhe marrëdhëniet bilaterale e dialogu mes shteteve të pavarura janë një normë diplomatike. Federata Panshqiptare “Vatra”, ashtu si të gjithë aleatët perëndimorë, mbështet dialogun Kosovë – Serbi, dhe shpreson që fundi i tij të kurorëzohet me njohjen reciproke dhe zgjidhjen sa më shteruese të temave të bisedimeve, duke hapur një epokë të re, jo vetëm për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Sa i përket diskutimit të kufijve, anëtarësia jonë ka paraqitur kundërshtinë e saj. Federata “Vatra” shpreh publikisht besimin e lartë tek Shtetet e Bashkuara, dhe se është e bindur që Institucionet Amerikane, do të jenë, edhe si në të shkuarën, miq dhe mbështetës të shqiptarëve.

Telegrafi: Ditë më parë për vizitë në “Vatër”, ka qenë përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në Shqipëri, Nunci Apostolik Charles Brown, ku keni kërkuar nga ai, njohjen e shtetit të Kosovës nga Vatikani?

Dritan Mishto: Ishim të nderuar që kishim për një vizitë në “Vatër”, përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë në Shqipëri, Nunci Apostolik Charles Brown. Ishte një ngjarje historike për “Vatrën”, dhe mbarë diasporën, pasi gjatë bisedimeve i kërkuam hapur njohjen e Republikës së Kosovës, duke përcjellur kërkesën tonë në Selinë e Shenjtë. Mendojmë, se nuk ka asnjë arsye, qoftë sa i përket orientimit tonë evropian, qoftë sa i përket  faktit që shqiptarët janë një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti në rajon, qoftë edhe kontributit historik të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në mbrojtjen e vlerave perëndimore, apo rolit të lartë humanitar të Shenjtores “Nënë Tereza”, që të mos ndodhë njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Selisë së Shenjtë. Siç, nga ana tjetër, shqiptarët kanë treguar respektin më të lartë për Papa Gjon Pali II dhe Papa Franceskun gjatë vizitave të tyre në Shqipëri. Federata “Vatra”, është e bindur se kjo njohje do të ndodhë. Nunci Apostolik Brown, u shpreh me nota të larta vlerësimi për popullin tonë, dhe se ishte tepër i kënaqur për kohën që po kalonte në Shqipëri.

Telegrafi: A mendoni se si shqiptar jemi mjaft të bashkuar, të unifikuar, të formuar dhe të ofruar me njëri-tjetrin, për sensibilizimin e çështjeve kombëtare? 

Dritan Mishto: Sfidat kombëtare të shqiptarëve janë të përbashkëta, na përkasin të gjithëve, pavarësisht ku jetojmë. Vihet re me lehtësi se reagimi është i përbashkët për çështjet ku kërkohet vëmendja e të gjithëve, dhe besoj se do të mbetët kësisoj. Po sjell rastin më të fundit të kërkesave nga mbarë diaspora që shqiptarët në Malin e Zi, të votojnë të bashkuar në zgjedhjet e datës 3 Mars 2019. Federata “Vatra”, përshëndet këtë vendim të mençur të subjekteve politike shqiptare, duke i uruar përzemërsisht suksese dhe konstatojmë se shtysë e rëndësishme e këtij vendimi, është pikërisht trysnia pozitive e mendimit të unifikuar shqiptar kudo në botë.

Në tërësi, ne jemi të gjithë të të njëjtit mendim për domosdoshmërinë e rritjes së standardeve të demokracive në Shqipëri e Kosovë, apo për garantimin sa më të lartë të të drejtave të bashkëkombësve tanë, dhe këto janë shtyllat që mbajnë fort ndjeshmërinë tonë, larg ndasive dhe preferencave të ndryshme politike e shoqërore.

Telegrafi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për President Dolad Trump. Çfarë mendimi keni për të?

Dritan Mishto: Federata Pan Shqiptare “Vatra” gjithmonë ka pasur korrespondencë me Presidentin e ShBA-ve, me Sekretarin e Shtetit (pavarësisht përkatësive të tyre politike), si dhe me përfaqësues të Dhomës e Senatit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Ne mendojmë se Presidenti Trump, po bën një punë shumë të lavdërueshme, për rritjen e mëtejshme të autoritetit të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet disa sfidave që ai ka marrë përsipër. Nga kjo pikëpamje, mbështesim dhe lutemi për sa më shumë sukses gjatë drejtimit të Tij, për rritjen e mirëqenies së kombit amerikan, dhe për sa më shumë dobi për shqiptarët.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për komunitetin shqiptar në botë, e në veçanti për shqiptaro-amerikanët?

Dritan Mishto: Unë do t’i drejtohem me një thirrje vëllazërore dhe shumë të përzemërt të gjithë shqiptarëve kudo në botë, që Federatën PanShqiptare “Vatra” ta shohin si një strehë të hapur, një bashkëbiseduese të çiltër për çështjet shoqërore e kombëtare, të cilat ata i shqetësojnë çdo ditë dhe kudo që janë. Ta kenë të ditur, se Federata Pan Shqiptare “Vatra”, së bashku me tërë diasporën shqiptare në botë do të vazhdojnë të jenë në krye të punëve të mira për shqiptarët. Intervistoi/Lumturije BEKAJ/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Siguri
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Kalo në kategori