LAJMI I FUNDIT:

Shkolla në Llabunishtë nuk e festoi 7 marsin, EVN-ja i’a kishte ndalë rrymën

Shkolla në Llabunishtë nuk e festoi 7 marsin, EVN-ja i’a kishte ndalë rrymën

Manifestime për 7 Marsin-Ditën e Mësuesit janë zhvilluar në të gjitha shkollat në Strugë me përjashtim të shkollës fillore “Murat Labënishti’, ku nuk u realizua programi i paraparë dhe i pregatitur nga nxënësit dhe arsimtarët e kësaj shkolle.

Shkas për mosmbajtjen e programit të paraparë në këtë shkollë ka qënë mungesa e energjisë elektrike, për të cilën është “përkujdesur” EVN. Programi festiv i kësaj shkolle ishte paraparë të mbahet në ora 12.00, ku ishin të ftuar edhe nga sektori i arsimit pranë komunës së Strugës, por në ndërkohë janë njoftuar të ftuarit se manifestimi nuk do të mbahet për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe pajisjet teknike nuk mund të vihen në funksion. Megjithate, kjo Ditë e shënuar, është shënuar në Llabunishte në mënyrë tepër modeste.


Manifestimi qëndror me rastin e 7 Marsit Ditës së Mësuesit, që do të ndërlidhet edhe me 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Gruas-Ditën e Nënave, u mbajt në ambientet e “Teatrit Poshka”, në orët e mbrëmjes, me një program festiv të përgatitur nga nxënësit dhe profesorët e tyre, të shkollave të mesme të Strugës.

Të rikujtojmë se shembulli i shkollës së parë shqipe të Korçës u ndoq edhe në qytetet tjera të banuara me shqiptar si në Pogradec, Ohër, Ersekë, Elbasan, Dibër, Kolonjë, Përmet, Berat, Vlorë e kështu me radhë. Edhe në tokat e liruara-siç i quan Ernets Koloqi, viset tona, u hapën shpejt shkollat shqipe.

Në nëntor të vitit 1941 u hapën shkollat e para shqipe në nënprefekturën e Strugës: në Strugë, Livadhi, Ladorisht, Velesht, Labënisht, Koroshishtë, Kalishtë, Dollogozhdë dhe Frëngovë, prandaj me të drejtë Dita e Mësuesit shënohet në Strugë.

Kjo ditë, 7 Marsi, Dita e Mësuesit, ndërlidhet edhe me 75 vjetorin i hapjes së shkollave të para shqipe në Strugë e rethinë në Prefekturën e Dibrës, në nëntor të vitit 1941. Në nëntor të vitit 1941, në nënprefekturën e Strugës u hapën 6 shkolla fillore të ciklit pesëvjeçar, me klasa e mosha të përziera, siç janë: “Kongresi i Manstirit” në Strugë, në Veleshtë, Ladorishtë, Radozhdë, Belicë e poshtme, Labënishtë e Livadhi. Ndërkaq në vitin 1942/43 shkollat u hapën edhe në Koroshishtë (7 maj), në Kalishtë (më 11 maj) dhe më vonë, më 22 dhjetor në Podgorcë u hap shkolla “Iljaz Podgorca”. Në vitin 1943/44 shkolla u hap edhe në Dollogozhdë dhe Frëngovë, njofton INA.

Lista e kuadrit arsimor në këto vise është e gjatë dhe të gjithë ata meritojnë të përmënden sepse ata shënuan faqen e historisë në altarin e arsimit shqip siç janë: Enver Palluqi, Pandi Treska, Dalip Zeneli, Skender Hoxha, Hasan Belshaku, Hamit Pitja, Nexhip Minarolli, Hysen Pajenga, Myfit Sinojmeri, Alush Baltëza etj etj.

Nderë i veçantë u takon mësuesëve të parë që mbollën farën e shkollimit dhe arsimimit në gjuhën shqipe, të cilët pa hezitim iu përgjegjën apelit të ministrit të athershëm shqiptar të arsimit, Ernest Koliqi, “200 mësues për 200 shkolla shqipe”, për hapjen e shkollave shqipe në këto vise.

 Akcioni “200 Pëllumbat e parnasit shqiptar”, rezultoi me hapjen e shkollave shqipe edhe në Strugën tonë me rrethinë.

“ Populli që arsimohet ka ardhmëri”, “Kur hapet një shkollë, mbyllet një burg”janë fjalë popullore. Nuk ka pasuri më të madhe dhe investim më i mirë se arsimi.

Rezultat i angazhimit dhe punës së pishtarëve të arsimit, sot kemi qindra e mijëra intelektual të profileve të ndryshme, kemi universitete dhe kuadro për ardhmërinë tonë.

Ndaj, një nderim të veçantë për të gjithë ata mësues, që sot nuk gjinden në mesin tonë, misionin e të cilëve janë duke e vazhduar mësuesit e sotëm.

 “Nëse dëshironi t’a shkolloni një njeri shkollojeni një djal, por nëse doni t’a shkolloni një komb, shkollojeni një femër”-ishte një mesazh kuptimplotë, që shqiptarët në përgjithësi e përqafuan dhe janë duke e zbatuar plotësisht. /Telegrafi/